SHBA po punon për të siguruar që RMV-ja të respektojë marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë

Shtetet e Bashkuara po punojnë që qeveria e re e Maqedonisë së Veriut të respektojë Marrëveshjen e Prespës, nënvizoi Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien. SHBA-të gjithashtu pritet të jenë shumë aktive në bisedimet për mënyrën e saktë të zbatimit të marrëveshjes mes Shkupit dhe Sofjes pasi Bullgaria të ketë […]

SHBA po punon për të siguruar që RMV-ja të respektojë marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë
Flamuri i SHBA-ve. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Shtetet e Bashkuara po punojnë që qeveria e re e Maqedonisë së Veriut të respektojë Marrëveshjen e Prespës, nënvizoi Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien. SHBA-të gjithashtu pritet të jenë shumë aktive në bisedimet për mënyrën e saktë të zbatimit të marrëveshjes mes Shkupit dhe Sofjes pasi Bullgaria të ketë një qeveri më të qëndrueshme, raporton Zëri i Amerikës në gjuhën maqedonase, transmeton Portalb.mk.

Gjatë një seance dëgjimore përpara Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me jashtë, diplomati amerikan argumentoi se kontaktet e ligjvënësve amerikanë ishin të dobishme për të mbajtur Maqedoninë e Veriut të përkushtuar ndaj marrëveshjes.

Senatorja Jean Shahin e ngriti pyetjen duke nënvizuar takimet e saj të fundit në samitin e NATO-s në Uashington me kryeministrin e Maqedonisë Hristian Mickoski, kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe ministrin malazez, duke theksuar se me atë rast ka dëgjuar për zhgënjimin që kanë vendet e rajonit për shkak të pritjes së gjatë për të hyrë në Bashkimin Evropian, pengesave që u ngritën dhe reformave që duhej të bënin gjatë procesit, veçanërisht Maqedonisë së Veriut. Ajo e pyeti troç O’Brien se çfarë mund të bënte më shumë SHBA për të inkurajuar evropianët që të ndihmonin vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë bërë reformat e kërkuara prej tyre për të ndaluar shtyrjen dhe për të lejuar që negociatat të ecin përpara.

“Ky është një problem i veçantë. Së pari, kjo është një sfidë e përditshme, të jesh mik i procesit dhe shpesh të mos jesh pjesë e procesit, por do të thotë të inkurajosh vendet të bëjnë reforma të dhimbshme, zyrtarët politikë të vendeve të mos bëjnë kërkesa të mëdha që do të prishnin përparimin. Do të thotë gjithashtu të sugjerosh rrugë alternative. Një gjë për të cilën kam punuar gjatë gjithë kohës me qeveritë është t’i çojmë ato në një treg të përbashkët rajonal, por edhe në tregun e vetëm përpara se të anëtarësohen në BE, sepse me procesin e anëtarësimit, ulja në tryezën e Këshillit Evropian është problematike, ku ana ekonomike mund të vijë shumë më herët. Dhe tani e tillë është politika e BE-së me planin e rritjes, ndaj përpjekjet amerikane janë të drejtuara në atë drejtim për të nxitur idenë e reformave dhe fitimeve më herët. Dhe në procesin e anëtarësimit ka dy lloje problemesh, konkretisht realizimi i reformave të kërkuara dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore”, tha Ndihmës Sekretari i Shtetit.

Më pas ai iu referua Maqedonisë së Veriut dhe marrëdhënieve të saj me Greqinë dhe Bullgarinë fqinje, duke theksuar nevojën e respektimit të dy marrëveshjeve, Marrëveshjes së Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë dhe Miqësisë me Bullgarinë.

“Maqedonia e Veriut vuajti për shkak të mosmarrëveshjeve me fqinjët e saj, të cilët vazhdimisht i ndryshojnë kërkesat (qasjen) për të. Një pjesë e punës sonë është të përgatisim në mënyrë diplomatike një mënyrë që (Maqedonia e Veriut) të ruajë marrëveshjen që ka me Greqinë. Dhe mendoj se takimi që keni pasur, si dhe takimet e tjera, ndihmuan që gjërat të qëndrojnë në këtë pikë, që Greqia të bëhet mike e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë dhe jo kritike. E njëjta gjë vlen edhe për Shqipërinë”, theksoi ai në përgjigjen e tij për senatorët.

“Çështja kryesore është Marrëveshja që Maqedonia e Veriut ka me Bullgarinë dhe sapo Bullgaria të ketë një qeveri më të qëndrueshme, duhet të diskutohet mënyra e saktë se si duhet të zbatohet. Pra, kjo do të jetë fusha ku pres të jemi më aktiv”, tha ai.

Kryeministri Hristian Mickoski dhe presidentja Gordana Siljanovska Davkova premtuan se do ta përdorin zyrtarisht emrin kushtetues, por do ta përdorin emrin “Maqedoni” në deklaratat si akt që buron nga e drejta për ndjenjën personale dhe të vetëvendosjes.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, nga ana e tij, ka përdorur emrin Maqedonia e Veriut si jashtë ashtu edhe brenda vendit që nga Samiti.

“Nuk ka vend për rinegociim të marrëveshjeve me Greqinë dhe Bullgarinë, deklaroi edhe ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler. Ajo theksoi se “marrëveshjet janë bërë. Nuk ka rinegocim të Prespës, nuk ka negociata për progres drejt BE-së. Kjo është shumë e qartë”, theksoi Agler.

Reagimet për Marrëveshjen e Prespës nisën të vijnë, pasi presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, gjatë dhënies së betimit nuk e përdori emrin zyrtar “Maqedonia e Veriut” ashtu siç është rënë dakord me Marrëveshjen e Prespës. Ndërsa këtë praktikë e vazhdon edhe kryeministri Hristijn Mickoski.

Nga ana tjetër, në raport me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.