Krejt çka dihet për incidentin diplomatik në Aeroportin e Shkupit

“Ka tentuar fizikisht ta shtyjë presidenten Osmani” The post Krejt çka dihet për incidentin diplomatik në Aeroportin e Shkupit appeared first on Albinfo.

Krejt çka dihet për incidentin diplomatik në Aeroportin e Shkupit

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani është përballur me një incident diplomatik dje në Aeroportin e Shkupit, ku sigurimi i aeroportit ka tentuar t’ia marrë telefonin, në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare për marrëdhënie diplomatike.

Incidenti është konfirmuar nga këshilltarja e Presidentes, Egnesa Vitia. Sipas saj, kur Osmani s’ka pranuar ta dorëzojë telefonin, ka pasur tentim të shtyrjes fizike ndaj saj nga ana e sigurimit dhe se është dashur ndërhyrja e Policisë së Kosovës për ta hapur rrugën, përcjell albinfo.ch.

“Ne kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”, ka deklaruar Vitia.

Duke mos i respektuar rregullat, sipas Presidencës së Kosovës, pala maqedonase e kishte marrë çantën personale të dorës së presidentes Osmani.

Por, dorëzimi i telefonit personal nuk është pranuar nga ajo.

“Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike. Në kundërshtim me këto rregulla, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes. Edhe pse kjo ishte kundër rregullave, ekipi i Presidentes e ka lejuar në mënyrë që Presidentja të hyjë në aeroport, konkretisht në sallën VIP, e cila ishte rezervuar me notë verbale të Ambasadës sonë, siç është praktika për udhëtimet e krerëve të shtetit. Mirëpo, për arsye të sigurisë, në asnjë mënyrë nuk është lejuar që të dorëzohet telefoni personal”, ka deklaruar Vitia.

Ndërkohë lidhur me këtë kanë dhënë versionin e tyre edhe Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut.

Në njoftimin e MBP-së maqedonase thuhet se dje rreth orës 10:00 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, teksa presidentja Osmani po kalonte kontrollin kufitar, në momentin kur asaj iu kërkua që telefonin ta kalonte përmes skanerit, një person nga sigurimi i saj është larguar nga punonjësja e TAV-së, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore.

“Por më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri. Pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Gashi (polic) me dy persona të tjerë (polic) dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes. Në të njëjtën kohë ka shtyrë edhe një punonjës policie që punonte në pikën kufitare”, thuhet në njoftim.

Më tej, MPB-ja maqedonase tha se menjëherë pas kësaj është njoftuar Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminale dhe Standarde Profesionale dhe se po merren masa për zbardhjen e rastit.

Ndërkohë edhe Aeroporti i Shkupit ka dalë me një reagim lidhur me incidentin me të cilin u përballë presidentja Osmani, duke thënë se e ka obligim ligjor që të kryejë një kontroll sigurie të të gjithë pasagjerëve, bagazheve dhe mallrave në fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe nga Aeroporti Sveti Apostol Pavle Ohër, duke përfshirë pasagjerët që udhëtojnë nëpër sallonin VIP.

Ndonëse në reagim nuk e përmendën me emër Osmanin, nga aeroporti thanë se “Departamenti i Sigurisë i TAV Maqedoni, në kuadër të kompetencave të veta, ka bërë kontroll standard të sigurisë së pasagjerit të përmendur si dhe bagazhit të tij, në pikën e kontrollit të sigurisë në sallonin VIP”.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Astrit Iseni, ka thënë se po presin nga organet e hetuesisë që të dalin me informata të sakta.

“Të punësuarit në MPB kanë dalë në ngjarje dhe janë duke e përcjellë gjithë këtë situatë që ka ndodhë atje dhe normalisht janë në komunikim me prokurorin i cili ka qenë në ato momente aty i angazhuar. Për periudhë të shkurtë kohore hetuesit së bashku me prokurorin do ta bëjnë punën e vetë… Besoj që më së miri është të presim hetuesit së bashku me prokurorin ta japin verdiktin final”, tha Iseni.

E gjithë kjo situatë ngjalli reagime të shumta te akterët politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

Kabineti i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, mohon përfshirjen e pjesëtarëve të sigurimit të tij personal në incidentin e sotëm në aeroportin e Shkupit.

Sipas njoftimit të tyre thuhet se anëtarët e ekipit të sigurimit të Kryeparlamentarit Gashi kanë qenë të pranishëm aty vetëm për ta qetësuar situatën e krijuar nga një keqkuptim mes sigurimit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe pjesëtarëve të sigurimit të aeroportit.

“Personeli i sigurimit të kryeparlamentarit Gashi, të cilët janë të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kanë ndërhyrë për ta qetësuar situatën dhe për t’i udhëzuar kolegët e tyre për procedurat e sigurisë gjatë vizitës së personave VIP. Me këtë rast theksojmë se çdo raportim që e sugjeron të kundërtën është tendencioz”, thuhet në njoftim.

Ndërsa Aleanca për Shqiptarët ka dënuar ashpër incidentin e rëndë ndaj Republikës së Kosovës, përmes sjelljes së zyrtarëve të Aeroportit të Shkupit ndaj presidentes Osmani.

Në reagimin e tyre kërkohet që autoritetet kompetente të hetojnë dhe të sanksinojnë të gjithë personat përgjegjës për këtë “sulm skandaloz”.lg.php.gif

“Kërkojmë urgjentisht që autoritetet kompetente të hetojnë dhe të sanksinojnë të gjithë personat përgjegjës për këtë sulm skandaloz ndaj autoritetit të Presidentes së Kosovës, duke shkelur të gjitha protokolet dhe konventat ndërkombëtare. Qeveria e VMRO-së përmes vazalëve të VLEN-it, duke mos u mjaftuar me degradimin që u kanë bërë shqiptarëve në RMV, tani tentojnë që të nënçmojnë dhe ofendojnë edhe Kosovën, madje deri edhe Presidenten e Republikës së Kosovës. Për ne ky rast nuk është një incident i thjeshtë, por një provokim i rëndë për të cilin duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të kërkojnë falje nga i pari i Qeverisë, deri tek personat që kanë qenë pjesëmarrës në këtë rast”, thanë nga Aleanca për Shqiptarët.

Po ashtu edhe ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, të cilin e ka nisur duke shkruar “Kosovë, na fal!”.

“Nga zot shtëpie në qiraxhi, nga vendimmarrës në vazal, nga krenar në puthadorë, nga dinjitozë në pakurrizor, nga faqebardhë në faqezinjë, nga të ditur në injorant, nga guximtar në frigacak, nga qeverisës në shërbëtorë, nga fitimtar në humbës, nga Europa e Amerika në Rusi e Serbi, nga Ali Ahmeti në Ivan Stoilkoviq!”, ka shkruar tutje Grubi.

The post Krejt çka dihet për incidentin diplomatik në Aeroportin e Shkupit appeared first on Albinfo.