Masud Pezeshkian betohet si president i ri i Iranit

Masud Pezeshkian u betua si president i ri i Iranit në Parlament të martën, pasi i fitoi zgjedhjet e parakohshme presidenciale në fillim të këtij muaji. Ai e gjen një ekonomi të dobësuar nga keqmenaxhimi dhe sanksionet dhe një shoqëri e cila ka dëshmuar se do të dalë në rrugë për t’i kërkuar liritë e [...]Read More...

Masud Pezeshkian betohet si president i ri i Iranit

Masud Pezeshkian u betua si president i ri i Iranit në Parlament të martën, pasi i fitoi zgjedhjet e parakohshme presidenciale në fillim të këtij muaji. Ai e gjen një ekonomi të dobësuar nga keqmenaxhimi dhe sanksionet dhe një shoqëri e cila ka dëshmuar se do të dalë në rrugë për t’i kërkuar liritë e veta themelore.

“Unë, si president, përballë kuranit të shenjtë dhe popullit të Iranit, betohem në Zotin e madhërishëm, se do të jem gardian i fesë zyrtare dhe sistemit të Republikës Islamike dhe i Kushtetutës së vendit”, Pezeshkian tha gjatë ceremonisë së betimit, që u transmetua drejtpërdrejt në televizionin shtetëror.

Më 28 korrik, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, e mbështeti formalisht Pezeshkianin dhe e udhëzoi të përqendrohet në kultivimin e marrëdhënieve me fqinjët e Iranit, në vend se me vendet e Perëndimit, pasi presidenti i ri u shpreh i hapur për të biseduar me Perëndimin.

Reformisti i moderuar Pezeshkian, ish-kirurg, e mposhti kundërshtarin e tij untranacionalist, Saeed Jalili, në balotazhin e 5 korrikut, duke i fituar gati 54 për qind të votave. Jalili i fitoi pak më shumë se 44 për qind të votave.

Zgjedhjet e parakohshme u thirrën pas vdekjes së presidentit të linjës së ashpër, Ebrahim Raisi, nga rrëzimi i helikopterit në muajin maj. Rundi i parë i votimit më 28 qershor pati pjesëmarrje votuesish prej 39 për qind – dalja më e ulët në zgjedhjet presidenciale në historinë e Republikës Islamike.

Teokracia e Iranit, e instaluar pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, ka pohuar vazhdimisht se ligjshmëria e saj buron nga mbështetja e fortë popullore që përkthehet në pjesëmarrje të lartë të votuesve, por pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet e fundit dhe protestat vdekjeprurëse kundër pushtetit kanë sfiduar legjitimitetin e lidershipit të tanishëm.

Në balotazhin e 5 korrikut u rrit pjesëmarrja në rreth 49 për qind.

Ceremonia e inaugurimit u ndoq nga zyrtarë të lartë nga vende si Armenia, Taxhikistani, Azerbajxhani, Egjipti, Sudani, Iraku, Turqia, Arabia Saudite, Kuba dhe Brazili. I dërguari i Bashkimit Evropian, Enrique Mora, mori pjesë gjithashtu.

Aleatët rajonalë të mbështetur nga Irani ishin gjithashtu në Teheran, si lideri i Hamasit, Ismail Haniyeh dhe kreu i Xhihadit Islamik Palestinez, Ziyad al-Nakhalah. Të dy grupet janë cilësuar si organizata terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Hezbollahu i Libanit dhe rebelët huthi të Jemenit dërguan gjithashtu përfaqësues./REL/