Avokatët e akredituar të Speciales: Calit mund t’i ulet dënimi me burgim

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar në vitin 2022 nga Gjykata Speciale, me seli në Hagë, me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë. Ndërsa një vit më vonë, në dhjetor të 2023-tes, dhomat e specializuara në Hagë patën njoftuar se paneli i Apelit ka vendosur që […]

Avokatët e akredituar të Speciales: Calit mund t’i ulet dënimi me burgim
avokatet-e-akredituar-te-speciales:-calit-mund-t’i-ulet-denimi-me-burgim

avokatet-e-akredituar-te-speciales:-calit-mund-t’i-ulet-denimi-me-burgim

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar në vitin 2022 nga Gjykata Speciale, me seli në Hagë, me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.
Ndërsa një vit më vonë, në dhjetor të 2023-tes, dhomat e specializuara në Hagë patën njoftuar se paneli i Apelit ka vendosur që Mustafës t’ia ul dënimin nga 26 në 22 vite burgim.
Një instancë tjetër, Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës, ka anuluar vendimin për dënimin e ‘Calit’.

Pas këtij vendimi, avokatët e akredituar nga Gjykata Speciale presin që dënimin ndaj Mustafës të ulet edhe më shumë.

Avokati Qerkini: Salih Mustafës mund t’i zbritet dënimi deri në 5 vite burgim, minimumi i lejuar me Ligj

Avokati Artan Qerkini në një prononcim për Front Online ka deklaruar se dënimi i Mustafës mund të ulet deri në pesë vite burgim.

Qerkini thotë se duke marrë parasysh vërejtjet e Supremes, ku janë gjetur shkelje duhet të ketë ulje të dënimit.

“Ka gjasa që dënimi me burg i shqiptuar ndaj Mustafës të ulet, e sidomos nëse merren parasysh vërejtjet e Gjykatës Supreme të Speciales, e cila ka gjetur shkelje të dispozitave ligjore në matjen e dënimit. Dënimi mund të ulët deri në minimumin e lejuar me Ligj, i cili në rastin konkret është 5 vite burgim”, u shpreh Qerkini për FrontOnline.

Sipas Qerkinit, ky hap do të ketë një ndikim edhe tek të akuzuarit e dënuarit tjerë atje.

“Gjykata Supreme në rastin e Mustafës ka përcaktuar se maksimumi i dënimit me burgim është 25 vite dhe se kjo kohëzgjatje nuk mund të tejkalohet dhe gjithnjë duhet të merret parasysh si tavani i epërm me rastin e matjes së dënimeve në të gjitha rastet pranë dhomave të specializuara”, deklaroi Qerkini.

Avokatja Gashi-Bytyqi: Ka shumë gjasa që t’i ulet dënimi Salih Mustafës

Avokatja tjetër e akredituar nga Gjykata Speciale, Fehmije Gashi-Bytyqi ka potencuar për Front Online se ka shumë gjasa që t’i ulet dënimi Salih Mustafës.

Gashi-Bytyqi thotë se kur të akuzuarit dënohet me dënime të larta, Ligji e lejon që të shqyrtohen ato.

Ajo deklaron se ky vendim për Mustafën mund të ndikojë edhe tek të akuzuarit e dënuarit e tjerë në Hagë.

“Ka shumë gjasa që t’i ulet dënimi për ata duhet të analizohet edhe një herë vendimi. Kur të jepen këto vendime kaq të mëdha, ligji lejon të shqyrtohen. Shpresoj që t’i ulet, apo t’i kthehet lënda në rigjykim  që të ketë arsyeshmëri të madhe vendimi me të cilin ju ka dhënë. Ky vendim mund të ketë ndikim edhe të tjerët”, u shpreh ajo.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.

Gjykata e ka selinë në Hagë të Holandës, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara (emri zyrtar i Gjykatës Speciale), vuajtja e dënimit me burgim bëhet në njërin shtet që Kryetari i Dhomave të Specializuara e cakton nga mesi i atyre shteteve që kanë treguar gatishmëri për t’i pranuar personat e dënuar.

“Transferimi i personit të dënuar në atë shtet bëhet sa më shpejt që të jetë e mundshme pasi të ketë kaluar afati për dorëzimin e një apeli, apo pasi vendimi i dënimit të ketë marrë formë të prerë. Deri në finalizimin e përgatitjeve prej Administratorit për transferimin në shtetin ku do të kryhet dënimi, i dënuari mbahet në paraburgimin e Dhomave të Specializuara”, thuhet në Rregulloren e procedurës dhe provave të këtij institucioni.