Ministrat “vizitorë të rregullt” në Prokurori, kërkohet shkarkimi

Para ardhjes në pushtet të Qeverisë “Kurti” premtimi i tyre kryesor ishte se do të qeverisin me duar të pastërta. Por gjatë rrugëtimit prej më shumë se tri vjet qeverisje, partisë në pushtet iu “lidhen duart” përmes hetimeve të disa prej ministrave të tyre. Ministrat e Qeverisë Kurti po dyshohen dhe intervistohen nga Prokuroia Speciale. […]

Ministrat “vizitorë të rregullt” në Prokurori, kërkohet shkarkimi
ministrat-“vizitore-te-rregullt”-ne-prokurori,-kerkohet-shkarkimi

ministrat-“vizitore-te-rregullt”-ne-prokurori,-kerkohet-shkarkimi

Para ardhjes në pushtet të Qeverisë “Kurti” premtimi i tyre kryesor ishte se do të qeverisin me duar të pastërta.

Por gjatë rrugëtimit prej më shumë se tri vjet qeverisje, partisë në pushtet iu “lidhen duart” përmes hetimeve të disa prej ministrave të tyre.

Ministrat e Qeverisë Kurti po dyshohen dhe intervistohen nga Prokuroia Speciale. Rast konkret është ministrja e Tregtisë, Industrisë e Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari.

Hajdari u morr në pyetje nga Prokurorinë Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), lidhur me skandalin e rezervave shtetërore, në prill të këtij viti. Ftesë nga Prokuroria Speciale, poashtu gjatë këtij viti, kishte marrë edhe Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Lajmin e kishte të ditur Durmishi, ku tha se ftesa i është bërë lidhur me nënshkrimin e kontratave për rrugën Prishtinë – Podujevë.

“Dëshiroj t’ju njoftoj se kam pranuar një ftesë nga prokuroria speciale për intervistë më 8 maj. Kur e mora ftesën mendova që më në fund po më ftojnë për të më pyetur për lëndën që e pata dorzuar në Prokurorinë Speciale para gati tre vjetësh. Por jo, ata më kishin ftuar për nënshkrimin e kontratave për rrugën Prishtinë – Podujevë. Me gjasë dikujt po i pengon dinamika e punimeve në këtë projekt sepse gjithçka po ecën sipas planit”, ka shkruar ai midis tjerash në Facebook.

Hiç më larg se gjatë ditës së djeshme, një ftesë tjetër erdhi nga Prokuria Speciale për njërën nga ministret e Qeverisë Kurti.

Fjala bëhej për  ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ky intervistim erdhi pasi ajo deklaroi se grupe kriminale të lidhura me pushtetin në Serbi kanë gisht në arratisjen e disa të burgosurve në Kosovë.

Por se si ndikojnë këto ftesa të Speciales për “udhëheqsit” e dikastereve më të rëndësishme të shtetit, opozita dhe IKD thotë se dëmtojnë imazhin e shtetit të Kosovës, dhe të njëjtit do duhej të tërhiqeshin menjëherë. Por një përgjigje të tillë nuk po ka nga kryeministri i vendit.

Berisha: Në pushtet kemi një Qeveri e cila ka ardhur deri te Qeverisja me veprime kriminale

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha thotë për “Front Online” se hetimi i disa ministrave për vepra të ndryshme penale ngre disa pikëpyetje dhe shqetësime lidhur me ndikimin e tyre në politikbërje dhe funksionimin e qeverisë.

“Situata aktuale ku disa ministra janë nën hetime tregon një sfidë të madhe për qeverisjen dhe funksionimin e demokracisë institucionale. Në qeverinë Kurti, disa ministra janë nën hetime për vepra të ndryshme penale. Kjo situatë ngre disa pikëpyetje dhe shqetësime lidhur me ndikimin e tyre në politikbërje dhe funksionimin e qeverisë”, theksoi ai.

Berisha thotë se ministrat nën hetime mund të jenë të shpërqendruar, por edhe të hendikepuar e të shantazhuar në detyrat e tyre për shkak të çështjeve ligjore.

“Në vendet demokratike, çfarë mëton të jetë edhe Kosova, është jo e zakonshme që një numër i konsiderueshëm i ministrave të jenë nën hetime për vepra penale. Ministrat e përfshirë në hetime mund të jenë të shpërqendruar, por edhe të hendikepuar e të shantazhuar në detyrat e tyre për shkak të çështjeve ligjore”, tha ai.

Për deputetin e PDK-së, qeveria aktuale me filozofi majtiste totalitare po e synon kapjen dhe kontrollimin partiak të çdo segmenti shtetëror.

“Në një demokraci funksionale, sistemi gjyqësor dhe organet hetimore duhet të jenë të pavarura nga ndikimi politik. Kjo qeveri me filozofi majtiste totalitare po e synon kapjen dhe kontrollimin partiak të çdo segmenti shtetëror”.

Berisha për fund thotë se hetimet aktuale dhe gjykimet e mëhershme kanë dëshmuar qartë se është ndikuar/kapur drejtësia.

“Përballja me këto hetime në mënyrë të hapur dhe të ndershme do të ishte një test i rëndësishëm për qeverinë. Por, hetimet aktuale dhe gjykimet e mëhershme kanë dëshmuar qartë se është ndikuar/kapur drejtësia edhe për raste aktesh të kryera me mjete terroriste ndaj institucioneve, me krijimin e organizatës terroriste “Syri i Popullit” për vrasje të personaliteteve shtetërore, gjatë “revolucionit të shamijave të kuqe” për ardhje në pushtet”, tha ai për Front Online.

Kadrijaj: Qeveria Kurti ka tendencë për kapjen e gjyqësorit që të mos hetohen aferat e tyre korruptive

Time Kadrijaj, deputete nga radhët e AAK-së thotë për “Front Online” se rastet e hetimeve të ministrave të Qeverisë Kurti janë në kundërshtim me ato çfarë kanë premtuar para ardhjes në pushtet.

Sipas saj prej premtimit se do të qeverisin me duar të pastërta përfunduan nën hetime për afera korruptive e raste të tjera.

“Është performancë e keqe sepse kjo Qeveri ka ardhë në pushtet për të pasur një qeveri me duar të pastërta, që nuk janë të korruptuar, që s’janë nën hetime, në fakt po ndodhë krejt e kundërta. Lëre që po ka ministra nën hetime për afera korruptive dhe për çështje të tjera, por që fare nuk e kanë problem që kanë ra n’desh edhe me Kushtetutën e vendit. Edhe pse po kërkojmë dorëheqje të ministrave të caktuar, kjo Qeveri është e pazëshme dhe toleron që dikasteret e ndryshme të udhëheqen nga ministra të cilët janë nën hetime”, theksoi ajo.

Për Kadrijajn kjo e dëmton imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në aspektet e brendshme të vendit.

“Kjo e dëmton edhe imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare por edhe në aspektin e brendshëm sepse çdo komunikim edhe i faktorit ndërkombëtar është i limituar me njerëz të cilët janë me afera korruptive dhe me njerëz të cilët janë duke u përballur me gjyqësinë”, tha tutje ajo.

Kadrijaj thotë se qeveria ka tendencë nga fillimi i marrjes së mandatit për kapje e gjyqësorit në mënyrë që aferat e tyre të mos publikohen dhe hetohen.

“Kjo qeveri ka pas tendencë kapjen e gjyqësorit në mënyrën që të gjitha këto afera korruptive të mos bëhen publike dhe të mos hetohen nga policia dhe gjyqësia. Siç e kemi parë, edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese për ligje, që e prekun Kushtetuesen e Kosovës  i kanë atakuar edhe Kushtetuesen edhe gjyqtarët  e saj. Pra ka qenë tendencë e kësaj qeverie për kapjen e gjyqësorit në mënyrë që të sillen me atë arrogancën e tyre njëjtë sikurse  po sillen me arrogancën e numrave”, deklaroi ajo.

Deputetja e AAK-së beson në vendimet e drejtësisë pavarësisht deklaratave dhe shantatazheve të qeverisë.

“Ne besojmë në drejtësi, në vendimet e drejtësisë dhe përkundër vështirësive, shantazheve e deklaratave të Qeverisë nuk po hezitojnë edhe t’i ftojnë ministrat për intervistim por po shpresojmë edhe në vendime që janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, tha Kadrijaj për Front Online.

Miftaraj i IKD-së: Ministrat dhe deputetët që akuzohen për korrupsion duhet të shkarkohen ose të dorëhiqen

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë për “Front Online” se në raste kur ministra deputetë ose pozita të larta akuzohen për korrupsion të njejtit duhet të shkakrohen ose dorëhiqen.

“IKD në vazhdimësi ka potencuar se qeverisja me duar të pastra duhet te kete imperativ kryesori seciles qeveri. Në secilin rast kur ministra, deputete ose pozita të larta akuzohen për korrupsion të njejtit duhet të shkakrohen ose dorëhiqen”, tha ai.

Miftaraj thotë se është jo etike që një politikan në mëngjes të endet sallave të gjykatave e ditën të merr vendime në emër të qytetarëve.

“Është jo etike që një politikan në mëngjes të endet sallave te prokurorise dhe gjykatave dhe gjatë ditës të merr vendime në emer të qytetarëve”, tha tutje ai.

Miftaraj thotë se me ardhjen në pushtet Vetvendosje ka harruar premtimet që kishte.

“Kjo qasje ka qene një ndër premtimet e LVV-së por që me ardhjen në pushtet e kane harruar këtë premtim”, tha Miftaraj për Front Online.

Për ftesat e Speciales kishte akuza të rënda nga vetë të intervistuarit, ministra dhe zvministra të Qeverisë Kurti. Albulena Haxhiu kishte deklaruar se po tentohet të ndalet puna e tyre. Ishte edhe kryeministri Kurti që sot reagoi për intervistimin e Haxhiut duke akuzuar Specialen se ende nuk kanë aktakuzë për Radojçiqin, duke thënë se prokurisë nuk i kanë mjaftuar 10 muaj, por nuk ju deshën më shumë se 10 orë për ta marr në pyetje ministren tonë të Drejtësisë Albulena Haxhiun për një postim në Facebook .

“Në Kosovë nuk është ngritur ende aktakuzë ndaj Millan Rdojçiq dhe terroristëve tjerë të grupit të tij nga ana jonë e sistemit tonë të drejtësisë, prokurisë nuk i kanë mjaftuar 10 muaj, por nuk ju deshën më shumë se 10 orë për ta marr në pyetje ministren tonë të Drejtësisë Albulena Haxhiun për një postim në Facebook”, ka thënë kryeministri i vendit Albin Kurti.