ZNAM: Kolegët e VLEN-it po tentojnë të kopjojnë BDI-në duke demonstruar fuqi nga pozita e pushtetit

Partnerët e koalicionit qeveritar ZNAM dhe VLEN janë përplasur sërish. Dje, pasi kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, në një dalje televizive tha se vërejtja e Maksim Dimitrievskit për flamurin shqiptar në Qeveri është e papërshtatshme dhe se partia në krye të së cilës është ai vepron si nacionaliste, jo majtiste, sot arriti reagimi nga […]

ZNAM: Kolegët e VLEN-it po tentojnë të kopjojnë BDI-në duke demonstruar fuqi nga pozita e pushtetit
Maksim Dimitrievski. Foto nga profili i tij në Facebook

Partnerët e koalicionit qeveritar ZNAM dhe VLEN janë përplasur sërish. Dje, pasi kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, në një dalje televizive tha se vërejtja e Maksim Dimitrievskit për flamurin shqiptar në Qeveri është e papërshtatshme dhe se partia në krye të së cilës është ai vepron si nacionaliste, jo majtiste, sot arriti reagimi nga ZNAM, transmeton Portalb.mk.

Sipas Lëvizjes ZNAM, e kuptojnë plotësisht sjelljen e kolegëve të “VLEN-it” kur bëhet fjalë për zbatimin e ligjeve në vend, sepse ato janë sjellë nga arbitrariteti i deritanishëm i zyrtarëve të BDI-së, të cilët për shkak të qeverive paraprake të paafta, krijuan imazhin se janë të pazëvendësueshëm dhe se mund të bëjnë gjithçka. Nga aty kanë bërë të ditur se koalicioni “VLEN” po tenton të kopjojë BDI-në dhe të vazhdojë me të njëjtën mënyrë të qeverisjes, duke demonstruar fuqi nga pozita e pushtetit duke shkelur ligjet dhe Kushtetutën e Maqedonisë.

“Duhet të ndalet narrativi nga koalicioni VLEN se Maqedonia është shtet binacional në të cilin jetojnë dy mazhoranca dhe disa pakica, si dhe tendenca për krijimin e kuaziinstitucioneve paralele. Lëvizja ZNAM-Për Maqedoninë tonë gjithmonë do t’i kujtojë partnerët e koalicionit në qeveri se Maqedonia është shtet i popullit maqedonas dhe i të gjithë qytetarëve nga bashkësitë etnike që jetojnë në të, në baza të barabarta me të drejta dhe detyrime të barabarta ndaj shtetit”, thonë nga ZNAM.

Në veçanti, për deklaratën e Mexhitit thonë se ai ka qenë shumë gjatë në radhët e BDI-së dhe se është koha që të largohet nga ajo matricë, edhe pse është e qartë se idhulli i tij është Ali Ahmeti. Shfaqja e flamujve thuhet se është e rregulluar me ligj dhe askush nuk është mbi ligjin, përfshirë edhe zëvendëskryeministrin Mexhiti.

“Duam t’u theksojmë zotërinjve nga VLEN se sa më shpejt të kuptojnë se vendi i tyre është Maqedonia dhe jo Kosova, aq më mirë për ta, përndryshe do të mbarojnë para se të fillojnë, do të zhgënjejnë shumë që presin të jenë ndryshe nga paraardhësit e tyre dhe do të konfirmohet në zgjedhjet e ardhshme lokale. Është multietnicizëm dhe respekt i ndërsjellë që ne nga lëvizja ZNAM e praktikojmë dhe e ushqejmë”, tha ZNAM.

Lidhur me deklaratën e Ali Ahmetit se maqedonasit nuk do të ekzistojnë nëse nuk bashkëpunojnë me shqiptarët, nga partia e Maksim Dimitrievskit thonë se njëri prej bashkëpunëtorëve më të mëdhenj të KOS-it në ish-Jugosllavi nuk duhet të shqetësohet për mbijetesën e popullit maqedonas, por përkundrazi të pastrojë oborrin e tij dhe të partisë nga korrupsioni dhe krimi.

Paraprakisht, koalicioni “LEN” dhe ZNAM u përplasën disa herë publikisht për mënyrën e re të përdorimit të mjetit balancues, si dhe për vendosjen e flamurit shqiptar në ambientet e Qeverisë RMV-së gjatë një mbledhjeje të ministrave të ardhur nga koalicioni VLEN.