Kallëzim penal kundër ish-ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, dyshohet për “pengim të drejtësisë”, reagoi BDI

Në buletinin ditor të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për datën 25 korrik 2024, shkruan se 39-vjeçari nga Kërçova dyshohet për veprën penale “pengim i drejtësisë”, të kryer një ditë para zgjedhjeve parlamentare. Sipas informacioneve të publikuara nga TV Telma, i dyshuar është ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, i cili akuzohet për një krim të […]

Kallëzim penal kundër ish-ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, dyshohet për “pengim të drejtësisë”, reagoi BDI
Kreshnik Bekteshi, foto: Ministria e Ekonomisë

Në buletinin ditor të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për datën 25 korrik 2024, shkruan se 39-vjeçari nga Kërçova dyshohet për veprën penale “pengim i drejtësisë”, të kryer një ditë para zgjedhjeve parlamentare. Sipas informacioneve të publikuara nga TV Telma, i dyshuar është ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, i cili akuzohet për një krim të rëndë me dënim minimal prej 1 vit burg dhe një dënim maksimal që mund të arrijë deri në burgim të përjetshëm në rast të pasojave të rënda. Reaguan nga BDI, transmeton Portalb.mk.

“SPB Ohër ka paraqitur kallëzim penal kundër K.B.(39) nga Kërçova, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për veprën penale “pengim i drejtësisë”. Më datë 07.05.2024, i denoncuari i ka dërguar mesazh nga celulari i tij përmes një aplikacioni celular Shefit të Policisë në SPB Ohër në të cilin ka komentuar marrjen e masave të ligjshme policore dhe veprimet hetimore lidhur me veprën penale nga neni 149 i Kodit Penal dhe neni 190 paragrafi 2 i Kodit Zgjedhor”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Për rastin kanë reaguar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, këtë rast ata e cilësojnë si dhunë politike.

“Bashkimi Demokratik për Integrim dënon “gjuetinë politike të shtrigave” të motivuar politikisht që ka në shënjestër ish-Ministrin tonë të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe BDI-në si organizatë politike. Akuzat e pabaza për “pengim të drejtësisë” të ngritura kundër tij janë të fundit në një seri akuzash dhe kërcënimesh të pabazuara që synojnë diskreditimin e partisë sonë dhe përfaqësuesve të saj. Gjatë muajit të kaluar, jemi përballur me kërcënime të shumta për jetët e deputetëve dhe eksponentëve tanë partiak, përveç shpifjeve të rreme të përditshme”, thanë nga BDI.

Ata bënë apel ndaj komunitetit ndërkombëtar, mediave dhe e shoqërisë civile të monitorojnë nga afër këto zhvillime dhe të mbajnë qeverinë përgjegjëse për veprimet e saj.