Mickoski realizoi takim me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian

Kryeministri Hristijan Mickoski, sot ka pasur takim me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Në takim u bisedua për situatën aktuale politike dhe ekonomike në vend, si dhe për progresin e shtetit në rrugën e integrimit në BE, transmeton Portalb.mk. Kryeministri Mickoski i njoftoi ambasadorët për përkushtimin e Qeverisë për zbatimin e reformave kyçe […]

Mickoski realizoi takim me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian
David Geer dhe Hristijan Mickoski. Foto: Qeveria e RMV-së

Kryeministri Hristijan Mickoski, sot ka pasur takim me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Në takim u bisedua për situatën aktuale politike dhe ekonomike në vend, si dhe për progresin e shtetit në rrugën e integrimit në BE, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri Mickoski i njoftoi ambasadorët për përkushtimin e Qeverisë për zbatimin e reformave kyçe në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, rritjen ekonomike dhe investimet që duhet ta afrojnë vendin tonë me standardet evropiane.

Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së konfirmuan mbështetjen e tyre për procesin e integrimeve evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe shprehën gatishmërinë për bashkëpunim dhe ndihmë të mëtutjeshme në realizimin e proceseve reformuese.

Takimi përfundoi me marrëveshje për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.

Me fitoren e VMRO-së, përkatësisht formimin e qeverisë së re, ka filluar edhe acarimi i raporteve midis Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë dhe Greqinë. Me Bullgarinë, për shkak se kryeministri Mickoski tha mund të ketë ndryshim të Kornizës negociuese, e cila u kritikua ashpër nga Sofja. Ndërsa tensionet me Greqinë nisën kur presidentja Gordana Siljanovska Davkova, gjatë betimit nuk përmendi emrin kushtetues të vendit, Maqedoni e Veriut, por e përmendi emrin e dikurshëm, Maqedoni.

Kujtojmë se vendi duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.