Hetim dhe paraburgim për një 31 vjeçar nga Shkupi, dyshohet për tentim për përdhunim

Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetuese ndaj personit për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer vepër penale sulm seksual dhe dhunim nga neni 186 paragrafi 1 lidhur me nenin 19 (në tentativë ) të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk. “Më 5 shtator, 31-vjeçari ka sulmuar një grua […]

Hetim dhe paraburgim për një 31 vjeçar nga Shkupi, dyshohet për tentim për përdhunim
Abuzim. Foto: Diodam10 në Canva

Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetuese ndaj personit për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer vepër penale sulm seksual dhe dhunim nga neni 186 paragrafi 1 lidhur me nenin 19 (në tentativë ) të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

“Më 5 shtator, 31-vjeçari ka sulmuar një grua në Kisella Vodë dhe në kundërshtim me vullnetin e saj të shprehur qartë, ka tentuar qëllimisht të kryejë akte seksuale ndaj saj. Viktima ka qenë duke ecur në drejtim të shtëpisë së saj dhe pasi ka kaluar në vendkalimin për këmbësorë në bulevardin “Boris Trajkovski” afër komunës Kisella Boda, i dyshuari e ka kapur me të dyja duart dhe ka tentuar ta tërheqë zvarrë në një rrugë anësore. Ai e shtyu dhe tentoi ta sulmonte seksualisht. Gruaja vazhdonte të bërtiste, të kërkonte ndihmë dhe përpiqej të çlirohej, ndërsa kur njerëzit filluan të mblidheshin, i dyshuari e la të ikte pa e arritur qëllimin e tij”, thonë nga Prokuroria.

Prokurori publik kompetent i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin, me të cilin ka deklaruar se ekziston rreziku që ai të ikë, të pengojë procedurën penale ose të përfundojë tentativën e veprës penale. Gjykata themelore penale e Shkupit e ka pranuar propozimin dhe të dyshuarit i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Kujtojmë se rasti i fundit që Prokuroria Themelore Publike në Shkup inicoi procedurë, ishte më 24 gusht, kundër një 58-vjeçari nga Shkupi i cili dyshohet se ka kryer akte të tjera seksuale ndaj një të mituri të lindur në vitin 2008, me çka ka kryer vepër penale nga neni 186 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 2 dhe paragrafi 1 i Kodit Penal.