Të mërkurën presidentja pret partitë politike në diskutime për zgjedhjet

Më 31 korrik, në orën 14:00, në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të presë partitë politike për të diskutuar mbi datën e zgjedhjeve të rregullta. Partitë politike kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga presidentja për t’u konsultuar për caktimin e datës së zgjedhjeve. Nga Lëvizja […] The post Të mërkurën presidentja pret partitë politike në diskutime për zgjedhjet appeared first on Albinfo.

Të mërkurën presidentja pret partitë politike në diskutime për zgjedhjet

Më 31 korrik, në orën 14:00, në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të presë partitë politike për të diskutuar mbi datën e zgjedhjeve të rregullta.

Partitë politike kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga presidentja për t’u konsultuar për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Nga Lëvizja Vetëvendosje thanë se janë të gatshëm për zgjedhje kurdo që ato shpallen.

“Është e rëndësishme që për herë të parë në Kosovë që nga shpallja e Pavarësisë një qeveri dhe legjislaturë po e mbyll një mandat të plotë. Kjo falë mbështetjes plebishitare të qytetarëve në zgjedhjet e kaluara si dhe qeverisjes së mirë dhe legjislativit të suksesshëm. Sa i përket datës së zgjedhjeve, Kushtetuta dhe Ligji për Zgjedhjet nuk lënë shumë opsione dhe ato opsione ligjore që ekzistojnë, e që janë katër data, nuk janë larg njëra-tjetrës”, tha Alim Rama, sekretar organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje.

E sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se do të marrin pjesë në takim, por sipas saj, kjo ftesë nuk ndërlidhet me zgjedhjet e parakohshme.

“PDK e ka pranuar ftesën e presidentes Osmani për një takim rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve. Sigurisht që ne do t’i përgjigjemi ftesës, e kemi obligim kushtetues dhe ligjor që të marrim në një takim të tillë. Ju e dini mirë që PDK-ja që nga korriku i vitit të kaluar ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, mirëpo ftesa e presidentes Osmani nuk ndërlidhet me inicimin e zgjedhjeve të parakohshme, por me përcaktimin e datës për zgjedhje të rregullta dhe ne do të marrim pjesë aty dhe qëndrimin për këtë çështje dhe datës e preferuar do ta themi aty”, tha Çitaku.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se vendimi do të merret të hënën nga strukturat e partisë.

“Po, kemi pranuar letrën nga Presidentja. Në bazë të kësaj letre, presidentja konsultimet do t’i zhvilloje për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme brenda afatit të rregullt. Nuk shoh ndonjë arsye që Aleanca të mos jetë pjesë e konsultimeve, por sidoqoftë, vendimet për këtë çështje do t’i marrin strukturat e partisë, besoj ditën e hënë, ka thënë Kushtrim Xhemajli, zëdhënës i AAK-së.

Presidentja u ka dërguar një letër liderëve të partive, në të cilën ka shkruar se bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 janar- 16 shkurt 2025.

“Në këtë drejtim, bazuar në kompetencat e mia kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ftoheni në takim konsultativ më 31 korrik 2024, në orën 14:00, në Sallën S301, në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e presidentes drejtuar partive politike./Gazeta Express

 

 

The post Të mërkurën presidentja pret partitë politike në diskutime për zgjedhjet appeared first on Albinfo.