Mustafi: Nëse nuk plotësohen kërkesat tona do të organizohen protesta të reja në Luginë

Në një protestë që u mbajt dje në Bujanoc , qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës kërkuan zgjidhjen e krizës arsimore dhe kulturore që kanë përjetuar për një periudhë të gjatë. Protestuesit u ankuan për mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, veçanërisht në lëndët e Historisë dhe Gjeografisë nga Serbia, dhe theksuan se programet […]

Mustafi: Nëse nuk plotësohen kërkesat tona do të organizohen protesta të reja në Luginë
mustafi:-nese-nuk-plotesohen-kerkesat-tona-do-te-organizohen-protesta-te-reja-ne-lugine

mustafi:-nese-nuk-plotesohen-kerkesat-tona-do-te-organizohen-protesta-te-reja-ne-lugine

Në një protestë që u mbajt dje në Bujanoc , qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës kërkuan zgjidhjen e krizës arsimore dhe kulturore që kanë përjetuar për një periudhë të gjatë. Protestuesit u ankuan për mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, veçanërisht në lëndët e Historisë dhe Gjeografisë nga Serbia, dhe theksuan se programet e reformuara nuk kanë përfshirë libra për shkollat e mesme që përdorin këtë gjuhë.

Ragmi Mustafi, ish-kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, ka shprehur shqetësimin e tij mbi situatën alarmante që po përjetojnë shqiptarët në këtë rajon. Në një deklaratë të bërë sot për FrontOnline ai tha se tekstet shkollore të Historisë dhe Gjeografisë nga Serbia nuk janë lejuar ende dhe se programet e reformuara nuk përfshijnë libra shkollorë në gjuhën shqipe për shkollat e mesme.

Mustafi, i cili njëherit është edhe këshilltar politik i zv/kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, theksoi se mungesa e këtyre teksteve ka një ndikim tejet negativ në arsimin dhe kulturën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke penguar zhvillimin e një arsimi cilësor dhe të barabartë për nxënësit shqiptarë dhe duke cenuar identitetin e tyre kulturor dhe gjuhësor.

Ai tha se kjo mungesë ndikon në ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës kombëtare të shqiptarëve, duke bërë që fëmijët të humbin lidhjet me rrënjët e tyre etnike.

“Sot ende nuk lejohen tekstet e Historisë dhe Gjeografisë nga Serbia e madje me programet e reformuara nuk ka asnjë libër shkollor për shkollat e mesme me mësim në gjuhën shqipe. Mungesa e teksteve shkollore në gjuhën shqipe ka një ndikim tejet negativ në arsimin dhe kulturën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kjo mungesë pengon zhvillimin e arsimimit cilësor dhe të barabartë për nxënësit shqiptarë, duke krijuar një disavantazh krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre. Përveç aspektit arsimor, kjo mungesë cenon identitetin kulturor dhe gjuhësor të shqiptarëve, duke ndikuar në dobësimin e lidhjeve me traditat dhe historinë kombëtare. Kur fëmijët nuk kanë qasje në mësime në gjuhën e tyre amtare, ata humbin mundësinë për të ruajtur dhe zhvilluar kulturën e tyre kombëtare, duke e bërë më të vështirë për ta të ndihen të lidhur me rrënjët e tyre etnike”, tha Mustafi.

Në reagimin e tij, Mustafi kërkoi një sërë masash konkrete për të adresuar këtë diskriminim, përfshirë respektimin e plotë të Marrëveshjeve Politike të nënshkruara, ndalimin e pasivizimit të adresave të shqiptarëve, njohjen e Diplomave të rinjve shqiptarë nga Universitetet e Kosovës, integrimin e drejtë të kuadrove shqiptare në organet shtetërore dhe demilitarizimin e Luginës së Preshevës.

Ai gjithashtu kërkoi ndalimin e përdorimit të gjuhës së urrejtjes nga përfaqësuesit institucionalë dhe zgjidhjen e përdorimit zyrtar të simbolit kombëtar

“Protestuesit kërkojnë një sërë masash konkrete për të adresuar diskriminimin ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përfshirë: Respektimin e plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjeve politike të nënshkruara me Qeveritë Republikane dhe përfaqësuesve legjitim shqiptarë, si Plani dhe programi për zgjidhjen e krizës në Komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës , Marrëveshja e Konçulit nga viti 2001; Marrëveshja mbi parimet e riorganizimit të Trupit Koordinues për Komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë e vitit 2009; dhe Platforma për masat urgjente për afirmimin e të drejtave të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës – e njohur si Plani 7 pikësh i vitit 2013, • Ndërprerjen e menjëhershme të procesit selektiv dhe etnikisht të motivuar të pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe kthimin e adresave të të gjithë qytetarëve të pasivizuar; • Njohjen e menjëhershme të Diplomave të të rinjve shqiptarë të arritura nëpër Universitetet e Republikës së Kosovës, komfor Marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel dhe Washington; • Integrimin e plotë e proporcional, të drejtë e të pakushtëzuar të kuadrove shqiptare në organet shtetërore dhe institucionet tjera republikane; • Demilitarizimin e plotë të Luginës së Preshevës dhe respektimin e amnistisë të ish ushtarëve të UÇPMB-së. • Ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të gjuhës së urrejtjes nga përfaqësuesit institucional të shtetit kundrejt popullit shqiptarë të Luginës së Preshevës; • Zgjidhjen sa më të shpejtë të përdorimit zyrtarë të simbolit kombëtarë; • Përfshirjen e kërkesave legjitime të shqiptarëve të Luginës si pjesë të Marrëveshjes përfundimtare e gjithëpërfshirëse në mes Kosovës dhe Serbisë; “ u shpreh Mustafi.

Mustafi: Nëse nuk përmbushën kërkesat e protestuesve do ketë organizimi të reja

 

Ragmi Mustafi, ish-kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës nënvizoi se protestuesit janë të gatshëm të vazhdojnë me aktivitete të tjera nëse kërkesat e tyre nuk përmbushen, duke përfshirë organizimin e protestave të reja dhe përshkallëzimin e veprimeve deri në padëgjushmërinë qytetare.

Ai e vlerësoi heshtjen ndërkombëtare mbi këtë çështje si zhgënjyese dhe e pakuptueshme, duke bërë thirrje për veprim të menjëhershëm për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Këshilli organizativ i protestës do të shqyrtojë mundësitë për hapat e ardhshëm në përpjekjet e tyre për drejtësi.

“Protestuesit janë të vendosur të vazhdojnë me aktivitete të tjera nëse kërkesat e tyre nuk përmbushen. Qytetarët janë të gatshëm të mobilizohen dhe të organizojnë protesta të reja për të mbrojtur të drejtat e tyre, duke përfshirë edhe përshkallëzimin e protestave deri në padëgjushmërinë qytetare, në mënyrë që të dëgjohet dhe të merren masa konkrete për të ndalur diskriminimin. Heshtja është zhgënjyese dhe e pakuptueshme qoftë edhe nga ndërkombëtarët. Ndërkohë që në shumë raste të tjera të drejtat e njeriut mbrohen me forcë, çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk guxon të kaloj në heshtje. Sigurisht këshilli organizativ i protestës do të shqyrtoj mundësitë për ndërmarrë hapat e radhës”, deklaroi Mustafi. /FrontOnline/