VMRO: Georgiev dhe Memeti janë shembull se pse nevojitet shpërbërja e Këshillit Gjyqësor dhe ai i Prokurorëve

Zgjidhja juridike e rasteve me gjyqtarin suprem Naqe Georgiev dhe ish-nënkryetarin e Këshillit të Prokurorëve Publikë Ixhet Memeti, të cilët e pranuan fajësinë për ryshfet në procedurën kundër ish kryetarit të Novosellës, Boro Stojçev, për të cilën Georgiev mori dënim me tre vjet burg, kurse Memeti me kusht është shembull se pse është e nevojshme […]

VMRO: Georgiev dhe Memeti janë shembull se pse nevojitet shpërbërja e Këshillit Gjyqësor dhe ai i Prokurorëve
VMRO - DPMNE, foto nga Vanço Xhambaski

Zgjidhja juridike e rasteve me gjyqtarin suprem Naqe Georgiev dhe ish-nënkryetarin e Këshillit të Prokurorëve Publikë Ixhet Memeti, të cilët e pranuan fajësinë për ryshfet në procedurën kundër ish kryetarit të Novosellës, Boro Stojçev, për të cilën Georgiev mori dënim me tre vjet burg, kurse Memeti me kusht është shembull se pse është e nevojshme që të shpërndahen Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë, reagon VMRO-DPMNE, transmeton Portalb.mk.

Nga atje pyesin se çfarë veprimesh kanë ndërmarrë këta dy zyrtarë të korruptuar dhe sa padrejtësi të tjera kanë shkaktuar, duke pasur parasysh se njëri sipas VMRO-DPMNE-së është i afërt me Zoran Zaevin dhe Venko Filipçen, ndërsa tjetri me Ali Ahmetin.

“Korrupsioni që e shohim përmes Naqe Georgievit dhe Ixhet Memetit është arsyeja pse është e nevojshme shpërbërja e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë, vetëm kështu do të rikthehet besimi i popullit në drejtësi”, njofton VMRO-DPMNE. 

Më herët, gjykatësi suprem Nake Georgiev ka pranuar se ka marrë ryshfet dhe është pajtuar me Prokurorinë që të dënohet me tre vjet burg dhe për të njëjtën periudhë do t’i ndalohet ushtrimi i profesionit, njoftoi dje Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Nga aty thonë se me nënshkrimin e projektmarrëveshjes, i dyshuari nuk konteston se e ka kryer veprën penale dhe duke marrë parasysh dënimin e paraparë me burgim prej një deri në dhjetë vjet, ka pranuar të vuajë burg, si dhe t’i ndalohet kryerja e profesionit, veprimtarisë ose detyrës së zyrtarit për një periudhë trevjeçare.

Në dënimin e tij do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe ai do të dërgohet menjëherë në burg. Ai do t’i kthejë edhe paratë nga ryshfeti.

“Prokurori i lëndës, duke marrë parasysh shkallën e përgjegjësisë penale, motivet që kanë çuar në krim, ashpërsinë e kërcënimit ndaj pasurisë së mbrojtur, si dhe jetën e kaluar të autorit dhe rrethanat e tij personale, ka vlerësuar se për për veprën që ngarkohet me dënim të vetëm me burgim në kohëzgjatje prej tre vjetësh, qëllimet e dënimit do të arrihen në drejtim të parandalimit të veçantë dhe të përgjithshëm të parashikuar në nenin. 39 të Kodit Penal. Në dënim do t’i llogaritet edhe koha e mbajtjes në paraburgim dhe menjëherë do të urdhërohet vuajtja e dënimit me burg… Gjithashtu, dëshmitarit do t’i kthehen edhe kartëmonedhat e përpunuara penalisht që janë gjetur në PMV-në e të dyshuarit, dhe 5000 euro të mbetura do të konfiskohen në dobi të Buxhetit të RMV-së si përfitim pasuror i fituar nga krimi”, thonë nga PNKOK.

Gjykatësi Georgiev është i dyshuari kryesor për ryshfet në procedurën kundër ish-kryetarit të komunës së Novosellës, Boro Stojçev, i cili, nga ana tjetër, u arrestua me një grup më të madh për kontrabandë marijuane.

Gjyqtari suprem i premtoi djalit të Stojçevit ndërhyrje në procedurë penale për babain e tij dhe i mori 5000 euro në shtëpinë e tij në Strumicë. Në takim, gjykatësi suprem i premtoi djalit të Stojçevit se do të përpiqet që babai i tij të marrë një dënim minimal prej tre vjetësh.

Më pas, ai përsëri tha se ai dhe Ixhet Memeti nga Këshilli i Prokurorëve Publikë gjoja do të ndërhyjnë për të zbatuar procedurën e zgjidhjes dhe kërkoi një shpërblim prej 30 mijë eurosh.

Më vonë, Georgiev pretendoi se Boro Stojçevit do t’i ofrohej dënim fiks pesë vjet burg, si dënim minimal për krimin në fjalë, duke i kujtuar djalit të tij se nëse ai nuk ndërhynte, babai i tij do të merrte një dënim shumë më të madh me burgi dhe se i gjithë paraburgimi do t’i vazhdohet për kohëzgjatjen e procedurës.

Ai premtoi edhe ndikim real, komoditete për Boro Stojçevin, si dhe lirim me kusht nga burgu. Në fund u arrit marrëveshja për një ryshfet total prej 20 mijë eurosh.

Dy ditë më parë i dyshuari i dytë në këtë rast, Ixhet Memeti nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, dha dorëheqje, e pranoi fajin dhe u pajtua me Prokurorinë për dënim me kusht.

Sipas Prokurorisë, Memeti, pas një marrëveshjeje të mëparshme me Georgievin gjatë muajit prill dhe maj të këtij viti, përmes gjykatësit suprem i ka përcjellë djalit të Stojçevit se kinse ka ndërhyrë për të mos paraqitur aktakuzë në rastin kundër babait të tij, por të zbatohet një propozim-marrëveshje.

Georgiev dhe Memeti kanë komunikuar përmes aplikacionit Whatsapp dhe anëtari i Këshillit të Prokurorëve Publikë nuk e ka ditur se ato biseda i ka dëgjuar edhe djali i Stojçevit.