Biem në peshë me viagra dhe sibutraminë të dëmshme, shteti refuzon të na mbrojë

Nëse dëshironi të fitoni çaj për rënie në peshë falas dhe “efektiv” ju duhet të bëni dy gjëra të thjeshta: ta ndiqni profilin e një influensereje të famshme në rrjetin social “Instagram”, e cila pastaj nga ju do ​​kërkojë që ta ndiqni edhe profilin e markës së çajit “Trex”. Por çajrat “magjikë” që i shkrijnë […]

Biem në peshë me viagra dhe sibutraminë të dëmshme, shteti refuzon të na mbrojë
Katër produkte të ndryshme që janë të disponueshme në treg në Maqedoni dhe për të cilat është konstatuar se përmbajnë sibutraminë, e cila nuk është e shënuar në ambalazh.

Nëse dëshironi të fitoni çaj për rënie në peshë falas dhe “efektiv” ju duhet të bëni dy gjëra të thjeshta: ta ndiqni profilin e një influensereje të famshme në rrjetin social “Instagram”, e cila pastaj nga ju do ​​kërkojë që ta ndiqni edhe profilin e markës së çajit “Trex”. Por çajrat “magjikë” që i shkrijnë yndyrat këtë gjë e bëjnë me ndihmën e drogave dhe Viagrës. IRL zbulon se pavarësisht sekuestrimeve nga doganat, Prokuroria bën gabime qenësore dhe naive për shkak të të cilave mijëra qytetarë, pjesa më e madhe e të cilëve janë vajza të mitura, mbeten të pambrojtur dhe të ekspozuar ndaj substancave toksike të cilat janë të ndaluara në BE dhe SHBA, raporton IRL, përcjell Portalb.mk.

Gazetare: Lilla Karatasheva, Pellagija Mlladenovska; Ilustrimi: Lluka Bllazhev

Vera është stina më fitimprurëse për industrinë e produkteve të bukurisë dhe shëndetit. Në këtë periudhë të vitit në rrjetet sociale intensifikohen reklamat e të gjitha salloneve të bukurisë dhe fitnesit që ofrojnë paketa promocionale për zbukurim, e veçanërisht për rënie të shpejtë në peshë.

Target i këtyre reklamave janë gratë dhe shpesh vajzat e mitura që duan të arrijnë një pamje të përsosur për ditët  që kanë planifikuar t’i kalojnë në plazh. Por, po këta gra dhe vajza në rrjetet sociale ndiqen edhe nga tregtarët që shesin produkte të rrezikshme dhe të dëmshme për heqjen e ca kilogramëve si një zgjidhje në dukje natyrale me të cilën pamja e dëshiruar arrihet brenda një kohe të shkurtër dhe pa mundim. Çajrat dhe ampullat për detoksikim janë “ilaçi magjik” për të hequr kilogramët e tepërt.

Shitja e çajrave dhe suplementeve për dobësim të markës “Slim Line”, të cilat importohen nga Kina, ndërsa ambalazhohen dhe etiketohen në Maqedoni, si dhe e çajrave “Trex”, të cilët kontrabandohen ilegalisht nga Turqia, nuk ka të ndalur.

Në disa prej produkteve të tyre është zbuluar prani e substancës së ndaluar sibutraminë – një përbërës i fshehur në preparatet për rënie në peshë.

Sibutramina, e cila në BE është e ndaluar, shkakton goditje në tru dhe sulme në zemër

Sibutramina është ndaluar nga Bashkimi Evropian që nga viti 2010. Bën pjesë në Listat Kombëtare të Substancave të Kontrolluara dhe Psikotropike në vendet e BE-së dhe SHBA. Është konstatuar se kjo substancë shkakton çrregullime në sistemin nervor qendror, shkakton tharje të tepërt të gojës, por njihet edhe si shkaktare e sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru.

Në dy vitet e fundit IRL ka raportuar për dëmet e këtyre dy markave të suplementeve dhe çajrave. Për pasojat shëndetësore të suplementeve të markës “Slim Line” është raportuar edhe në Ballkan. Tek çajrat turke “Trex” është zbuluar prani e sibutraminës, por edhe e Sildenafil Citrate USP (Viagra, bar që kryesisht përdoret për të arritur ereksion te meshkujt) pas sekuestrimit të disa dërgesave në Danimarkë dhe Zvicër. Pastaj këto çajra u ndaluan në të gjitha vendet e BE-së.

Mirëpo, për shkak të mospërputhshmërisë së kompetencave të institucioneve shtetërore në vendin tonë, si Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT), Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Drejtoria e doganave, këto produkte vazhdojnë të blihen nga qytetarët në Maqedoni.

Nga influenserja deri në filxhan

Tregtarët e produkteve të markave “Slim Line” dhe “Trex” nuk munguan as këtë sezon me promovimet e produkteve të tyre. Që në muajin shkurt të këtij viti profili “trexteamk”, i cili në rrjetin social Instagram prezantohet si përfaqësuesi zyrtar i çajit “Trex” në Maqedoni, njoftoi për okazion ku ndjekësve u dhuron çaj falas. Fytyra e kësaj fushate është Ana Petrovska, një influensere nga Shkupi. Në rrjetet sociale ajo reklamon marka të ndryshme, por rregullisht poston edhe receta për ushqim të shëndetshëm. Petrovska ka 39 mijë ndjekës në Instagram, shumica e të cilëve janë gra, të cilat i ndjekin përmbajtjet që ajo i publikon.

Kushti për marrjen falas të çajit “Trex” ishte të ndiqej profili i trexteamk, të ndiqej influenserja Ana Petrovska dhe secili përdorues i Instagramit ta ndante postimin për këtë okazion në profilin e tij, edhe pse ky çaj përmban sibutraminë.

Influenserja Ana Petrovska dhuron çaj Trex në të cilin në vendet e BE-së është vërtetuar prania e sibutraminës dhe Viagrës.
Influenserja Ana Petrovska dhuron çaj Trex në të cilin në vendet e BE-së është vërtetuar prania e sibutraminës dhe Viagrës.

Influenserja Ana Petrovska dhuron çaj “Trex” në të cilin në vendet e BE-së është vërtetuar prania e sibutraminës dhe Viagrës.

E pyetëm Ana Petrovskën nëse vetëm i reklamon çajrat apo edhe i konsumon. Ajo nuk iu përgjigj pyetjeve tona, si dhe nuk tha nëse e dinte se ndjekësve të saj  u rekomandonte në Instagram një produkt që përmban një substancë të rrezikshme.

Në mesi i muajit mars “Slim Line” publikoi edhe një ofertë speciale pranverore në të cilën ofron një kombinim të kapsulave për dobësim dhe çajit për detoksikim. Pakoja e kapsulave për 12 ditë dhe 10 qeska të çajit ofroheshin me çmim promocional prej 1.290 denarësh, ndërsa kompania premtonte rezultate të dukshme menjëherë dhe largim të lehtë të dhjamit.

Nga Turqia importohen pije dhe suplemente të pakontrolluara

Përveç produkteve të markave “Slim Line” dhe “Trex” në rrjetet sociale janë të disponueshme edhe produkte të tjera për dobësim në të cilat është zbuluar sibutramina. Nga viti i kaluar është bërë i njohur edhe çaji për detoksikim – “Diox”, i cili shitet në rrjetet sociale, por edhe në dyqanet e regjistruara për ushqime dhe suplemente të shëndetshme. Vitin e kaluar në pikën kufitare Deve Bair një personit fizik që udhëtonte me autobus nga Stambolli për në Shkup iu sekuestruan 160 kuti me këtë çaj, por ndaj tij ka vetëm një kallëzim për kundërvajtje. Tre muaj më parë në një pikë kufitare në Zvicër u sekuestrua një ngarkesë me të njëjtin çaj, e cila më pas u testua në Agjencinë Zvicerane të barnave. Atje u vërtetua se çaji përmbante sibutraminë dhe sildenafil (Viagra), pas çka u ndalua rreptësisht përdorimi i tij.

Viagra efektive për dobësim, por te minjtë dhe me doza tre herë më të larta se ato që i marrin  meshkujt

Hulumtimi i vetëm që tregon se sildanafil (Viagra) mund të kontribuojë në rënien në peshë duke tretur shtresat e yndyrës është hulumtimi i shkencëtarëve nga Klinika Universitare në qytetin e Bonit në Gjermani.

Por ky hulumtim nuk e konfirmon efektivitetin e Viagrës për rënien në peshë tek njerëzit, por vetëm tek minjtë laboratorikë. Studimi tek minjtë është realizuar për shtatë ditë. Në ditë atyre u jepeshin sasi të mëdha sildenafil, tre herë më të mëdha nga sasitë që i marrin meshkujt, të cilët as që e përdorin sildenafilin në bazë ditore. Me hulumtimin u arrit në përfundimin se sildenafili nuk mund të konsiderohet si një ilaç i cili mund të përdoret kundër obezitetit te njerëzit, sepse studimi është realizuar tek minjtë. Nëse njerëzit marrin sildenafil në doza të mëdha për një periudhë të gjatë kohore, kjo gjë mund të shkaktojë tension të lartë të gjakut dhe efekte të tjera serioze të padëshiruara.

Në Maqedoni shiten edhe kafe dhe çajra për detoksikim të markës “Slim Secret”, tek të cilat është gjetur sibutraminë. Vitin e kaluar këto produkte u ndaluan pas raportimit të dy rasteve të vdekjes në rajonin jugperëndimor të Gjermanisë në Baden-Winterbegg si rezultat i konsumimit të këtyre pijeve.

Ne gjetëm një profil në rrjetin social “Facebook” që i shet këto pije në Maqedoni dhe kërkuam në numrin e telefonit në rolin e blerësve. Na thanë se dyqani i tyre është në Dibër, por “Slim Secret” mund të na dërgojnë në Shkup me postë. Na thanë se nuk ishin të sigurt nëse produkti ishte i regjistruar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, por shitësi ishte i bindur se i gjithi  ishte natyral.

“Importohet nga Turqia”. Ka 10 vite në treg, pa efekte të padëshiruara. Gjithçka është natyrale, çaji është një kombinim i katër përbërësve nga natyra”, na thanë nga “Slim Secret”, kur donim të zbulojmë nëse ata si shitës i paralajmërojnë blerësit që produkti përmban sibutraminë.

Katër produkte të ndryshme që janë të disponueshme në treg në Maqedoni dhe për të cilat është konstatuar se përmbajnë sibutraminë, e cila nuk është e shënuar në ambalazh.
Katër produkte të ndryshme që janë të disponueshme në treg në Maqedoni dhe për të cilat është konstatuar se përmbajnë sibutraminë, e cila nuk është e shënuar në ambalazh.

Kjo pije reklamohet si një produkt që garanton humbjen e tre deri në tetë kilogramë në muaj pa dietë, por përmenden edhe përfitimet e tjera të saj gjatë përdorimit, si pastrimi i rrugëve urinare, stabilizimi i tensionit të gjakut, reduktimi i stresit, largimi i gazrave nga zorrët dhe zvogëlimi i rrezikut nga shfaqja e hemorroideve, gjë kjo që e bën çajin edhe më joshës për t’u përdorur.

Në BE janë sekuestruar 11 dërgesa me çajra të dëmshëm nga Turqia

Në Sistemin Evropian të Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqimit vetëm në vitin 2023 dhe vitin 2024, gjegjësisht në 18 muajt e fundit, ka 11 njoftime për çajra dhe suplemente të konfiskuara që përmbajnë sibutraminë dhe Viagra. Produktet janë sekuestruar në Gjermani, Holandë, Belgjikë, Spanjë dhe Itali. Të gjitha kanë qenë të importuara nga Turqia. Në vitin 2022 sibutramina u zbulua edhe në produkte që vinin në Evropë nga India dhe Kina, por ato nuk i nënshtrohen rregulloreve evropiane, kështu që atje në tregun e lirë mund të gjenden substanca që janë të ndaluara për përdorim në BE dhe SHBA.

Një turk ka importuar në Maqedoni gjysmë ton sibutraminë dhe 1.2 ton Viagra nga India

Shtetasi turk Xhengiz Çajli, i panjohur për opinionin në Maqedoni, më 7 shkurt të këtij viti e ka regjistruar kompaninë “DJ International Trading”. Njëzet ditë pas themelimit, më 28 shkurt, kjo kompani ka tentuar të importojë 1,7 ton barna, nga të cilat 1,2 ton sildenafil (Viagra) dhe 500 kilogramë sibutraminë.

Avioni me të cilin janë transportuar ka fluturuar gjysmën e botës përpara se të aterronte në Maqedoni.

Pikënisja e parë e kovave me sibutraminë dhe viagra është India, qyteti i Nju Delhit. Pas një ndalese në Vjenë, aeroplani niset për në destinacionin përfundimtar të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit, ku doganierët më 28 shkurt e konfiskuan dërgesën e dyshimtë.

Tre muaj më vonë, më 22 maj të këtij viti, Drejtoria e doganave i ka njoftuar qytetarët për konfiskimin. Atje konstatojnë se preparatet e importuara nuk janë regjistruar në Agjencinë e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore – Malmed dhe se kompania nuk ka licencë për tregti me shumicë të produkteve kimike dhe barnave. Në Maqedoni sibutramina as që mund të regjistrohet, sepse vendi i nënshtrohet rregullores evropiane me të cilën përdorimi i sibutraminës është rreptësishtë i ndaluar. Lajmin nga njoftimi i Drejtorisë së doganave të Maqedonisë e kanë shpërndarë mediat në disa vende të Ballkanit.

“Malli i arritur është dërguar nga një dërgues nga India për një importues nga Shkupi. Ndaj firmës pranuese është ngritur kallëzim penal”, thonë nga Drejtoria e doganave.

Sibutramina dhe sildenafili në Maqedoni është dashur të dërgohen në një dyqan në qendër të Shkupit.

Selia e kompanisë “DJ International Trading” është në rrugën “Gjuro Gjonoviq” në lagjen Maxhari të Shkupit. Gazetarët e IRL shkuan në këtë adresë në të cilën ka një shtëpi dhe dy dyqane. Biseduan me pronarin e pronës, Denis Totre, i cili na tha se një nga dyqanet i është dhënë me qira një kompanie, por se nuk ka asnjë numër kontakti të qiramarrësve.

“Ata janë nga Turqia dhe nuk vijnë shpesh. Ata e morën dyqanin, e rregulluan pak sepse duhej tu vinte ca mall që duhej ta ruanin dhe për të bërë një zyrë,” tha Totre në një bisedë me gazetarët e IRL-së.

Foto e kovave të mbushura me sibutraminë pluhur dhe Viagra të sekuestruara nga Dogana dhe foto e selisë së kompanisë “DJ International Trading” ku duhej të ruheshin barnat.
Foto e kovave të mbushura me sibutraminë pluhur dhe Viagra të sekuestruara nga Dogana dhe foto e selisë së kompanisë “DJ International Trading” ku duhej të ruheshin barnat.

Sibutramina e sekuestruar është testuar me metodë të paakredituar me urdhër të Prokurorisë

Sasinë prej gjysmë ton sibutraminë të sekuestruar nga India prokuroria e ka testuar në laboratorin për droga të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili nuk ka një metodë të akredituar për këtë substancë.

“Laboratori për droga në Ministrinë e Punëve të Brendshme është i akredituar sipas kërkesave të standardit ndërkombëtar ISO 17025, por metoda në fjalë nuk bën pjesë në fushën e akreditimit”, konfirmon Shërbimi i Marrëdhënieve me Publikun në MPB për IRL.

Iu drejtuam Prokurorisë për atë se pse malli i konfiskuar është dërguar për ekspertizë në laboratorin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili nuk ka metodë të akredituar për testimin e sibutraminës dhe nëse Prokuroria e ka marrë parasysh faktin se një metodë e paakredituar mund ta rrezikojnë vlefshmërinë e provave gjatë një procedurë eventuale të mëtejshme?

“Prokuroria Publike nuk mund të komentojë strategjinë e prokurorit publik për procedurën e mëtutjeshme, sidomos duke pasur parasysh se të gjitha supozimet në drejtimin që ju pretendoni janë të parakohshme”, thuhet në përgjigjen që IRL e ka marrë nga Prokuroria.

Nga atje sqaruan edhe se laboratori i MPB-së është i autorizuar për të kryer analiza kimike, por nuk pranuan të na përgjigjen nëse kovat e sekuestruara me sibutraminë janë testuar pa metodë të akredituar.

“Detyrimet ligjore nuk parashikojnë që metoda e ekspertizës detyrimisht të kalojë nëpër procesin e akreditimit formal”, u përgjigjën nga Prokuroria, duke iu referuar nenit 236 të Ligjit për Procedurën Penale.

Në Maqedoni ka metodë të akredituar për sibutraminën, por Prokuroria ka vendosur për një institucion tjetër

Prokuroria nuk e ka pasur të domosdoshme ta dërgojë sibutraminën e sekuestruar për testim jashtë vendit për të siguruar dëshmi të vlefshme përpara Gjykatës. Mjaftonte të kontaktonin Institutin e Akreditimit nga ku do të mësonin nëse ndonjë nga laboratorët në vend e ka akredituar atë metodë të testimit. Kështu ata do të zbulonin se Instituti i Shëndetit Publik e kishte akredituar metodën një javë para se të sekuestroheshin kovat me sibutraminë në aeroport dhe të siguronin dëshmi të fituara me një metodë të akredituar. Akreditimi është bërë më 21 shkurt të këtij viti, ndërsa sekuestrimi nga doganat më 28 shkurt.

Nga sibutramina e deklaruar në mënyrë joadekuate, deri në fundin e një karriere sportive

Përveçse që është e rrezikshme për shëndetin e njeriut, përdorimi i sibutraminës shkakton edhe  problem në jetë. Karriera profesionale e hendbollistit Goran Kuzmanovski përfundoi pikërisht për shkak të përdorimit të produktit të markës “Slim Line”.

Sibutramina, e cila iu zbulua gjatë një testi të rastësishëm dopingu i dha fund karrierës së tij para kohe. Pilulat për dobësim ai i kishte blerë në farmacinë Eurofarm në shtator të vitit 2019, ndërsa në deklaracionin e produktit nuk ishte shënuar që përmbante sibutraminë, e cila është e ndaluar dhe e rrezikshme dhe e pa lejuar në trupin e një sportisti profesionist. Gorani rastin e ka raportuar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë. Pas kësaj Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë  e paditi “Slim Line” për mashtrim të konsumatorit sepse sibutramina nuk ishte shënuar si një nga përbërësit në paketimin e kutisë së pilulave.

Por, në vend të një dënimi të mundshëm për tregtarët, të cilët me mashtrim shisnin një produkt që përmbante sibutraminën e dëmshme, Gjykata Penale në Shkup e liron “Slim Line” nga fajësia, sepse pilulat ishin testuar në Institutin e Shëndetit Publik. Në atë kohë ky institucion nuk ka pasur një metodë të akredituar për testimin e kësaj substance.

“Në rastin konkret, analiza e mostrës së marrë është bërë në laborator referent, por sipas një metode joreferente, që do të thotë se është kryer në kundërshtim me ligjin”, thuhej në aktgjykimin e gjykatëses Sllavica Andreevska, me të cilën shitësit e “Slim Line” shpëtuan nga ndjekja penale dhe vazhduan të shesin suplemente në rrjetet sociale.

Gjykim i ri për rastin e hendbollistit

Në fillim të korrikut të këtij viti Gjykata e Apelit ka njoftuar se ka pranuar ankesën e Prokurorisë, në të cilën thuhet se është bërë shkelje esenciale e dispozitave të procedurës penale dhe se gjendja faktike e provave në rastin e hendbollistit Goran Kuzmanovski është përcaktuar gabimisht.

“Përfundimi i gjykatës së shkallës së parë se prokurori publik nuk ka dëshmuar përtej dyshimit të arsyeshëm se të pandehurit e kanë kryer veprën penale është i gabuar”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit pas ankesës së dorëzuar për aktgjykimin e shkallës së parë në dhjetor të vitit 2022.

Në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit janë analizuar dhe kundërshtuar pothuajse të gjitha pretendimet e gjykatëses Sllavica Andreevska nga aktgjykimi i shkallës së parë. Gjykatësja ka konsideruar se ka qenë kontestuese se cilat suplemente i ka dërguar për testim hendbollisti Goran Kuzmanovski, ndërsa për të ka qenë po aq kontestuese se cilat mostra janë testuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Gjykata e Apelit e ka konsideruar konkluzionin e saj të palogjikshëm sepse nga provat dhe raportet mund të konstatohej në mënyrë të padiskutueshme se janë testuar suplemente të markës “Slim Line” nga prodhuesi “Kunming Lingao Biotehnology China”.

Këshilli i gjykatësve të Apelit konsideron se gjykatësja Andreevska aktgjykimin lirues e ka bazuar në faktin se suplementi specifik është testuar me metodë të paakredituar në Institutin e Shëndetit Publik, por ka neglizhuar faktin se Instituti është institucion kombëtar dhe i vetëm në vend për këtë lloj testimi. Rezultatet e fituara nga Instituti u konfirmuan edhe me testim me metodë të akredituar në laboratorin CH IHTM në Beograd.

Për Gjykatën e Apelit është e palogjikshme edhe se në aktgjykimin e shkallës së parë, gjykatësja Sllavica Andreevska ka vlerësuar se nuk është vërtetuar saktësisht se për cilin produkt të “Slim Line” bëhet fjalë, nuk është vërtetuar nëse në periudhën kur hendbollisti Kuzmanovski është testuar për doping, ai ka përdorur vetëm suplementin e markës “Slim Line” dhe se pikërisht përdorimi i atij produkti ka ndikuar që ai të dështojë në testin e dopingut. Këshilli i gjykatësve të apelit që vendosi për çështjen hodhi dyshime mbi korrektësinë e konstatimit nga aktgjykimi i Gjykatës Penale se të gjitha këto janë të pavërtetuara. Këshilli i ka marrë parasysh dëshmitë sipas të cilave mund të konstatohet se për cilin suplement bëhet fjalë saktësisht, kur dhe ku është blerë, kur dhe ku është testuar në raport me deklaratën e hendbollistit Kuzmanovski, në të cilën janë elaboruar të gjitha datat kronologjikisht në mënyrë të qartë dhe të prerë.

Në përfundimin e aktgjykimit të Gjykatës së Apelit shkruhet se gjykata e shkallës së parë nuk ka mundur t’i vërtetojë siç duhet të gjitha faktet dhe rrethanat dhe ta përcaktojë siç duhet gjendjen faktike lidhur me ngjarjen. Prandaj lënda do të kthehet në rigjykim.

Seanca e parë e rigjykimit është caktuar për 16 gusht të këtij viti. Por lënda tani i është caktuar gjykatëses Snezhana Markovska, sepse gjykatësja Sllavica Andreevska doli në pension.

Edhe pse rasti i hendbollistit Kuzmanovski tregon se lëshimi gjatë kontrollimit të sibutraminës me metodë të paakredituar nënkupton liri për mashtruesit, prokuroria vazhdon t’i bëjë të njëjtat gabime.

Rritet numri i kërkesave për testimin e sibutraminës në ampulla dhe çajëra për detoksikim

Sekuestrimi i fundit i 500 kilogramëve sibutraminë tregon se në Maqedoni po shiten lirshëm suplementë që paraqesin rrezik për shëndetin e qytetarëve. Këtë e dëshmojnë edhe kërkesat e shpeshta për testimin e sibutraminës në çajrat për detoksikim dhe suplementet për rënie në peshë që arrijnë pranë Institutit të Shëndetit Publik.

“Në vitin 2023 në laboratorin tonë u sollën katër mostra të suplementeve ushqimore dhe çajrave, nga të cilët në tre prej tyre u zbulua prania e sibutraminës”, thonë nga Instituti.

Mjeku Igor Spiroski, i cili është udhëheqës i Njësisë të ushqyerjes dhe ekzaminimeve shëndetësore higjienike në Institutin e Shëndetit Publik i këshillon qytetarët që të konsultohen me mjekun para se të vendosin të blejnë ndonjë suplement që premton rregullimin e peshës së tyre.

“Jemi këtu edhe ne si Instituti i Shëndetit Publik nëse dikush ka dilemë apo ka nevojë për këshilla për këtë temë. Vetëm në këtë mënyrë konsumatorët do të mbrohen nga rreziku i panevojshëm”, thotë Spiroski.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Drejtoria e Doganës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Inspektorati Shtetëror i Tregut u deklaruan jokompetent lidhur me shitjen e çajrave turke “Trex”, që në Maqedoni shiten ilegalisht më së shumti përmes rrjeteve sociale.