BE paralajmëron Gjeorgjinë të mos ndalojë partitë opozitare

Bashkimi Evropian e ka paralajmëruar Gjeorgjinë kundër ndalimit të partive opozitare, duke thënë se planet e qeverisë gjeorgjiane për të shpallur të jashtëligjshme partitë opozitare nëse fiton zgjedhjet parlamentare në tetor do të shkatërronte atë që ka mbetur nga demokracia e vendit dhe do të shkaktonte një reagim të ashpër nga Perëndimi. Zëdhënësi i çështjeve [...]Read More...

BE paralajmëron Gjeorgjinë të mos ndalojë partitë opozitare

Bashkimi Evropian e ka paralajmëruar Gjeorgjinë kundër ndalimit të partive opozitare, duke thënë se planet e qeverisë gjeorgjiane për të shpallur të jashtëligjshme partitë opozitare nëse fiton zgjedhjet parlamentare në tetor do të shkatërronte atë që ka mbetur nga demokracia e vendit dhe do të shkaktonte një reagim të ashpër nga Perëndimi.

Zëdhënësi i çështjeve të jashtme të BE, Peter Stano tha se Brukseli është i shqetësuar për planin për të ndaluar të gjitha partitë opozitare në Gjeorgji, i cili u paraqit nga partia në pushtet ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ javën e kaluar.

 “Partitë e opozitës, shoqëria civile dhe media e pavarur janë thelbësore për të siguruar që qeveritë të mbahen përgjegjëse dhe se vlerat demokratike respektohen”, tha Stano, duke theksuar se pluralizmi është “shtylla kryesore e procesit të pranimit në BE”.

Stano theksoi se dera e anëtarësimit në BE mbetet e hapur për Gjeorgjinë nëse ai vend vendos të harmonizohet me vlerat dhe normat e Unionit dhe të ndryshojë tendencat negative të muajve të fundit.

Kryeministri gjeorgjian Irakli Kobakhidze tha të premten se do të shpërndajë zyrtarisht fraksionet properëndimore në parlament pas zgjedhjeve të planifikuara për në tetor.

Kobakhidze e etiketoi opozitën si “forca politike kriminale”.

Brukseli në mënyrë efektive ngriu aplikimin e Gjeorgjisë për anëtarësim në BE në përgjigje të miratimit të një ligji të ri gjeorgjian që etiketon organizatat joqeveritare dhe mediat e mbështetura nga perëndimi si “agjentë të huaj”.

Parlamenti gjeorgjian e miratoi atë ligj në maj.

Komisioni Evropian (KE) i dha Gjeorgjisë statusin e kandidatit në fund të vitit të kaluar, pavarësisht paralajmërimeve rreth abuzimeve të të drejtave të njeriut./abcnews.al