QMK: Në një ditë ka pasur 45 zjarre, tani 10 janë ende aktivë
Gjatë ditës së djeshme në ambiente të hapura ka pasur gjithsej 45 zjarre, prej të cilave 10 janë aktualisht aktive, 3 janë nën kontroll dhe 32 janë shuar, njofton Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK), transmeton Portalb.mk. “Zjarret janë aktive në afërsi të Jasen-Belicës (pyll me pisha), fshatit Negrevë (pyll i përzier), fshatit Pollog, fshatit […]
Gjatë ditës së djeshme në ambiente të hapura ka pasur gjithsej 45 zjarre, prej të cilave 10 janë aktualisht aktive, 3 janë nën kontroll dhe 32 janë shuar, njofton Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK), transmeton Portalb.mk.
“Zjarret janë aktive në afërsi të Jasen-Belicës (pyll me pisha), fshatit Negrevë (pyll i përzier), fshatit Pollog, fshatit Pateec (pyll me pisha dhe ahu), pastaj fshati Çelopek dhe fshati Bigor Dolenci (pyll i përzier), fshati Zajas (pyll i përzier), si dhe në Galiçicë, ku shtrihet në drejtim të majës Magaro drejt Stenjës, nga ana e Ohrit, (bimësia me kërcell të ulët). Zjarr ka edhe në fshatin Greshnicë, fshati Sllatinë (pyll i përzier), në fshatin Latovë – Makedonski Brod (bimësi me kërcell të ulët), si dhe në fshatin Brigjet e kuqe”, njofton QMK.
Janë vënë nën kontroll zjarret në malin Ilinska, pastaj zjarri në fshatin Oreshë, si dhe ai në deponinë në Dellçevë. Janë shuar 32 zjarre.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut prej një kohe të gjatë është duke luftuar me zjarre të mëdha pyjore që shkaktojnë dëme të mëdha. Për shkak të zjarrit në mes të korrikut, Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli gjendje krize për 30 ditë dhe kërkoi ndihmë përmes mekanizmit të BE-së në fushën e mbrojtjes civile.
Gjithashtu, është vënë ndalesë e plotë e lëvizjes në pyje dhe toka pyjore në territorin e menaxhuar nga NP “Pyjet Kombëtare”, i cili do të zgjasë deri në ditën e shfuqizimit të tij, në periudhën nga ora 06:00 deri në orën 20:00.