ANALIZA/ Mosha, “arma” që iu kthye në boomerang Trump-it

Strategët e vërtetë të Donald Trump, e kishin ndërtuar fushatën presidenciale si një betejë të mbijetesës politike midis Trump dhe Biden, dhe jo si një sfidë të bazuar në kapacitetet e tyre qeverisëse. Tërheqja e Biden nuk ishte sigurisht një rrufe në qiell të hapur, por ekipi i Trump-it, i cili e kishte menduar këtë [...]Read More...

ANALIZA/ Mosha, “arma” që iu kthye në boomerang Trump-it

Strategët e vërtetë të Donald Trump, e kishin ndërtuar fushatën presidenciale si një betejë të mbijetesës politike midis Trump dhe Biden, dhe jo si një sfidë të bazuar në kapacitetet e tyre qeverisëse.

Tërheqja e Biden nuk ishte sigurisht një rrufe në qiell të hapur, por ekipi i Trump-it, i cili e kishte menduar këtë mundësi në pranverë, duke filluar të studionte dobësitë e kandidatëve të tjerë të mundshëm demokratë, ishte i bindur se dritarja për ndryshimin e dyshes nga partia demokratike, ishte e destinuar të përfundonte me debatin televiziv të 27 qershorit.

Tani në Mar-a-Lago ata duhet të ribëjnë nga e para një fushatë që ishte optimizuar duke luajtur me pleqërinë e një presidenti demokrat, në vështirësi të dukshme.

Në krahasim me të Trump, jo pa probleme, por më energjik, dukej shumë më i ri. Prandaj, siç vë në dukje edhe Anne Applebaum në The Atlantic, pamë një konventë republikane të fokusuar tërësisht tek forca: nga performanca muskulare e Hulk Hogan deri te energjia e Kid Rock.

“Lufto! Lufto! Lufto!” përsëritej deri në obsesion përballë Trump me grushtin e ngritur, ndërkohë që në ekranet gjigante vërshonin imazhet e reagimit të tij pas atentatit.

Ndikimi i atyre fotografive mbetet, tani është një faqe në historinë amerikane, por, pas tërheqjes së Biden, imazhi i Trump ndryshon: është më i moshuari tashmë.

Një lider që mban fjalime gjithnjë e më të përsëritura, gjithnjë e më të fokusuara tek vetja. Tani që presidenti është tërhequr, është radha e Trumpit që të vihet në shënjestër të kritikave për gafa dhe fraza të pakuptueshme: ndonjëherë ai humbet fillin e fjalimit ose bën komente dukshëm të pakuptimta.

Ndodh prej kohësh, por deri dje në qendër të vëmendjes ishin gafat e Biden-it. Tani zhvendosen tek The Donald dhe gjithçka bën lajm: nga ngatërrimi i emrave, deri tek vështirësia për të lexuar tekstin në teleprompter.

Në një vend që është ende më i freskëti dhe më dinamiku në Perëndim, me një klasë sipërmarrësish relativisht të rinj dhe moshë mesatare në rënie të miliarderëve falë motorit të ekonomisë dixhitale, tërheqja e atij që revista The Economist e kishte quajtur Presidenti Lear (duke iu referuar tragjedisë së mbretit të moshuar shekspirian) është shenja e mbërritjes në një pikë pa kthim, për çmontimin e gerontokracisë që ka dominuar deri tani politikën e kësaj fuqie botërore: jo vetëm Biden dhe Trump, por edhe 83-vjeçarja Pelosi, e cila ia dorëzoi udhëheqjen demokrate të Kongresit Hakeem Jeffries, një 50-vjeçari; Joe Manchin, senatori 76-vjeçar që ka mbajtur prej kohësh nën kontroll të majtën e Sanders-it, i cili nuk kandidon më, ndërsa vetë Bernie tani është vendosur në rolin e “babait fisnik” të liberalëve.

Në të djathtë, ndërkohë, kreu i senatorëve, Mitch McConnell (82 vjeç), ka dalë në fund të rreshtit.

Mbetet vetëm Trump. Fansat e tij, të cilët e adhurojnë, nuk i kushtojnë rëndësi moshës dhe frazave konfuze. Por ato nuk mjaftojnë për të garantuar zgjedhjen e tij. Me Biden, njerëzit e tij e konsideruan të garantuar presidencën. Ata madje parashikuan një fitore dërrmuese me marrjen e mundshme të shteteve deri tani demokrate, nga Minesota në Virxhinia.

Trumpi lejoi “luksin” të zgjidhte një ultra të djathtë si zëvendës, në vend të një figure më të moderuar, e cila do e ndihmonte të merrte vota mes centristëve.

Tani kjo zgjedhje ka filluar të duket si një gabim. Por ai e minimizon: “Harris do të jetë më e lehtë për t’u mundur se Biden, ajo është shumë më radikale se ai”, deklaroi Trump, duke thënë se ishte i gatshëm “të merrte pjesë në më shumë se një debat” me të. /abcnews.al