Pas shumë zvarritjeve filluan punimet për rikonstruimin e Rrugës së Butiqeve në Tetovë, do të ketë edhe ndalesë të qarkullimit me vetura

Pas disa shtyrjeve të afatit për fillimin e punimeve, sot kanë filluar aktivitetet në terren për rikonstruimin e Rrugës së Butiqieve (Rodvan Coniq) në Tetovë. Punimet priten të përfundojnë në muajin tetor, shkruan Portalb.mk. Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami informoi se kjo rrugë do të rikonstruohet dhe ridejzinohet për nevojat e zejtarëve dhe […]

Pas shumë zvarritjeve filluan punimet për rikonstruimin e Rrugës së Butiqeve në Tetovë, do të ketë edhe ndalesë të qarkullimit me vetura
Projekti për rikonstruimin e Rrugës së Butiqeve në Tetovë. Foto: Bilall Kasami (Facebook)

Pas disa shtyrjeve të afatit për fillimin e punimeve, sot kanë filluar aktivitetet në terren për rikonstruimin e Rrugës së Butiqieve (Rodvan Coniq) në Tetovë. Punimet priten të përfundojnë në muajin tetor, shkruan Portalb.mk.

Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami informoi se kjo rrugë do të rikonstruohet dhe ridejzinohet për nevojat e zejtarëve dhe për të ringjallur këtë rrugë të rëndësishme të qytetit.

“Kalldërma, ndriçim publik, gjelbërim, ulëse dhe shporta për mbeturina. Gjithashtu, kjo pjesë e rrugës për një periudhë kohore do të jetë shëtitore ku qytetarët do të mund të lëvizin lirshëm pasi do ndalohet qarkullimi me vetura”, tha Kasami.

Nga Komuna e Tetovës paraprakisht për Portalb.mk kanë bërë të ditur se punimet janë paraparë të zgjasin deri në fund të muajit tetor.

Kështu pritet të duket kjo rrugë.

Se fundi i tetorit është afati për realizimin e këtij projekti infrastrukturor, e kanë konfirmuar edhe nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale (MVL).

Kujtojmë që punimet për rikonstruimin e Rrugës së Butiqeve, me një gjatësi prej rreth 420 metrash, fillimisht u shtynë për shkak të nevojës për miratimin e një shtese buxhetore, pasi kostoja e projektit doli më e lartë se sa ishte parashikuar. Rruga duhej të përfundonte në korrik të këtij viti, por punimet u shtynë me kërkesë të bizneseve që operojnë në këtë rrugë për shkak të sezonit veror ku ata kanë më shumë punë.

Rikonstruimi i Rrugës së Butiqeve është i paraparë të bëhet përmes bashkëfinancimit të projektit të IPA programit ndërkufitar me Kosovën 2014-2020 “Ringjallje e zejeve dhe ndërtim të kulturës për zhvillim të përbashkët turistik”, ku është i kyçur edhe Prizreni.

Marrëveshja për rikonstruimin e kësaj rruge u nënshkrua me 30 nëntor 2022 nga kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami dhe ish-ministrit të Vetëqeverisjes Lokale Risto Penov.

Me këtë projekt pritet që të ruhet identiteti dhe autenticiteti i Rrugës së Butiqeve apo i Çarshisë së Epërme. Kjo rrugë në të kaluarën ishte shumë e njohur dhe e frekuentuar nga qytetarët për artizanalet megjithatë sot bizneset që ndodhen aty nuk kanë punë sikur para disa viteve.