Zelensky viziton rajonin Sumy në kufi me Kursk për herë të parë që nga pushtimi

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vizitoi sot zonën në kufirin verilindor të Ukrainës nga ku forcat ukrainase nisën ofensivën e tyre ndërkufitare në rajonin Kursk të Rusisë, dhe përgëzoi forcat ukrainase për marrjen në kontroll të një tjetër fshati rus. Udhëheqësi ukrainas tha se u takua me komandantin e tij të përgjithshëm Oleksandr Sirsky gjatë vizitës [...]Read More...

Zelensky viziton rajonin Sumy në kufi me Kursk për herë të parë që nga pushtimi

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vizitoi sot zonën në kufirin verilindor të Ukrainës nga ku forcat ukrainase nisën ofensivën e tyre ndërkufitare në rajonin Kursk të Rusisë, dhe përgëzoi forcat ukrainase për marrjen në kontroll të një tjetër fshati rus.

Udhëheqësi ukrainas tha se u takua me komandantin e tij të përgjithshëm Oleksandr Sirsky gjatë vizitës së tij në rajonin Sumy më shumë se dy javë pas bastisjes nga mijëra ushtarë ukrainas në tokën ruse.

“Shkova në zonën kufitare të rajonit Sumy dhe u takova me gjeneralin Sirsky dhe kreun e komandës ushtarake të rajonit Sumy”, tha Zelensky në një postim në Facebook.

Sipas presidentit ukrainas, ushtria ukrainase ka marrë në kontroll një tjetër vendbanim në rajonin e Kursk, duke e çuar numrin e vendbanimeve që Kievi thotë se ka në kontroll në 94.

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Moska do t’i japë një “përgjigje të denjë” pushtimit, të cilin e cilësoi si një sfidë të madhe.

Megjithatë, pavarësisht sulmit në Kursk, ushtria ruse vazhdon të përparojë në frontin lindor dhe ndodhet brenda dhjetë kilometrave nga Pokrovsk, një qendër e rëndësishme logjistike në këtë zonë.

Në këtë kontekst, Zelensky theksoi se ka diskutuar për “masat e marra për të forcuar mbrojtjen” e Pokrovsk, si dhe atë të Toretsk, një tjetër qytet në Ukrainën lindore që rrezikohet të pushtohet nga ushtria ruse.

Ndërkohë, një burim brenda shërbimeve të sigurisë ukrainase (SBU) njoftoi sot për AFP se Ukraina goditi një bazë ajrore ruse në Marinovka, rajoni i Volgogradit, që ndodhet më shumë se 300 kilometra nga kufiri.

/abcnews.al