Nikolloski: Pas akuzave për ryshfet, i tërhoqëm anëtarët nga komisioni i vlerësimit për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë

Anëtarët, përfaqësues të Ministrisë së Transportit dhe NP “Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura” janë tërhequr nga komisionet e vlerësimit, që duhet të bëjnë përzgjedhjen e mbikëqyrësit dhe përzgjedhjen e kontraktorit për ndërtimin e fazës së tretë të pjesës për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë. Kështu u përgjigj sot ministri i transportit, Aleksandar Nikolloski, në pyetjen […]

Nikolloski: Pas akuzave për ryshfet, i tërhoqëm anëtarët nga komisioni i vlerësimit për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë
Hekurudhat e Maqedonisë së Veriut. Foto nga Faton Curri - Portalb.mk

Anëtarët, përfaqësues të Ministrisë së Transportit dhe NP “Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura” janë tërhequr nga komisionet e vlerësimit, që duhet të bëjnë përzgjedhjen e mbikëqyrësit dhe përzgjedhjen e kontraktorit për ndërtimin e fazës së tretë të pjesës për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë. Kështu u përgjigj sot ministri i transportit, Aleksandar Nikolloski, në pyetjen e gazetarit për ecurinë e procedurës për përzgjedhjen e kontraktorit për fazën e tretë të hekurudhës drejt Bullgarisë, duke theksuar se një vendim i tillë është marrë pas pretendimeve të kryeministrit Hristijan Mickoski se ka qenë viktimë e një tentative për ryshfet për ta mbështetur projektin, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

“Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë, pjesë e Korridorit 8, por për ta bërë këtë duhet të kemi një projekt që është i realizueshëm, që mund të ndërtohet në terren, një projekt që mund të përfundohet, një projekt për të cilin do të ketë një marrëveshje të përbashkët me Republikën e Bullgarisë, jo një projekt që përfundon në një tunel dhe nuk do kalon në anën tjetër”, tha ai.

Ai tha se tashmë kanë biseduar me përfaqësues të BE-së, si dhe me përfaqësues të Bankës Evropiane për Investime dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dy banka që mundësojnë kredi për ndërtimin e infrastrukturës dhe se pret një bashkëpunim të përbashkët.

“Pres që me një bashkëpunim të përbashkët mes qeverisë së Maqedonisë dhe asaj të Bullgarisë dhe në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe me përfaqësuesit e bankave, të zhvillojmë një projekt, i cili do të nënkuptojë ndërtimin e një hekurudhe, e jo mosndërtimin e një hekurudhe drejt Bullgarisë. Projektin që e kemi për momentin nuk është real, nuk është i realizueshëm dhe nuk mund të përfundojë, sepse është një punë shumë e madhe ndërtimore, në një pjesë të hekurudhës të gjatë vetëm 23 kilometra duhet të ndërtohen 22 tunele dhe 56 ura. Pastaj kushton shumë, vlera e përllogaritur është diku rreth 20 milionë euro për kilometër dhe e treta, nga ana e Bullgarisë nuk kanë përfunduar punimet, sepse përfundon në një tunel që nuk shkon askund”, tha Nikolloski.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari nëse edhe ai, ashtu si kryeministri Hristijan Mickoski, ka qenë viktimë ryshfeti për ta mbështetur këtë projekt, Nikolloski theksoi se publiku është aleati më i madh në luftën kundër korrupsionit dhe se ato oferta ryshfeti nuk bëhen publikisht, por bëhen nëpërmjet kanaleve të caktuara.

“Pikërisht pas zbulimit publik nga ana e kryeministrit të tentativës për korrupsion ne vendosëm t’i tërhiqnim anëtarët që janë pjesë e ekipeve të vlerësimit si nga pjesa e mbikëqyrjes edhe ashtu edhe nga pjesa e realizimit të punimeve, sepse kjo është më e pakta që mund të bëjmë, që të gjithë ata që tentojnë të bëjnë ryshfet ta kuptojnë se me ne nuk mund të luajnë”, tha ministri i Transportit.

Sipas tij, në këtë thirrje kanë aplikuar shtatë pjesëmarrës, shumica e të cilëve janë joseriozë, por nuk ka aplikuar asnjë pjesëmarrës nga një shtet anëtar serioz i BE-së.

“Mendoj se kjo tregon gjithçka për sa i përket kompanive që marrin pjesë. Ato kompani mendojnë se nëpërmjet ndërmjetësve të tyre mund të tentojnë të më korruptojnë mua, kryeministrin, ndoshta edhe anëtarët e komisionit të vlerësimit etj. Ne jemi serioz, prandaj po e ndërpresim procedurën me atë që tani i tërheqim anëtarët. Në të ardhmen, në bashkëpunim me BE-në, me Bullgarinë dhe me bankat, ne duam të zhvillojmë një projekt serioz që do të jetë i realizueshëm, të kemi garanci të qarta nga Bullgaria se projekti do të ndërtohet edhe në anën e tyre dhe se ai projekt do të të jetë pa asnjë dyshim për korrupsion”, tha ai.

Kryeministri Hristijan Mickoski para dy ditësh tregoi se i është ofruar ryshfet për nënshkrimin e tenderit për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë në vlerë prej 560 milionë euro.

“Isha viktimë e një tentative për ryshfet në lidhje me atë projekt. Unë thashë ashtu siç është tani unë nuk do ta mbështes kurrë. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për paratë e taksapaguesve në Maqedoni, por edhe të atyre evropianë. Për sa kohë që unë jam kryeministër, kjo nuk ka për të ndodhur”, tha ai.

Në pyetjen se kush i ka ofruar ryshfet në lidhje me Korridorin 8, Mickoski nuk precizoi se kush qëndron pas ryshfetit, por tha se kjo nuk bëhet publikisht, por përmes kanaleve të tjera të komunikimit.

“Ja, po them se për Korridorin 8, seksioni 3 për hekurudhën, kishte tentativë për të më ofruar ryshfet, që unë si kryetar i qeverisë të firmosja pranimin e këtij dokumentacioni të tenderit që përfundon më 17 shtator. Por për aq kohë sa unë jam kryetar i Qeverisë nuk do ta pranoj këtë tender për arsye teknike, por edhe morale. Koha e këtij lloj komunikimi me kryeministrin ka marrë fund. Ndoshta me disa të tjerë ka qenë kështu, por me këtë jo”, tha Mickoski.

Deri më tani Nikolloski disa herë i ka theksuar mangësitë e trasesë së tretë të hekurudhës nga Kriva Pallanka drejt Bullgarisë, pra se traseja përfundon në një tunel, i cili nuk të çon askund në anën tjetër dhe se projekti parashikon ndërtimin e 22 tuneleve në vetëm 24 kilometra hekurudhë, për të cilën ai beson se asnjë kontraktues nuk do të mund ta realizojë në një periudhë katërvjeçare.

Kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministri i transportit dhe lidhjeve Aleksandar Nikolloski para pak kohësh deklaruan se do të kërkohet ridedikimi i mjeteve sepse hekurudha përfundon në qorrsokak, pasi pala bullgare nuk ka projekt për vazhdimin e hekurudhës deri në Sofje.

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2023 në faqen e internetit të BE-së është publikuar tenderi për fazën e tretë të ndërtimit të hekurudhës nga Kumanova deri në kufi me Bullgarinë (Deve Bair), si pjesë e Korridorit 8. Bëhet fjalë për seksionin e tretë nga Kriva Pallanka deri në kufirin me Bullgarinë, ndërsa ndërtimi i dy pjesëve të mbetura nga Kumanova në Beljakovc dhe nga Beljakovca në Kriva Pallankë është ende në proces.

Deri më tani nuk ka asnjë projekt tjetër në Maqedoninë e Veriut që të ketë marrë fonde kaq të mëdha nga BE-ja për zbatimin e tij. Por, së bashku me fondet, vazhdimisht ka kritika nga autoritetet evropiane për shpejtësinë e realizimit të hekurudhës drejt Bullgarisë. Me ardhjen e kryeministrit Hristijan Mickoski, është paraqitur ideja për ridedikimin e këtyre mjeteve për ndërtimin e hekurudhës me Selanikun.