Projekti kontrovers “Shkupi 2014” do të vazhdojë të ndërtohet në vitin 2025 me para nga buxheti i banorëve të RMV-së

Projekti kontrovers “Shkupi 2014” do të vazhdojë të ndërtohet në vitin 2025 me para nga buxheti i banorëve të RMV-së
Objektet e projektit 'Shkupi 2014

Zhurmat e çekiçëve dhe makinerive të ndërtimit e prishin qetësinë e verës në kryeqytetin pothuajse të zbrazur në kulmin e pushimeve vjetore. Edhe krahas rekomandimeve të Qeverisë për masa gjatë valës së të nxehtit që punëtorët që punojnë në ambiente të hapura të mos ekspozohen ndaj temperaturave të larta në mesditë, në qendër të Shkupit punonjës të ndërtimtarisë majë skelave po i kryejnë detyrat e tyre të punës. Këto tinguj vijnë nga prapa mbulesave të ndërtesave të papërfunduara nga projekti kontrovers i ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i njohur si “Shkupi 2014”, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Pas ikjes së Gruevskit në Hungari dhe ndryshimit të qeverisë në vitin 2017 dhjetëra ndërtesa mbetën të papërfunduara dhe të papërdorura.

Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se kjo çështje e shqetëson shumë si banor të Shkupit dhe se po mundohet të gjejë një mënyrë për ta përfunduar një pjesë të madhe të atyre objekteve. Por në ribalansin e buxhetit këtë vit nuk janë siguruar para për këto objekte.

“Nuk janë paraparë për një arsye të thjeshtë, se ne ende jemi duke bërë analiza për të parë se si është statusi ligjor. Sepse një pjesë e atyre objekteve janë investime private. Tani, ne si shtet nuk mund t’i sanojmë ato objekte private. Por sigurisht që do të kishim dashur të bisedojmë me investitorët, të punojmë, e t’i përfudojmë. Të shohim se çfarë mund të bëjmë që të ndihmojmë. Pasi ta kemi përfunduar analizën në fjalë, të jeni të sigurt se që në buxhetin për vitin e ardhshëm ajo që është punë e shtetit do të përfundojë “, deklaroi sot Mickoski.

Në pyetjen nga Radio Evropa e Lirë për atë nëse do të vazhdojë të dominojë stili barok në ndërtimin e objekteve, Mickoski shkurt u përgjigj se është adhurues i arkitekturës moderne.

“Nuk dua të diskutoj për shijet”. Ndoshta dikush ka një drejtim të caktuar në art që i pëlqen, dikush ka një drejtim tjetër në art që i pëlqen. Ndoshta ajo që nuk më pëlqen mua, dikujt tjetër i pëlqen. Por unë jam një adhurues i stilit modern dhe do të doja që të gjitha ato ndërtesa dhe struktura që i përmendët të përfundojnë sa më shpejt të jetë e mundur, që të mos e shëmtojnë pamjen e kryeqytetit, sepse deri më tani kanë qenë të harruara. A do ta lëmë atë stil, këtë duhet ta thonë ekspertët, arkitektët. Po e përsëris, nëse një gjë e tillë është e mundur, unë jam adhurues i stilit modern”, tha Mickoski.

Gruevski, i cili ishte promotor i stilit barok të Shkupit 2014, fitoi azil politik në Hungari pas akuzave për korrupsion, ndërsa partia VMRO-DPMNE, në krye të të cilës ishte ai, u kthye në pushtet pas shtatë vjetësh në opozitë pas zgjedhjeve parlamentare të muajit maj.

Ky projekt i të ashtuquajturit antikizim arkitekturor  të qendrës së kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut ka ngjallur shumë kritika nga opinioni profesionist në vend. Monumentet e periudhës antike ngjallën kritika edhe nga Greqia për shkak të kontestit për emrin “Maqedonia”, që u zgjidh me Marrëveshjen e Prespës në vitin 2018, pas çka Republika e Maqedonisë e ndryshoi emrin e saj në Maqedonia e Veriut dhe në vitin 2020 u bë anëtare e NATO-s.

Ndërkohë, për shtatë vite gjatë të cilave pushteti ishte në “duart” e LSDM-së dhe BDI-së, projekti “Shkupi 2014” ra në harresë. Dhjetëra ndërtesa mbetën të papërfunduara dhe bosh, qoftë për shkak të pamjes së synuar barok, qoftë për shkak të problemeve gjatë projektimit të objektit, për çka ende nuk kanë marrë leje për pranim teknik.

Po rregullohet kisha “Sh. Konstatini dhe Elena”

Zhurmat e para të punimeve ndërtimore këtë verë u dëgjuan në kishën “Sh. Konstatini dhe Elena”, e cila ndodhet në qendër të qytetit, në rrugën Maqedonia. Në oborrin e kishës tashmë janë vendosur makineritë e ndërtimit dhe po punohet për pastrimin e zonës.

“Më datë 29.07.2024 Kisha Ortodokse Maqedonase-Kryepeshkopata e Ohrit, dërgoi një njoftim në Komunën Qendër – Inspektorati i ndërtimit, me të cilin na informojnë se në përputhje me planin dhe dinamikën e planifikuar për punën e Dioqezës Ortodokse të Shkupit për vitin 2024 ka filluar punimet ndërtimore për rregullimin e enterierit, parterit dhe kambanores në kishën e Sh. Konstatinit dhe Elenës”, thuhet në përgjigjen nga komuna Qendër.

Nga Kisha Ortodokse Maqedonase nuk morëm përgjigje se pse pikërisht tani, pas kaq vitesh, kanë filluar me punët për përfundimin e kësaj kishe.

Ndërtimi i kishës një dekadë më parë bëri bujë në opinion për shkak të betejës mes pushtetit të atëhershëm qendror të VMRO DPMNE-së dhe pushtetit lokal në Komunën Qendër të udhëhequr nga kryetari i opozitës Andrej Zhernovski, i cili nuk lejonte ndryshime të  Planit të Detajuar Urbanistik.

Në qershor të vitit 2013 qindra protestues e rrethuan barakën e Komunës Qendër ku këshilltarët duhej të diskutonin për ndryshimet e Planit të Detajuar Urbanistik. Protestuesit pretendonin se ishin pjesë e nismës civile Veritas dhe se po protestonin për shkak të spekulimeve në publik  se me PUD-in e ri kisha e Shën Kostatinit dhe Elenës do të shembej.

Dy vjet më vonë, LSDM-ja e atëhershme opozitare në një konferencë për media publikoi një “bombë” në të cilën, siç dëgjohet nga bisedat telefonike të përgjuara ilegalisht, motivi i protestës ka qenë ndryshimi i PUD-it, me të cilin do të bllokohet ndërtimi i objekteve të tjera në interes të anëtarëve të partisë politike VMRO-DPMNE.

Ndërtimi i kishës filloi në vitin 2012. Sipas njoftimeve ajo do të ndërtohej për tre vjet. Por edhe pas 12 vitesh, kisha nuk është e përfunduar.

Rrethoja prej llamarine ende ndodhet rreth kishës dhe vazhdon të bllokojë rreth një të tretën e rrugës “Maqedonia” në pjesën e saj qendrore.

Në vendin e ndërtimit vazhdon të qëndrojë edhe tabela mbi të cilën shkruan se investitor i kishës është Fondacioni “Sh. Car Konstantini” dhe se punët ndërtimore i kryen ndërmarrja SH.A. “Beton”, Shkup. Kjo kompani është në proces të likuidimit.

Se sa ka kushtuar ndërtimi deri më tani mbetet një “sekret i shenjtë”, të cilin përfaqësuesit e KOM-it nuk e kanë ndarë asnjëherë me publikun. Por Ministria e Drejtësisë në vitin 2018, me qasje të lirë në informacion, i publikoi listat e donatorëve për ndërtimin e kishës. Paratë për ndërtimin e kishës atëkohë ishin mbledhur në tre konferenca donatorësh. Të pranishëm kanë qenë njerëz nga elita e biznesit, bankierë, politikanë dhe priftërinj nga kreu i KOM-it. Nga këto konferenca donatore janë mbledhur rreth 2 milionë euro, nxjerr në pah hulumtimi i Laboratorit të Gazetarëve Hulumtues.

Po punohet me vrull të plotë për ndërtimin e hotelit dhe Shtëpisë së Oficerëve

Hoteli dhe Shtëpia e Oficerëve në Qendër të Shkupit po ndërtohen tashmë për 13 vjet, që në vitin 2011 filloi t’i ndërtojë biznesmeni grek Dimitris Kondominas.

Qeveria e atëhershme e Nikolla Gruevskit, përmes Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, ku ministër ishte Mile Janakieski, e shiti këtë tokë atraktive me sipërfaqe prej 6.300 metra katrorë me çmim prej 100 euro për metër katror, ​​pra për 630.000 euro. Sipas kontratës, investitori ka për obligim që në kuadër të hotelit të ndërtojë edhe një pjesë rezidenciale për kryetarin e Shkupit ku do të ketë edhe zyrë të regjistrimit, me fasadën e ish-Shtëpisë së Oficerëve.

Por pas arrestimit të Kondominas në Greqi në vitin 2015 për evazion fiskal, projektin e mori përsipër biznesmeni rus Sergej Samsonenko, i cili e bleu kompaninë e biznesmenit grek  për 600 mijë euro dhe vazhdoi ndërtimin e objektit në të njëjtat kushte.

Dhe tani si investitor figuron Samsonenko përmes kompanisë së tij SIS Invest Group. Sipas tabelës të vendosur në vendndërtim, lejen e parë për ndërtim e kanë marrë në vitin 2012, ndërsa me ndryshimet e fundit të projektit, lejen e fundit për ndërtim e kanë marrë në vitin 2022.

Ndërtimi i këtyre dy objekteve u ndërpre për disa vite, por vitin e kaluar ata filluan me punimet në terren. Punëtorë ndërtimi mund të shihen në të dyja ndërtesat duke punuar me vrull të plotë.

Nga Komuna Qendër pak kohë më parë sqaruan se bëhet fjalë për dy hotele me klase për qëllime kompatibile, në të cilat ka njësi të vogla komerciale dhe mjedise afariste.

“Më konkretisht, për objektin e ashtuquajtur ish-Shtëpia e Oficerëve bëhet fjalë për hotel, me qëllim B5 – hotel, dhe qëllim B4 – institucione shtetërore (zyra e kryetarit të Qytetit të  Shkupit dhe zyra e regjistrimit) me njësi të vogla komerciale për qëllime kompatibile”, thanë nga Komuna Qendër.

Hoteli në sheshin Maqedonia në afërsi të Shtëpisë së Oficerëve

Kompania e Samsonenkos, Sis Invest Group, pas disa tentativave për falimentim, në vitin 2020 mbijeton dhe vazhdon me punë. Në dy vitet e fundit ka një rritje të të ardhurave, por jo edhe fitim, tregojnë të dhënat nga data baza e “Business Network”. Sipas tyre, krahas Sis Invest Group, Samsonenko zotëron edhe dhjetëra kompani të tjera, përfshirë këtu Sis Hospital, i cili përmendet në rastin e parcelës në komunën e Karposhit në afërsi të ish-Spitalit Ushtarak, ku planifikohet ndërtimi i një spitali të ri privat në një sipërfaqe prej 11.000 metrash, gjë që shkaktoi protesta për shkak se ndodhet pranë një objekti të mbrojtur si trashëgimi kulturore.

Nga tre anijet e Shkupi 2014, njëra funksionon si hotel

Anijet në shtratin e lumit Vardar në qendër të Shkupit do të jenë aty deri në vitin 2035. Atë vit skadon kontrata e fundit që Qyteti i Shkupit, kur kryetar ishte Koce Trajanovski, e lidhi për 20 vite, ndërsa dy prej tyre u skadon në vitin 2026 dhe 2027. Ish kryetari i Qytetit nga radhët e LSDM-së tani opozitare, Petre Shilegov, premtoi se në Vardar nuk do të ketë anije. Ai në pranverë të vitit 2021 filloi ta shembë njërën nga tre anijet, por pjesa më e madhe e objektit mbeti e betonuar në ujërat e Vardarit.

Tani në hapësirën e poshtme, në vrimën nga ana e bregut të lumit mund të futet një person i rritur. Në dyshemenë që po rrënohet nga lagështia ka ambalazh birrash, shishe plastike, mbeturina të ndryshme dhe bishta cigaresh. Pjesa e sipërme e kuvertës u bë një strehë për të pastrehët.

Pas një shëtitjeje të shkurtër nëpër bregun e lumit Vardar, vihet re se në funksion është vënë vetëm njëra nga tri anijet që ndodhen atje. Në të mysafirët mund të konsumojnë ushqim italian dhe ose të vendosen në ndonjë nga dhomat për ta kaluar natën.

Banka Popullore ende nuk ka shpallur tender për përfundimin e objektit të ri

Në objektin e ri të Bankës Popullore prej muajsh nuk po zhvillohen kurrëfarë punësh ndërtimore. Objekti, në kuadër të Shkupi 2014, gjendet në qendër të qytetit, pranë ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ende është i papërfunduar, ndërsa për të deri më tani janë shpenzuar pothuajse 15 milionë euro.

Nga Banka Popullore, në pyetjet e Radios Evropa e Lirë, u përgjigjën se pas përfundimit të kontratës së ndërtimit që ishte lidhur në vitin 2016, ata i kanë ndërmarrë të gjitha hapat për mbrojtjen e pronës së bankës, si dhe për definimin e mundësive për përfundimin e ndërtimit në një të ardhme të afërt.

“Për momentin po bëhet rregullimi i nevojshëm i dokumentacionit të projektit, i cili është pjesë e procedurës për prokurimin publik të shërbimeve projektuese, pas çka do të vijojë procedura e prokurimit publik të një kontraktori të ri për ndërtimet, i cili duhet ta përfundojë ndërtimin e objektit”, thuhet në përgjigjen e Bankës Popullore.

Ndërtesa e re e Bankës Popullore ishte pjesë e projektit “Shkupi 2014”. Sipas kontratës së lidhur atëherë me kompaninë ndërtimore “Beton”, ishte paraparë që ndërtimi të kushtonte 23 milionë euro. Deri më tani, siç sqarojnë nga Banka Popullore, janë kryer më shumë se 60 përqind e punëve ndërtimore të parapara me kontratën bazë, përkatësisht “Beton”-it i janë paguar 15 milionë euro.

Tri fakultetet e parapara me Shkupi 2014 ende po presin përfundimin e ndërtimit të objekteve

Miliona nga thesari i shtetit u shpenzuan për ndërtesa, por studentët e Fakultetit të Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FSHIIK), të Dramës dhe Kulturës Fizike nuk u bënë me ambiente të reja. Ka kaluar plot një dekadë nga fillimi i ndërtimit të objekteve për objektet e FSHIIK dhe FKF. Ministri i arsimit, Jeton Shaqiri tre vjet deklaronte se po shqyrtohej se si të ndryshohet pamja e planifikuar në stilin barok e objekteve të papërfunduara, ndërkohë që studentëve ju duhej të ligjëratat t’i ndjekin në objektet e fakulteteve të tjera.

Objektet në ndërtim të Fakultetit të Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike dhe Fakultetit të Edukimit Fizik, Sportit dhe Shëndetit në UKM në Shkup, 25.12.2023

Edhe kryesia e re e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës premton se ndërtimi i FSHIIK-ut dhe FFK-së do të vazhdojë.

“Së shpejti do të bëhet inspektimi i aktiviteteve të realizuara deri më tani, vlerësimi i dëmeve të shkaktuara nga moskujdesi për objektet gjatë viteve të fundit dhe definimi i gjendjes reale në të cilën gjenden ato. Sipas këtij informacioni do të parashikohen fondet buxhetore për vitet e ardhshme, pra për vitet kalendarike në vijim dhe do të kryhet një procedurë për përzgjedhjen e një kompanie të re ndërtuese që do ta përfundojë ndërtimin”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për Radion Evropa e Lirë.

Në vitin 2015 studentët protestuan  kundër idesë që ambientet e reja të kenë pamje në stilin barok, pasi siç thonë nga organizata e atëhershme studentore “Plenumi Studentor”, ndërtesa të tilla nuk do të përshtaten në kampusin universitar.

Qyteti i Shkupit nuk është kompetent për barokun në rrugën Maqedonia

Rruga Maqedonia duhej të merrte një pamje në stilin barok, por kjo gjë u realizua vetëm në gjysmën e rrugës. Tani në të ka ndërtesa pa fasada dhe pa izolim të jashtëm të instaluar.

Fasadat e papërfunduara nga projekti Shkupi 2014

Veshja e fasadave në stilin barok  në rrugën kryesore në qendër të Shkupit filloi në kohën e kryetarit Koce Trajanovski. Për këtë qëllim deri në vitin 2016 janë shpenzuar 10 milionë euro. Por as pasardhësit e Trajanovskit, Shilegovi dhe kryetarja aktuale Danella Arsovska, nuk e zgjidhën këtë problem.

“Sa i përket fasadave që u përfshinë me projektin “Shkupi 2014”, ju njoftojmë se të gjitha Kontratat janë realizuar dhe afatet për kohëzgjatjen e tyre kanë skaduar, ndërsa mjetet janë ndarë nga Buxheti i Qeverisë. Qyteti i Shkupit nuk është kompetent për sanimin e fasadave”, thuhet në përgjigjen e Qytetit të Shkupit në pyetjet e parashtruara nga Radio Evropa e Lirë.

Qeveria e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski shpenzoi mbi 600 milionë euro para të shtetit për projektin kontrovers Shkupi 2014, ndërsa ishin planifikuar 80 milionë euro. Tani kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëron përfundimin e projektit në vitin buxhetor 2025.