RMV, Gjyqtarët kundër Kushtetueses, kërcënuan me padi në Strasburg

Refuzimi i iniciativës së Shoqatës së Gjyqtarëve të RMV-së dhe Këshillit Gjyqësor të RMV-së për anulimin e dispozitave të Ligjit për pagat e gjyqtarëve nga Gjykata Kushtetuese është skandaloz, i papranueshëm dhe defakto rrënon sistemin juridik të shteti, thuhet në reagimin e sotëm nga Shoqata e Gjyqtarëve, transmeton Portalb.mk. Nga aty shtojnë se janë të […]

RMV, Gjyqtarët kundër Kushtetueses, kërcënuan me padi në Strasburg
Gjykata Kushtetuese. Foto nga ueb-faqja e institucionit

Refuzimi i iniciativës së Shoqatës së Gjyqtarëve të RMV-së dhe Këshillit Gjyqësor të RMV-së për anulimin e dispozitave të Ligjit për pagat e gjyqtarëve nga Gjykata Kushtetuese është skandaloz, i papranueshëm dhe defakto rrënon sistemin juridik të shteti, thuhet në reagimin e sotëm nga Shoqata e Gjyqtarëve, transmeton Portalb.mk.

Nga aty shtojnë se janë të zhgënjyer me Gjykatën Kushtetuese, e cila në vend që të mbrojë kushtetutshmërinë e ligjeve, angazhohet në populizëm dhe merr vendime që janë drejtpërdrejt në kundërshtim me Kushtetutën, duke krijuar pasiguri juridike, me pasoja të mundshme të gjera për sistemin gjyqësor dhe shtetin e së drejtës.

“Refuzimi i iniciativës për anulimin e dispozitave të Ligjit për pagat e gjyqtarëve, i cili u miratua më 29 shkurt 2024, dhe fillon të zbatohet në mënyrë retroaktive nga 1 shkurt 2024, është skandaloz, i papranueshëm dhe defakto shemb sistemin juridik të shtetit. Ky vendim është jashtëzakonisht i rrezikshëm për sistemin juridik, sepse lejon zbatimin prapaveprues të ligjeve, pa përjashtime. Në këtë kuptim, në të ardhmen do të mund të bëheshin manipulime dhe keqpërdorime të shumta në zbatimin e ligjeve që rregullojnë të drejtat dhe detyrimet e të gjithë qytetarëve, dhe në të njëjtën kohë do të krijohej pasiguri juridike në shpërndarjen e të drejtave, që është në kundërshtim me zotimet e RMV-së si dhe me obligimet e marra ndërkombëtare të shtetit”, thonë nga Shoqata e Gjyqtarëve.

Shoqata e Gjyqtarëve njofton se do të paraqesë një iniciativë të re për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për pagat e gjyqtarëve, dhe ekskluzivisht në lidhje me këtë rrethanë (zbatimin retroaktiv të Ligjit), duke konsideruar se nuk bëhet fjalë për res judicata (çështja e gjykuar).

Shoqata e Gjyqtarëve kërkon që Gjykata Kushtetuese e RMV-së të veprojë në përputhje me kompetencat e saj të parapara me aktin më të lartë juridik dhe në të kundërtën, siç thuhet në njoftim, Shoqata do të inicojë procedurë para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në radhë të parë me qëllim të mbrojtjes së ligjshmërisë dhe të drejtave dhe lirive të qytetarëve.

Lidhur me këtë reagim Gjykata Kushtetuese ka kthyer përgjigje.

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të formës së prerë dhe të ekzekutueshme. Gjykata vendosi për nismën në fjalë, por një pjesë e reagimit të Shoqatës së Gjyqtarëve nuk korrespondon me kulturën kushtetuese, ligjore dhe gjyqësore, të cilat janë të një rëndësie të jashtëzakonshme për rikthimin e reputacionit dhe besimit të qytetarëve në organet e sistemit të drejtësisë dhe në përgjithësi në institucionet e sistemit”, bëjnë të ditur nga Gjykata Kushtetuese.
Gjykata vendosi se ulja e koeficientëve me 13 përqind është bërë me ligj, që është në kompetencë të Kuvendit. Megjithatë, pagat u rritën, sepse paga mesatare në vend u rrit dhe mbeti mjaft e lartë sipas statusit të këtyre personave.

Kuvendi në fillim të vitit uli koeficientët për llogaritjen e të gjitha pagave zyrtare. Për gjyqtarët, koeficientët që varionin nga 2,8 në 3,7 u reduktuan në rangun nga 2,43 në 3,21 dhe për Këshillin Gjyqësor, 3,7 dhe 4 u zëvendësuan me 3,21 dhe 3,47.