“Musk, fushatë për Trump”/ Minxhozi: Jo e rastësishme, Kamala Harris ka vënë në vështirësi republikanët

Analisti Skënder Minxhozi thotë se biseda që Elon Musk bëri me Donald Trump në platformën X, ku miliarderi lavdëroi kandidatin republikan për president të SHBA, nuk ishte e rastësishme. Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Minxhozi u shpreh se Musk po bën fushatë për Trump, në një moment krize për këtë të fundit, [...]Read More...

“Musk, fushatë për Trump”/ Minxhozi: Jo e rastësishme, Kamala Harris ka vënë në vështirësi republikanët

Analisti Skënder Minxhozi thotë se biseda që Elon Musk bëri me Donald Trump në platformën X, ku miliarderi lavdëroi kandidatin republikan për president të SHBA, nuk ishte e rastësishme.

Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Minxhozi u shpreh se Musk po bën fushatë për Trump, në një moment krize për këtë të fundit, pasi zëvendëspresidentja Kamala Harris, e cila pritet të shpallet zyrtarisht kandidate e demokratëve, kryeson në sondazhe.

Minxhozi shtoi se Harris ka vënë në vështirësi republikanët.

“Mbrëmë, dukej sikur po diskutonin me njëri-tjetrin, një kandidat për president me një kandidat për zëvendëspresident. Elon Musk, përtej të qënit një miliarder i cili ka një shqetësim real për ndryshimet klimatike, pasi është promotori numër një në botë sot i makinës elektrike, por ka edhe një set idesh konservatore, të cilat i shpalosi edhe përballë Trump. Dhe që ai nuk e ka fshehur fare se në këtë garë elektorale është hapur me ish presidentin Trump, se është kundër një kandidateje të cilën e quan komuniste si Kamala Harris. Duhet thënë se me Biden dhe me administratën e tij nuk ka pasur marrëdhënie të mira, gjatë 4 viteve të drejtimit të Shtëpisë së Bardhë nga Joe Biden. Është një faktor që jo rastësisht hyri në fushatë tani në favor të Donald Trump. Kamala Harris, ka krijuar që nga largimi i Joe Biden, pas debatit shkatërrimtar të 27 qershorit, ka krijuar një ngritje të befasishme në sondazhe, që shkojnë nga 5 deri në 8 pikë përqindje, jo vetëm në rang kombëtar, ku nga -3 që e la Joe Biden, ajo ndodhet mes 2 dhe 4 në avantazh, në raport me Trump, por më e rëndësishme akoma, sepse sistemi elektoral në Amrikë nuk merr për bazë votën popullore, por merr për bazë elektorët që zgjidhen nga çdo shtet, është e rëndësishme gara në çdo shtet. Pra, futja e Elon Musk erdhi në një moment krize të dukshme për Donald Trump, në një moment kur ai dhe kampi i tij ndihen keq përballë një fryme të qartë popullore që shtyhet në drejtim të demokratëve, që shtyhet nga gratë dhe gjenerata e 18-29 vjeçarëve, që voton shumë pak zakonisht në Amerikë, por kësaj radhe duket pjesërisht e frymëzuar në këtë moment. Gara është krejtësisht atipike, nuk ka ardhur ende një nominim zyrtar për Kamala Harris. Ajo ndodhet në një pozitë që ka vënë në vështirësi të madhe kampin republikan, por i ka kthyer një entuziazëm dhe një shpresë të papritur demokratëve, që ishin praktikisht të dorëzuar përballë sëmundjes dhe degradimit fizik të dukshëm të presidentit të tyre Joe Biden”, theksoi ai./abcnews.al