Përfshihet nga zjarri zona turistike e Prevallës, mungesa e ujit dhe terreni i vështirë pengojnë përpjekjet e zjarrfikësve

Zjarri që ka shpërthyer në zonën turistike të Prevallës vazhdon të jetë aktiv, duke shkaktuar shqetësime për përhapjen e tij në fshatrat e tjera të Prizrenit. Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) ka bërë të ditur se situata po monitorohet nga stafi i Parkut Kombëtar “Sharri” dhe një ekip zjarrfikësish, të cilët janë […]

Përfshihet nga zjarri zona turistike e Prevallës, mungesa e ujit dhe terreni i vështirë pengojnë përpjekjet e zjarrfikësve
perfshihet-nga-zjarri-zona-turistike-e-prevalles,-mungesa-e-ujit-dhe-terreni-i-veshtire-pengojne-perpjekjet-e-zjarrfikesve

perfshihet-nga-zjarri-zona-turistike-e-prevalles,-mungesa-e-ujit-dhe-terreni-i-veshtire-pengojne-perpjekjet-e-zjarrfikesve

Zjarri që ka shpërthyer në zonën turistike të Prevallës vazhdon të jetë aktiv, duke shkaktuar shqetësime për përhapjen e tij në fshatrat e tjera të Prizrenit.

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) ka bërë të ditur se situata po monitorohet nga stafi i Parkut Kombëtar “Sharri” dhe një ekip zjarrfikësish, të cilët janë të angazhuar për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.

Zjarri është përhapur në drejtim të fshatit turistik të Prevallës, veçanërisht për shkak të erërave të fuqishme që janë shfaqur gjatë pasdites.

Kjo ka krijuar një situatë tepër të rrezikshme, e cila është përkeqësuar nga mungesa e ujit dhe konfiguracioni i vështirë i terrenit, me burimet ujore që ndodhen rreth dy orë larg nga vatrat e zjarrit.

Në vendngjarje ka qëndruar edhe drejtori i parkut, Bajram Kafexholli, për të vlerësuar situatën dhe për të koordinuar përpjekjet për shuarjen e zjarrit.

Në ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Prizren, Besnik Krasniqi, ka kritikuar ashpër institucionet shtetërore dhe komunale për mosreagimin e duhur ndaj zjarrit.

Në një deklaratë të tij, ai ka theksuar se kjo është një “masakër mjedisore”, duke vënë në pah se pyjet shekullore po digjen dhe nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret për të ndaluar zjarrin.

“Papërgjegjësi totale e Drejtorisë së Emergjencave dhe organeve përgjegjëse! Masakër mjedisore, po digjen pyjet shekullore, nuk ka asnjë veprim konkret për ta ndal këtë zjarr që po na merr asetin më të çmuar që ka Prizreni e Kosova. Mjer ky vend në duar të kujt ka mbetur,” ka shkruar Krasniqi.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa autoritetet po bëjnë përpjekje për të shmangur një katastrofë mjedisore në këtë zonë të rëndësishme turistike të Kosovës./Telegrafi/