Sulmi ndaj Trump, Biden: Le të bëjmë një hap pas. Diferencat i zgjidhim në kutinë e votimit, jo me plumba

Zgjedhjet presidenciale të nëntorit janë një “provë” për SHBA-në pas atentatit ndaj Donald Trump, nënvizoi të dielën presidenti Joe Biden gjatë një fjalimi urgjent nga Zyra Ovale, duke shtuar se ngjarja e së shtunës në mitingun në Pensilvani kërkon që amerikanët “të bëjnë një hap prapa”. “Ne nuk mund të lejojmë që kjo dhunë të [...]Read More...

Sulmi ndaj Trump, Biden: Le të bëjmë një hap pas. Diferencat i zgjidhim në kutinë e votimit, jo me plumba

Zgjedhjet presidenciale të nëntorit janë një “provë” për SHBA-në pas atentatit ndaj Donald Trump, nënvizoi të dielën presidenti Joe Biden gjatë një fjalimi urgjent nga Zyra Ovale, duke shtuar se ngjarja e së shtunës në mitingun në Pensilvani kërkon që amerikanët “të bëjnë një hap prapa”.

“Ne nuk mund të lejojmë që kjo dhunë të normalizohet. Retorika politike në këtë vend është ndezur shumë. Është koha për ta qetësuar atë. Ne të gjithë kemi një përgjegjësi për ta bërë këtë.” , u shpreh presidenti duke shtuar se politika nuk mund të jetë një fushë vrasjesh.

“Mosmarrëveshjet janë të pashmangshme në demokracinë amerikane, por politika nuk duhet të kalojë kurrë në një fushë vrasëse. Megjithëse mund të mos pajtohemi, ne nuk jemi armiq. Ne jemi fqinjë, jemi miq, bashkëpunëtorë, qytetarë dhe më e rëndësishmja, ne jemi bashkë amerikanë. Ne duhet të qëndrojmë së bashku”, tha Biden.

Presidenti përmendi një sërë aktesh të dhunshme politike në vitet e fundit, duke përfshirë sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol, komplotin për të rrëmbyer guvernatoren e Miçiganit Gretchen ëhitmer dhe sulmin ndaj bashkëshortit të ish-kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

“Në Amerikë, ne i zgjidhim dallimet tona në kutinë e votimit, jo me plumba. Fuqia për të ndryshuar Amerikën duhet të qëndrojë gjithmonë në duart e njerëzve, jo në duart e një vrasësi të mundshëm,” shtoi Biden.

Ky ishte fjalimi i tretë zyrtar i Joe Biden nga Zyra Ovale pas marrjes së detyrës në vitin 2021. Dy të mëparshmet kishin të bënin me luftërat në Rripin e Gazës dhe Ukrainën dhe marrëveshjen që ai arriti me republikanët për kufirin e borxhit kombëtar./abcnews.al