Ministrja paralajmëroi rritje të pagave të mësimdhënësve për 12 përqind nga viti i ardhshëm në RMV

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, bëri të ditur se arsimtarët nga marsi i vitit të ardhshëm do të kenë rritje të pagave prej 12 përqind. Ajo tha se ka pasur dy takime konstruktive me Sindikatën për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SAShK) dhe se është rënë dakord që pagat të rriten sipas mënyrës se […]

Ministrja paralajmëroi rritje të pagave të mësimdhënësve për 12 përqind nga viti i ardhshëm në RMV
Ministrja e Arsimit Vesna Janevska. Foto: MASh

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, bëri të ditur se arsimtarët nga marsi i vitit të ardhshëm do të kenë rritje të pagave prej 12 përqind. Ajo tha se ka pasur dy takime konstruktive me Sindikatën për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SAShK) dhe se është rënë dakord që pagat të rriten sipas mënyrës se si do të lëvizë bruto-produkti vendor dhe Marrëveshjes Kolektive, transmeton Portalb.mk.

Ajo tha se është e kënaqur që SASHK-u dhe mësimdhënësit kanë treguar mirëkuptim të madh që Ministria këtë vit nuk do të ketë mjete të mjaftueshme në buxhet që rritja të ndodhë më herët.

“Janë bërë bisedime serioze në Qeveri dhe me ministrin e Financave dhe në mars të vitit të ardhshëm do të kenë një rritje prej 10-12 përqind, varësisht se si ecën PBB-ja dhe sipas marrëveshjes kolektive. Mendoj se do të jetë rritje e pagave prej 12 përqind”, tha Janevska.

Ministrja tha gjithashtu se sipas sondazheve të kryera, shumica e prindërve, por edhe e grupeve më të rritura të nxënësve janë përgjigjur se në vitin e ri shkollor nuk duan të kenë pushim pranveror si vitin e kaluar dhe se Ministria është duke menduar aktualisht që të mos prezantojë ndonjë pushim tjetër të shkurtër për nxënësit.

“Nëse mendojnë se një pushim i tillë pranveror nuk u përgjigjet as fëmijëve dhe as prindërve, fëmijët humbasin vazhdimësinë, prindërit nuk kanë ku t’i lënë fëmijët më të vegjël, nuk përkon me festa të caktuara që t’i përdorin së bashku, mendojnë se është më shumë komplikim sesa përfitim dhe në atë drejtim vendosëm që këtë vit viti shkollor të zgjasë nga 2 shtatori deri më 10 qershor për të gjithë, përveç maturantëve”, përfundoi Janevska.

Ndryshe, rroga mesatare mujore në maj ka qenë 41,252 denarë neto, ndërsa ajo bruto 62,032 denarë.