“Aeroporti i Tiranës me rritjen më të shpejtë në Evropë”

“Tirana, është aeroporti me rritjen më të shpejtë në Evropë”, u shpreh Ursula von der Leyen The post “Aeroporti i Tiranës me rritjen më të shpejtë në Evropë” appeared first on Albinfo.

“Aeroporti i Tiranës me rritjen më të shpejtë në Evropë”

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi sot se aeroporti i Tiranës (TIA) ka njohur rritjen më të shpejtë ndër vendet e Evropës.

Në fjalën e saj, në punimet e Forumit Strategjik të Bledit, në Slloveni, Ursula von der Leyen foli për përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.

“Tirana, është aeroporti me rritjen më të shpejtë në Evropë, kompanitë evropiane po vendosen në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë me një hap të shpejtë. Kosova, reformat ekonomike të saj janë lëvduar nga FMN dhe po sjellin përfitime ekonomike, investimet dhe infrastruktura në Maqedoninë e Veriut janë burim frymëzimi. Mali i Zi sapo ka përjetuar rritjen e vlerësimit të kreditimit”, nënvizoi Presidentja e KE-së, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Ne, theksoi ajo, duam një Evropë të fortë, konkurruese e të sigurt.

“Nëse e duam këtë, kjo përfshin Ballkanin Perëndimor, Ukrainën e Moldavinë. Ja pse ne i kemi dhënë jetë të re procesit të zgjerimit, kemi nisur bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kemi nisur bisedimet me Ukrainën e Moldavinë. Bosnjë-Hercegovina mund të jetë tjetra në radhë, dhe dua të falënderoj shprehimisht Slloveninë për punën e pareshtur për këtë. Jeni vërtet mik i mirë i Bosnjë-Hercegovinës”, u shpreh ajo.

Von der Leyen foli për integrim gradual në BE. “Ky ishte arsyetimi strategjik që na shtyu të rikonceptonin strategjinë tone të zgjerimit, të vijmë me idenë e një integrimi gradual. Saktësisht një vit më parë prezantuam planin e ri të rritjes për BP dhe puna ka filluar të tregojë rezultatet e para. Le të ndalemi për një moment dhe të kremtojmë këto arritje për të cilat ju udhëheqësit e BP-së duhet të jeni krenar”, tha Von der Leyen.

Ajo bëri të ditur se deri në fund të vitit tre prej vendeve të BP-së, mund të bëhen pjesë e hapësirës së përbashkët të pagesave. Kjo, theksoi Von der Leyen, mund të çojë në kursim të mbi 500 milionë eurove çdo vit, në momentin që vendet bëhen pjesë.

“Nuk është bërë as një vit që kur kemi formuluar këtë objektiv, tashmë është një realitet që po shfaqet dhe mendoj se duhet të jeni kaq krenarë për këtë”, shtoi presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen.

The post “Aeroporti i Tiranës me rritjen më të shpejtë në Evropë” appeared first on Albinfo.