Rritja e tatimit të pronës revoltoi qytetarët e Tetovës

Rritja e tatimeve të pronës nga ana e Komunës së Tetovës, ka nxitur revoltë tek qytetarët. Kërkojnë sqarim nga komuna se, përse deri vitin e shkuar janë paguar tatimet si zakonisht, ndërsa nga ky vit, fatura për tatimin e pronës vinë dy apo trefish më e lartë, transmeton Alsat. “Unë kam ardhur të paguaj tatimin […]

Rritja e tatimit të pronës revoltoi qytetarët e Tetovës
Komuna e Tetovës. Foto: Fisnikn Xhelili/Portalb.mk

Rritja e tatimeve të pronës nga ana e Komunës së Tetovës, ka nxitur revoltë tek qytetarët. Kërkojnë sqarim nga komuna se, përse deri vitin e shkuar janë paguar tatimet si zakonisht, ndërsa nga ky vit, fatura për tatimin e pronës vinë dy apo trefish më e lartë, transmeton Alsat.

“Unë kam ardhur të paguaj tatimin për këtë vit, por nga viti i shkuar është më shumë se dyfish. Arsyen se di se përse është dyfishuar apo trefishuar dhe çka na ofrojnë ta dimë ne. Duhet të jenë transparent çka na ofrojnë më shumë në krahasim me vitin e shkuar”, tha një banor.

“Po çmimi shumë i lartë na ka ardhur sivjet. E kemi pas 210 tash e kemi 530 për një banesë”, shtoi një banor.

“Problemi është se na thonë pse s’jetoni aty duhet të paguani më shumë. Unë as mbeturina bëj as ujë harxhoj duhet më pak të paguaj por ja i kanë rrit çmimet i kanë bë 100 euro edhe pse ai nuk banon rregullisht aty”, theksoi një banor.

“Deri më tani kam paguar 1030 denar, këtë vit më është faturu 1588. Përse kështu nuk e di erdha të pyes se idenë se kam”, u shpreh një tjetër banor.

Sektori i financave në Komunën e Tetovës mohon të ketë rritje të pagesës së tatimit të pronës. Sipas tij është bërë rivlerësim i pronave sipas diktimit të çmimit të tregut. Kështu, nëse një metër katror për një shtëpi banimi deri vitin e shkuar është vlerësuar me 40 euro, tani ai çmim vlerësues është ngritur në 300 apo 350 varësisht nga zona ku ndodhet dhe cilësia e ndërtimit.

“Ka rivlerësim të pronave dhe nga vërejtjet që kishim nga revizioni shtetëror, në komunën e Tetovës nuk ka ndodhur asnjëherë rivlerësim i pronave të qytetarëve që ne e bëmë për 18 muaj bashkë me kolegët. Kemi hasur një banesë e cila ka qenë e vlerësuar për 200 euro metër katrori ndërsa tani e dimë se çmimet e tregut janë mbi 1000 euro, dhe ne si komunë kemi bë rivlerësim mesatar varësisht nga zona ku ndodhet banesa”, tha Nuriman Dehari, Shef i sektorit të financave, komuna e Tetovës.

Faturat për tatimin në pronë, nuk janë lëshuar njëkohësisht te të gjithë qytetarët, që mos krijohet tollovi te sportelet ku vijnë qytetarët për të sqaruar faturat.

Ndërsa për gjithë qytetarët që kanë dyshime tek vlerësimi i metër katrorit, apo pronës në tërësi, komuna ka ngritur komision i cili me kërkesë të qytetarit dhe në praninë e tij, shkon dhe bën matjet dhe vlerësimin e objektit për të cilin bëhet fjalë.

Komuna e Tetovës, dy vitet e fundit, ka bërë rritje deri në 300 për qind të pagesës së tatimit në pronë.