As propozimi i opozitës e as ai i VV’së, si e pritën krerët e partive caktimin e zgjedhjeve me 9 shkurt

Presidentja Vjosa Osmani ka shpallur dje 9 shkurtin, si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare, që do të jenë të parat që nga shpallja e pavarësisë. Data e caktuar nuk është as propozimi i opozitës, e as partisë në pushtet. Opozita kishte propozuar 26 janarin, e VV 2 shkurtin. Si reaguan krerët e […]

As propozimi i opozitës e as ai i VV’së, si e pritën krerët e partive caktimin e zgjedhjeve me 9 shkurt
as-propozimi-i-opozites-e-as-ai-i-vv’se,-si-e-priten-kreret-e-partive-caktimin-e-zgjedhjeve-me-9-shkurt

as-propozimi-i-opozites-e-as-ai-i-vv’se,-si-e-priten-kreret-e-partive-caktimin-e-zgjedhjeve-me-9-shkurt

Presidentja Vjosa Osmani ka shpallur dje 9 shkurtin, si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare, që do të jenë të parat që nga shpallja e pavarësisë. Data e caktuar nuk është as propozimi i opozitës, e as partisë në pushtet. Opozita kishte propozuar 26 janarin, e VV 2 shkurtin. Si reaguan krerët e partive për këtë?

Zgjedhjet e rregullta për Kuvendin e Kosovës do të mbahen më 9 shkurt 2025. Kështu ka vendosur Presidentja Vjosa Osmani, me Dekretin që ka shpallur dje.

“Udhëzohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, në përputhje me këtë Dekret dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në dekret.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e cilësoi këtë si “shtyrje të panevojshme”. PDK dhe dy partitë tjera opozitare kishin kërkuar që zgjedhjet të mbahen më 26 janar.

Krasniqi tha se kjo datë “do të shënojë ikjen e një qeverie të papëregjegjshme dhe ardhjen e një tjetre, kredibile e të aftë, në krye me Bedri Hamzën”.

Sipas tij, me Bedriun në krye të Qeverisë, Kosova do të rikthehet në rrugën e munguar të zhvillimit, integrimit, partneritetit e miqësisë së mirëfilltë

“Është koha që të bëhemi bashkë edhe një herë për Kosovën që e ëndërrojmë të gjithë”, shkroi Krasniqi.

Vetë Hamza, që është kandidat për kryeministër, tha se 9 shkurti do ta përcaktojë drejtimin e ardhshëm të vendit.

“Kjo është një rrugë që nuk mund ta përshkoj i vetëm. Prandaj, ju ftoj të gjithëve të bashkoheni me mua për ta ndërtuar një Kosovë më të fortë, më të bashkuar dhe më të drejtë. Së bashku mund të bëjmë ndryshimin që kemi pritur. Është koha për të besuar në të ardhmen tonë dhe për t’u angazhuar që 9 shkurti 2025 të jetë dita kur fillon një kapitull i ri për Kosovën”, shkroi Hamza.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, reagoi duke shkruar “Le të bëhemi bashkë!”.

“ Më 9 shkurt, le të ringritemi si një! ✌”, thuhet në postimin e Abdixhikut.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se po vjen koha për ndryshim.

“Aleancë, Nismë, Konservatorë, Intelektualë, Diasporë dhe gjithë ju qytetarë të Kosovës, po vjen koha e ndryshimit. Po vjen koha e bashkimit. Ta rikthejmë Kosovën në mesin e shteteve normale! Drejt fitores me 9 shkurt 2025!”, shkroi Haradinaj.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk ka bërë ende ndonjë reagim.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

Pas shpalljes së datës së zgjedhjeve, këshilltari politik i Osmanit, Bekim Kupina, tha se pas konsultimeve me partitë politike, por edhe me kreun e KQZ-së, 9 shkurti u zgjodh si “datë optimale që balancon preferencat e të gjitha palëve të vështira”.

“Presidenca ka vlerësuar se është me rëndësi që fushata zgjedhore të fillojë pas përfundimit të një sërë festash kalendarike të cilat vazhdojnë deri me datën 7 janar. Për më tepër, presidentja Osmani tashmë ka ftuar BE-në që të dërgojë një mision për vlerësim preliminar, ndërkaq sipas praktikave, do t’i drejtohet sërish BE-së sa i përket misionit vëzhgues, ku do të propozohet që të monitorohet edhe periudha e fushatës, e jo vetëm dita e zgjedhjeve”, shkroi Kupina në Facebook.

Sipas tij, Osmani do të kërkojë që të monitorohet aspketi i barazisë gjinore gjatë fushatës, por edhe gjatë ditës së zgjedhjeve.

“Presidentja, së shpejti, do t`i ftojë të gjitha partitë politike që ta nënshkruajnë një listë zotimesh të përbashkëta, me të cilat shprehet përkushtimi i tyre për t`i ruajtur standardet më të larta në këtë proces zgjedhor”, tha Kupina.