Agjencia e Aviacionit të RMV-s për rastin e Osmanit: Shërbimet e Aeroportit të Shkupit vepruan në mënyrë profesionale

Shërbimet në Aeroportin e Shkupit, përgjegjëse për kontrollet e sigurisë, kanë vepruar në mënyrë profesionale dhe në bazë të standardeve ndërkombëtare, u tha në raportin e Agjencisë së Aviacionit Civil (AAC) të Maqedonisë së Veriut, transmeton Radio Evropa e Lirë. Kjo agjenci tha se rishikoi të gjitha dëshmitë që lidheshin me incidentin e 1 gushtit […]

Agjencia e Aviacionit të RMV-s për rastin e Osmanit: Shërbimet e Aeroportit të Shkupit vepruan në mënyrë profesionale
Aeroporti Ndërkombëtar Shkupi, foto: Portalb.mk

Shërbimet në Aeroportin e Shkupit, përgjegjëse për kontrollet e sigurisë, kanë vepruar në mënyrë profesionale dhe në bazë të standardeve ndërkombëtare, u tha në raportin e Agjencisë së Aviacionit Civil (AAC) të Maqedonisë së Veriut, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Kjo agjenci tha se rishikoi të gjitha dëshmitë që lidheshin me incidentin e 1 gushtit ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Sipas raportit, është konstatuar se shërbimet e aeroportit që janë përgjegjëse për kontrollet e sigurisë kanë vepruar në mënyrë profesionale dhe u janë përmbajtur rregullave që zbatohen ndërkombëtarisht, duke mos lejuar anashkalimin e standardeve dhe procedurave, qoftë edhe nën presionin e personave që shoqërojnë pasagjerët.

“Refuzimi për të kryer kontrollet standarde të sigurisë me të njëjtët pasagjerë, sipas të dhënave, ka ndodhur edhe në vitin 2022 dhe 2023 kur kontrollet e sigurisë u pranuan vetëm pasi piloti i avionit kishte refuzuar të pranojë pasagjerë në avion pa u kryer një kontroll sigurie”, u tha në deklaratën e AAC-së.

AAC-ja tha se zyrtarët e Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit nëse do të vepronin ndryshe nga rregullat e përcaktuara dhe do të lejonin lëshime dhe shmangie të procedurave të parapara, do të përballeshin me ndëshkime të ashpra nga agjencia, që është trup përgjegjës për rregullimin e tyre.

Kjo agjenci tha se si trup i pavarur dëshiron të qëndrojë larg përplasjeve politike lidhur me këtë ngjarje dhe shprehu keqardhje që në vend të zgjidhjes profesionale të këtij incidenti, do të nxirren mësime dhe do të ndërmerren masat adekuate për shmangien e tyre në të ardhmen.

“Ne jemi dëshmitarë të përpjekjeve për përfitime të poenëve politikë dhe për të shtrembëruar arsyen e vërtetë të kësaj ngjarjeje”, u tha në deklaratë.

Presidenca e Kosovës ka thënë se e Osmanit ishte tentuar t’i merrej telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit, në kundërshtim të, siç ka thënë, praktikave ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.

Ky institucion e ka cilësuar si “provokim” ngjarjet e ndodhura në Aeroportin e Shkupit, përderisa autoritetet maqedonase kanë shprehur keqardhje për ngjarjen dhe kanë nisur hetimin për të.

Presidenca kosovare kishte njoftuar se pasi ka ndodhur incidenti, për të ishte njoftuar kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.

Më 1 gusht, Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha se në Aeroport kishte shkuar një pjesëtar i sigurimit të Gashit, që ishte polic, “me dy persona të tjerë [policë] dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e Aeroportit dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes”.

Gashi më pas deklaroi se ndërhyrja e tij kishte për qëllim vetëm parandalimin e një incidenti diplomatik.

Përderisa nga zyra e Osmanit e kanë cilësuar si provokim këtë ngjarje dhe kanë thënë se ka pasur shkelje të praktikave ndërkombëtare, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një vizite në Shkup më 5 gusht tha se po pret raportin zyrtar që do të përpilohet pasi autoritetet të kryejnë hetimet e nevojshme për këtë ngjarje.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë raporte diplomatike dhe deri më tani nuk kanë pasur incident të kësaj natyre.

Incidenti që ndodhi më 1 gusht në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ku ishte e përfshirë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte temë edhe e takimit që ndodhi më 5 gusht në Shkup ndërmjet dy kryeministrave, Albin Kurtit dhe Hristijan Mickoskit. Kurti tha se përjetimi i Osmanit ishte i rëndë, ndërsa Mickoski, premtoi se derisa ai është kryeministër nuk do të jetë njerëz që do të jenë mbi ligjin dhe nëse konstatohet se kanë tejkaluar kompetencat, personi do të vihet para drejtësisë.