Koalicioni VLEN filloi procedurë për formimin e Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve në Maqedoni

Koalicioni VLEN, që është pjesë e Qeverisë, njoftoi se ka filluar procedurë për formimin e Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve në Maqedoninë e Veriut. Lideri i koalicionit, Arben Taravari publikoi në Facebook se, mbledhja e parë për këtë temë është mbajtur në Tetovë, por selia e akademisë do të jetë në Shkup, transmeton Portalb.mk. […]

Koalicioni VLEN filloi procedurë për formimin e Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve në Maqedoni
Takimi i parë i nismës për formimin e Akademisë Shqiptare të Shkencave në RMV/FOTO: Koalicioni VLEN

Koalicioni VLEN, që është pjesë e Qeverisë, njoftoi se ka filluar procedurë për formimin e Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve në Maqedoninë e Veriut. Lideri i koalicionit, Arben Taravari publikoi në Facebook se, mbledhja e parë për këtë temë është mbajtur në Tetovë, por selia e akademisë do të jetë në Shkup, transmeton Portalb.mk.

“Themelimi dhe sidomos zyrtarizimi i Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve është një nga iniciativat më të mira të VLEN-it. Sot u mblodhëm në Tetovë për këtë gjë, dhe ndjehem veçanërisht krenar. Ne jemi një nga popujt më të vjetër në mos më i vjetri në Ballkan dhe në ADN-në tonë gjendet inteligjenca dhe qytetërimi i një kulture të lashtë”, ka shkruar Taravari në Facebook.

Nga VLEN thonë se, akademia do të jetë institucion, që do të përkushtohet plotësisht ndaj shkencës dhe artit dhe  do të shërbejë si një qendër e rëndësishme për zhvillimin e hulumtimeve shkencore, avancimin e arteve dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare.

“Ne jemi të bindur se krijimi i kësaj platforme do tëofrojë mundësi të reja për studiuesit, artistët dhe intelektualët shqiptarë, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe krijimtarisë shkencore në vendin tonë. Kjo nismë synon të krijojë një ambient ku dijetarët dhe artistët mund të ndajnë njohuritë dhe talentet e tyre, duke nxitur një kulturë të re të ekselencës dhe inovacionit. Jemi krenarë që premtimi ynë për formimin e Akademisë së Shqiptarëve për Shkencë dhe Art po bëhet realitet. E shohim këtë si një hap të rëndësishëm drejt përparimit intelektual dhe kulturor të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut. Kjo Akademi do të fokusohet ekskluzivisht në shkencë dhe art, pa përfshirje politike”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.