Shaqiri, “kryefjalë” e numrit më të ri të revistes albinfo.ch

"Ikjes" nga Nati gjegjësisht kthimit në FC Basel të Shaqirit, i është kushtuar dosje e veçantë në numrin më të ri të revistës sonë, Albinfo.ch The post Shaqiri, “kryefjalë” e numrit më të ri të revistes albinfo.ch appeared first on Albinfo.

Shaqiri, “kryefjalë” e numrit më të ri të revistes albinfo.ch

Mjafton të thuash: Shaqiri dhe i ke thënë (pothuaj) të gjitha për shqiptarët e Zvicrës, për imazhin e tyre, për ambicien që i karakterizon ata për të arritur majat e suksesit, kudo por në veçanti në sport.

Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Blerim Xhemaili, Admir Mehmedi ndërsa para tyre edhe Milaim Rama e Valon Behrami, janë, tashmë dy dekada, emra të skalitur në historinë e sportit të Zvicrës dhe, pashmangshëm, në historinë e integrimit të shqiptarëve në shoqërinë zvicerane. Pikërisht njërit prej këtyre, Shaqirit, i është kushtuar dosje e veçantë në numrin më të ri të revistës sonë, Albinfo.ch.

Dhe, kjo është bërë me shkas. Siç është raportuar gjerësisht, gjatë muajve të verës Xherdan Shaqiri ishte kryefjalë e shumë artikujve e raportimeve në mediat zvicerane e më gjerë. Fillimisht, ishte pjesëmarrja, disi e hijesuar, e tij në ekipin e Nati-t në Kampionatin Evropian të futbollit.

Pati mjaft debate lidhur me këtë (mos)përfshirje të “xhuxhit magjik”, artistit të futbollit në ekipin e parë të Zvicrës. Sapo u “ul pluhuri” i ngritur gjatë Evropianit, “Shaq Attach” u ngjit sërish në shtyllat e mediave.

Deklarimi i tij se po braktiste skuadrën përfaqësuese të Zvicrës, të cilës i kishte dhënë aq shumë nuk ka lënë indiferent asnjë adhurues të futbollit zviceran e më gjerë. Sigurisht, ishte një lajm i dhimbshëm për të gjithë ata, që po privoheshin kaq herët nga magjitë e Shaqirit në fushën e futbollit të kombëtares së vendit.

Po largohej pra ai që ishte identifikuar më së shumti me këtë skuadër dhe e kishte shpëtuar ose nderuar me golat e tij në të gjitha ngjarjet e mëdha të futbollit gjatë më shumë se një dekade.

Por, paralelisht me këtë “dush të ftohtë”, Xherdani u kujdes që të “ngushëllonte” futbolldashësit zviceranë me një lajm tjetër: ai po kthehej në klubin që e kishte bërë me emër, në FC Basel… Të tjerat do t`i lexoni në një varg artikujsh që ka përgatitur për ju redaksia e Albinfo.ch në këtë dosje të veçantë.

Revista përmban edhe tema të tjera nga aktualiteti i shqiptarëve të Zvicrës, në të gjitha fushat, si në politikë, sport, muzikë, modë, stilizim etj.

Revista albinfo.ch mund të gjendet, falas, në të gjitha pikat që frekuentohen nga shqiptarët në Zvicër.

 

 

The post Shaqiri, “kryefjalë” e numrit më të ri të revistes albinfo.ch appeared first on Albinfo.