Dy orë para adresimit të Vuçiqit për Kosovën/ Deputetët dhe ekspertët e sigurisë flasin për skenarët e mundshëm të Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka paralajmëruar për të premten në orën 18:00 një adresim para opinionit serb lidhur me ngjarjet e fundit në veri të Kosovës. Mediat atje raportuan se Vuçiq pas zhvillimeve të fundit mund ta shpallë Kosovën “një territor të pushtuar”. Kjo deklaratë e Vuçiqit ka nxitur krerët shtetërorë të Republikës së […]

Dy orë para adresimit të Vuçiqit për Kosovën/ Deputetët dhe ekspertët e sigurisë flasin për skenarët e mundshëm të Serbisë
dy-ore-para-adresimit-te-vuciqit-per-kosoven/-deputetet-dhe-ekspertet-e-sigurise-flasin-per-skenaret-e-mundshem-te-serbise

dy-ore-para-adresimit-te-vuciqit-per-kosoven/-deputetet-dhe-ekspertet-e-sigurise-flasin-per-skenaret-e-mundshem-te-serbise

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka paralajmëruar për të premten në orën 18:00 një adresim para opinionit serb lidhur me ngjarjet e fundit në veri të Kosovës. Mediat atje raportuan se Vuçiq pas zhvillimeve të fundit mund ta shpallë Kosovën “një territor të pushtuar”.

Kjo deklaratë e Vuçiqit ka nxitur krerët shtetërorë të Republikës së Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Vuçiqi mund të shpallë çfarë të dojë, por do të përballët më institucionet kosovare.

“Realiteti i përhershëm është se Kosova është dhe do të mbetet përherë shtet i pavarur, sovran, demokratik e që do fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet në rajon. Çfarëdo që mund të synojë Vuçiq do të përballet me institucionet e Kosovës”, ka thënë Osmani.

Në lidhje me këto kërcënime të Vuçiqit për Front Online janë deklaruar ekspertë të sigurisë dhe deputet në Komision për Siguri dhe Mbrojtje.

Hisen Berisha: Kërcënimi i Vuçiqit në raport me Kosovën është zero

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Çështjen e Sigurisë dhe Mbrojtjes, njëherësh deputet i PDK-së Hisen Berisha, për Front Online është deklaruar në lidhje me kërcënimet e presidentit serb Aleksandër Vuçiq ndaj Kosovës.

Ai ka thënë se Vuçiqi, që vjen nga një regjimin që ka kryer gjenocid, është vazhdimësi e metodologjisë së ish-shefit të tij, Slobodan Millosheviçit.

 “Kjo është së pari ‘’Shkolla e vjetër’’ prej së cilës vjen edhe Vuçiqi është zëvendësi i një shteti dhe regjimi që ka kryer gjenocid prandaj nga Vuçiq nuk prit asgjë tjetër veçse metodologji e njëjte siç ka bërë edhe ish shefi i tij Millosheviç”, theksoi deputeti Berisha.

Berisha beson se këto kërcënime janë pjesë e një strategjie të Serbisë për të ushtruar presion politik dhe diplomatik ndaj Kosovës, veçanërisht në periudha të rëndësishme si dialogu mes dy vendeve.

“Mendoj se këto kërcënime në raport me Kosovën janë pjesë e kësaj strategjie të vazhdueshme të Serbisë për të ushtruar presion politik por edhe diplomatik veçanërisht kur janë këto çështjet e zhvillimeve të rëndësishme siç është dialogu mes vendeve tona”, tha Berisha.

Ai e sheh këtë retorikë kërcënuese si një përpjekje për të shpërqendruar vëmendjen e qytetarëve serbë nga problemet e brendshme.

“Jemi mësuar me atë retoriken kërcënuese për ti fokusuar njerëzit apo vëmendjen e qytetarëve nga problemet e brendshme që i ka Serbia. Në raport me Kosovën, ai përmes presionit ka fituar simpatinë e madhe të popullit të tij edhe duke e portretizuar veten si mbrojtës të interesave serbe në rajon , edhe e krijon një narrativë se gjoja Serbia është viktimë e padrejtësive ndërkombëtare”, u shpreh Berisha.

Sipas Berishës, çdo kërcënim nga Vuçiqi është më shumë një përpjekje për të krijuar presion ndaj partnerëve ndërkombëtarë dhe nuk përbën një kërcënim real për Kosovën, pasi çdo sulm në Kosovë do të konsiderohej si sulm ndaj NATO-s.

“Mendoj se çfarëdo qoftë kërcënimi i tij edhe nëse eskalon në tendenca gjoja për të treguar muskuj në raport me Kosovën është zero. Sulmi në Kosovë do të thotë sulm në NATO, nuk pres asgjë thjesht për ta krijuar presionin e duhur në partnerët ndërkombëtar “, tha Berisha për FrontOnline.

Bedri Elezi: Vuçiq shihet se ka planifikim që ta shpallë të aneksuar veriun e Mitrovicës

Bedri Elezi, ekspert i sigurisë, ka komentuar në një prononcim për Front Online kërcënimet e presidentit serb, Aleksader Vuçiq për Kosovën.

Ai ka theksuar se Serbia mund të jetë e gatshme të përdorë dhunë për të realizuar qëllimet e saj, përfshirë mundësinë e aneksimit të veriut të Mitrovicës.

Elezi ka paralajmëruar se deklaratat e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, që mund të shpallë Kosovën si “territor të pushtuar”, mund të shoqërohen me aktivitete të dhunshme

“Vuçiq sot ka paralajmëruar një konferencë ku do të shpalosë planin e Serbisë për Kosovën , sipas një medias serbe qartë shihet se i njëjti ka planifikim që ta shpallë të aneksuar veriun e Mitrovicës me çka paralajmëron organizimin e aktiviteteve të dhunshme”, tha Elezi  për Front Online.

Ai sugjeron se këto aktivitete mund të përfshijnë grupe të armatosura të mbështetur nga Beogradi dhe Moska, që mund të provojnë të krijojnë një situatë të re në Kosovë.

“Do të fillojnë edhe ndonjë aktivitet duke nisur me protesta të cilat janë paralajmëruar më 1 tetor dhe do të kemi mundësi që këto protesta të eskalojnë dhe grupe të cilat mbështeten nga Moska si dhe nga Beogradi të cilat dyshohet se mund të jenë të armatosur të fillojnë një situatë të re në atë pjesë”, tha Elezi.

Sipas Elezit, Serbia mund të përpiqet të krijojë një situatë që do të kërkojë ndërhyrjen ndërkombëtare për veriun e Mitrovicës.

 “Ka pasur deklarime nga aspekte të ndryshme se dy baza të ndryshme brenda territorit të Serbisë në afërsi me kufirin e Kosovës janë  duke  trajnuar qytetarë të rritur të cilët mund të përdorin korridore të ndryshme që të kalojnë brenda territorit të Kosovës dhe të fillojnë një situatë me policët zyrtarë të Kosovës kështu që të krijojnë një situatë e re, pastaj që të kërkojnë tek faktori ndërkombëtar që veriu të kalojë në protektorat ndërkombëtar”, përfundoi Elezi.

Drizan Shala: Kërcënimet boshe të bëra nga Vuçiqi nuk janë të panjohura për ne 

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka komentuar për Front Online kërcënimet e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe i ka vlerësuar ato si shantazhe dhe forma të ndryshme të presionit hibrid.

Sipas Shalës, këto kërcënime nuk janë të reja për Kosovën dhe përdoren nga Vuçiqi në momente kur struktura kriminale e Beogradit, si në rastin e grupit të Banjskës, është nën presion për të përballuar proceset gjyqësore.

“Kërcënimet e tilla boshe të bëra nga ana e strukturës të pushtetit të Beogradit dhe Serbisë nuk janë të panjohura për ne, këto kërcënime shantazhe dhe forma të ndryshme të elementeve hibride Vuçiq i përdor në momentet kur struktura e tij kriminale siç është rasti i grupit të Banjskës do të duhej tanimë të përballen me proceset gjyqësore”, u shpreh Shala.

Shala thotë se këto kërcënime mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë tek faktorët ndërkombëtarë.

“Do të ketë edhe një ndikim të drejtpërdrejt tek faktori ndërkombëtar në drejtim të presionit ndaj Beogradit për ti dorëzuar të apostrofuarit para organeve të drejtësisë tek institucionet e Kosovës”, tha Shala.

Shala ka parashikuar se kërcënimet që Vuçiqi do të paraqesë në konferencën e tij të sotme do të jenë më shumë në formë politike, me kërkesa për rikthimin e strukturave paralele në Kosovë.

“Kërcënimet që do ti paraqesë Vuçiq do të jetë më shumë në formë politike, kërkesa që do ti adresohej me drejtim të faktorit ndërkombëtar Brukselit që atje të arrihet zgjedhja e kërkesave siç është, rikthimi i strukturave paralele , rikthimi i zyrtarëve policorë të cilët kanë dhënë dorëheqje nga strukturat  përkatëse , aktualizimi i sistemit gjyqësor me gjyqtarë dhe prokurorë nga komuniteti serb”, deklaroi Shala.

Sipas Shalës, Vuçiqi e ka kuptuar se përpjekjet për të nxitur reagime nga strukturat paralele dhe sistemet e tjera të Kosovës kanë qenë fatale dhe se autoriteti i Kosovës është zgjeruar.

Si rezultat, Vuçiqi është në një pozicion të mbrojtur politikisht dhe operacionalisht, vlerëson eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

“Vuçiq  e ka kuptuar se veprimet e marra në atë periudhë për të nxitur reagimin e mbrojtësve nga këto struktura paralele por edhe nga sisteme tjera të Kosovës ishin fatale sepse e ka kuptuar se shtrirja e autoritetit vendor  të Republikës së Kosovës nuk ka pasur mangësi apo mungesë dhe si rezultat Vuçiq është në një defensive totale politike dhe operacionale”, përfundoi Shala për Front Online.