Ixhet Memeti pranoi se ka marrë ryshfet dhe është pajtuar me Prokurorinë, një vit dënim me kusht dhe dorëheqje nga Këshilli i Prokurorëve

Anëtari i Këshillit të Prokurorëve Publikë dhe ish-Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, ka pranuar se ka kryer veprën penale të marrjes së shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm, në rastin ku akuzohet edhe gjyqtari suprem, Naqe Georgiev, transmeton Portalb.mk. Memeti ka arritur marrëveshje me Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit me propozimin për […]

Ixhet Memeti pranoi se ka marrë ryshfet dhe është pajtuar me Prokurorinë, një vit dënim me kusht dhe dorëheqje nga Këshilli i Prokurorëve
Ixhet Memeti, foto: Borçe Popovski "Kolektif"

Anëtari i Këshillit të Prokurorëve Publikë dhe ish-Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, ka pranuar se ka kryer veprën penale të marrjes së shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm, në rastin ku akuzohet edhe gjyqtari suprem, Naqe Georgiev, transmeton Portalb.mk.

Memeti ka arritur marrëveshje me Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit me propozimin për dënim me kusht dhe ndalim të ushtrimit të veprimtarisë për tre vitet e ardhshme.

“Me iniciativën e dorëzuar për zgjidhje, i dyshuari I.M. ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsion, dorëheqje të parevokueshme si anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publikë, të cilën ia ka dorëzuar Kuvendit të RMV-së. Palët janë pajtuar që i dyshuari I.M. për veprën e kryer duhet të dënohet me masë alternative-dënim me kusht me burgim prej një viti, i cili nuk realizohet nëse i dyshuari brenda tre vjetëve nuk kryen vepër të re dhe gjykata duhet të shqiptojë edhe Ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës së zyrtarit për një periudhë 3 (tre) vjeçare, për shkak se ka keqpërdorur profesionin, veprimtarinë ose detyrën me qëllim të kryerjes së veprës penale dhe në bazë të natyrës së veprës së kryer dhe rrethanat në të cilat është kryer, mund të pritet që një veprimtari e tillë të keqpërdoret për të kryer sërish vepër penale”, njofton Prokuroria.

Memeti, së bashku me të dyshuarin e parë gjyqtarin suprem Nake Georgiev, dyshohej se kishin premtuar rrejshëm se do të ndikonin dhe do t’i jepnin lehtësim ish-kryetarit të Novosellës, Boro Stojçev, në rastin e kontrabandës së marijuanës.

Gjyqtarit suprem Nake Georgiev i është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh – gjykata konsideron se ai mund ta kryejë apo përsërisë krimin.

Ndryshe, para se t’i caktohet paraburgimi, Këshilli Gjyqësor në një seancë urgjente, ia hoqi imunitetin Georgievit, miratoi kërkesën për paraburgim dhe vendosi largimin e tij nga vendi i punës deri në vlefshmërinë e procedurës kundër tij.