Përplasja Osmani-Kurti: Nga dallime të tejkalueshme në vështirë të tejkalueshme

Në qershor të këtij viti kishte deklaruar se dallimet mes saj dhe Albin Kurtit janë të tejkalueshme dhe se nuk ka luftë politike me Qeverinë e kryeministrit Albin Kurti. Ndërsa në fund të korrikut, një muaj më pas, kur i ftoi krerët e partive politike për t’i konsultuar për datën e zgjedhjeve parlamentare, me ç’rast […]

Përplasja Osmani-Kurti: Nga dallime të tejkalueshme në vështirë të tejkalueshme
perplasja-osmani-kurti:-nga-dallime-te-tejkalueshme-ne-veshtire-te-tejkalueshme

perplasja-osmani-kurti:-nga-dallime-te-tejkalueshme-ne-veshtire-te-tejkalueshme

Në qershor të këtij viti kishte deklaruar se dallimet mes saj dhe Albin Kurtit janë të tejkalueshme dhe se nuk ka luftë politike me Qeverinë e kryeministrit Albin Kurti. Ndërsa në fund të korrikut, një muaj më pas, kur i ftoi krerët e partive politike për t’i konsultuar për datën e zgjedhjeve parlamentare, me ç’rast kreu i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, nuk mori pjesë, doli në sipërfaqe prishja e raporteve mes presidentes Vjosa Osmani dhe shefit të Qeverisë, Albin Kurti.

Përçarja u thellua edhe më tej ditë më parë, pas incidentit që i ndodhi Osmanit në Aeroportin e Shkupit, ku pjesëtarët e sigurimit kanë tentuar t’i marrin telefonin presidentes për ta vendosur në skener.

Osmani e cilësoi incidentin si një provokim të pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident, ndërsa Kurti gjatë një vizite zyrtare në Shkup deklaroi se autoritet e Maqedonisë së Veriut, krerët e shtetit, kanë shprehur keqardhje për rastin dhe se do të ketë raport zyrtar që do ta zbardhë këtë çështje dhe ta kuptojmë se çfarë ka ndodhur. Kjo deklaratë e kryeministrit Kurti nga Shkupi, nuk i ka pëlqyer aspak presidentes Osmani.

Për përfaqësuesit e opozitës, kjo përçarje e presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti është e dëmshme për Kosovën.

Besa Gaxheri: Përplasja Osmani Kurti, e dëmshme për Kosovën

Anëtarja e LDK-së, Besa Gaxheri, thotë se ka qenë e pritshme një përçarje e tillë mes presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti.

“Duke i njohur dy këto personalitete, kjo përçarje ka qenë e pritshme. Megjithatë, raportet e tilla mes krerëve të shtetit janë të dëmshme për Kosovën”, u shpreh Gaxheri për FrontOnline.

Beqa i PDK-së: Osmani dhe Kurti s’dinë ta përfaqësojnë shtetin

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa në një prononcim për Front Online ka folur për incidentin e presidentes Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit.

Beqa vlerëson se pavarësisht nga kush përfaqësohet Kosova jashtë vendit, duhet ta njeh kodin diplomatik.

Sipas tij, pushteti aktual s’ka treguar përfaqësim dinjitoz as brenda Kosovës, por as në arenën ndërkombëtare.

Ai thotë se vendi po udhëhiqet nga një partner i koalicionit të papërgatitur për udhëheqje.

“Qeverisja aktuale duke përfshirë përfaqësimin e Kurtit, përfaqësimin diplomatik të presidentes, nuk kanë treguar ndonjë përgatitje për përfaqësim të shtetit në mënyrë dinjitoze as brenda vendit dhe as në arenën ndërkombëtare. Fatkeqësisht shteti udhëhiqet nga një partner i koalicionit i papërgatitur për ta udhëhequr vendin. Pa marrë parasysh se kush e përfaqëson Kosovën jashtë vendit duhet ta njeh kodin diplomatik për ta mbrojtur Republikën”.

Kadrijaj e AAK-së: Kurti e Osmani s’kanë komunikim me njëri-tjetrin

Nga AAK-ja kanë shprehur keqardhje për incidentin e presidentes Vjosa Osmani në Shkup.

Deputetja Time Kadrijaj tha për Front Online se kjo situatë ndodhi si pasojë e Qeverisjes së re në Maqedoni.

Sipas saj, në qeverisjen e Ai Ahmetit kjo ngjarje s’ka ndodhur asnjëherë.

“Është për keqardhje incidenti që ka ndodhur në Shkup. Osmani është presidentja e Kosovës, ne nuk e kemi mirëpritur, por në një Qeveri të tillë si është atje nuk pritet më mirë. Sa ishte në pushtet partia e Ali Ahmetit nuk ka pasur sjellje të tilla, presidentja është përcjellë në mënyrë madhështore”, theksoi ajo.

Deputetja Kadrijaj e vlerësoi si qesharake mohimin e incidentit ndaj presidentes në aeroportin e Shkupit.

Ajo tha se presidentja e kryeministri i Kosovës nuk kanë raporte të mira.

“Deklarata e Kurtit ishte qesharake, pasi që Kurti e anashkaloi incidentin e Osmanit dhe vendosi që  mos ta dënoj veprimin e shtetit maqedonas. Ne si shtet është dashur ta dënojmë, por vërehet një prishje e thellë e raporteve mes Kurtit dhe Osmani dhe me sa duket nuk kanë komunikim fare”, përfundoi Kadrijaj.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar të hënën se ka paraqitur kallëzim penal kundër shefit të sigurimit të kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi në lidhje me incidentit në të cilin u përfshi presidentja e Kosovës Vjosa Osmani të enjten në Aeroportin e Shkupit. Ai akuzohet për “rrezikim të sigurisë” dhe “parandalim të zyrtarit nga kryerja e një vepre zyrtare”./FrontOnline/