RMV-ja kryeson në listën e vendeve me numrin më të madh të deportimeve nga Gjermania

Numri i deportimeve nga Gjermania vazhdon të rritet: rreth 10.000 persona janë deportuar nga vendi në gjysmën e parë të vitit 2024. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë, nga fillimi i vitit nga Gjermania janë deportuar 774 shtetas të Maqedonisë së Veriut, që do të thotë se Maqedonia e Veriut kryeson […]

RMV-ja kryeson në listën e vendeve me numrin më të madh të deportimeve nga Gjermania
Valixhe me flamurin e RMV-së. Foto: Zoff-photo në Canva

Numri i deportimeve nga Gjermania vazhdon të rritet: rreth 10.000 persona janë deportuar nga vendi në gjysmën e parë të vitit 2024. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë, nga fillimi i vitit nga Gjermania janë deportuar 774 shtetas të Maqedonisë së Veriut, që do të thotë se Maqedonia e Veriut kryeson në listën e vendeve me numrin më të madh të deportimeve nga Gjermania, shkruan DW, transmeton Portalb.mk.

Pothuajse 10.000 deportime në gjashtë muaj

Rreth 9.500 persona janë deportuar nga Gjermania në gjashtë muajt e parë të vitit, tregojnë të dhënat  Ministrisë së Brendshme Federale Gjermane, thuhet në përgjigjen e një pyetjeje parlamentare të Partisë E Majta.

Sipas agjencisë së lajmeve DPA, e cila kishte qasje në dokument, në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë regjistruar 7.861 deportime. Në vitin 2023 16.430 persona janë deportuar me forcë, për dallim me pak më pak se 13.000 në vitin 2022.

Sipas DPA, grupi më i madh i deportuarve sipas kombësisë kanë qenë shtetas të turqisë (915), pastaj gjeorgjianë (839), maqedonas (774), afganë (675), shqiptarë (586) dhe sirianë (534). Gjeorgjia, Maqedonia e Veriut, Austria, Shqipëria dhe Serbia janë destinacionet kryesore të deportimeve.

RMV-ja në krye të listës

Numri i personave të dëbuar nga Gjermania këtë vit është dukshëm më i madh krahasuar me numrin e regjistruar vitin e kaluar. Të dhënat nga muaji janari deri në muajin mars tregojnë se nga Gjermania janë deportuar 4.791 persona, ose rreth 34% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Maqedonia e Veriut është në krye të listës së deportimeve. Në tremujorin e parë të vitit 2024, nga Gjermania janë deportuar 483 qytetarë të Maqedonisë së Veriut. Gjatë gjithë vitit të kaluar 2023 janë deportuar 1.177 shtetas të Maqedonisë. Nga 483 shtetas të dëbuar të Maqedonisë në tremujorin e parë të vitit 2024, 233 kanë qenë gra dhe 227 persona të mitur.

Qëndrim i toleruar

Për momentin Gjermania nuk bën deportime në Siri dhe Afganistan. Por sulmi fatal me thikë ndaj një polici në Mannheim në fund të majit e shtyu koalicionin qeverisës ta diskutonte mundësinë e deportimit edhe në këto vende. Më pak se një vit më parë, kancelari Scholz bëri thirrje për deportime “në masë të madhe”. Pas sulmit terrorist të së premtes në Solingen thirrjet për rritjen e numrit të deportimeve u bënë edhe më të zëshme.

Sipas të dhënave të Ministrisë Gjermane të Punëve të Brendshme, rreth 82 përqind e të deportuarve të këtij viti janë larguar me avion, ndërsa një e treta e të gjitha deportimeve kanë qenë transferime sipas të ashtuquajturës Rregullore e Dublinit. Në 164 raste personat janë deportuar në Bullgari, ku duhej të transferohej edhe sulmuesi në Solingen, njofton DPA.

Të dhënat e ministrisë zbuluan edhe se deri më 30 qershor, 226.882 persona në Gjermani kanë qenë të detyruar të largohen nga vendi sepse nuk kanë pasur të drejtë për azil. Prej tyre, rreth 182.000 kanë Duldung (qëndrim të toleruar). Kjo do të thotë se ata nuk mund të deportohen për arsye të caktuara, për shembull sepse nuk kanë dokumente identifikimi ose janë të sëmurë.

Megjithatë, gjithsej 44.155 persona duhet të largohen menjëherë nga vendi. Sipas gazetës Korektiv, në këtë grup bëjnë pjesë personat që kanë tërhequr vëmendjen për shkak të lidhshmërisë së tyre ideologjike me organizata terroriste.

Mbi 14.000 deportime të pasuksesshme

Sipas të dhënave të ministrisë, në gjysmën e parë të këtij viti, policia vendase nuk ka arritur t’i dorëzojë policisë federale gjermane më shumë se 14.000 persona që duhej të deportoheshin. Arsye për këtë janë fluturimet e anuluara, mungesa ose sëmundja e personit që duhej të deportohet dhe arsye të tjera organizative.

Përveç kësaj, 534 deportime janë ndërprenë gjatë ose pas dorëzimit në policinë federale. Si arsye për ndalimin e këtyre deportimeve kanë qenë linjat ajrore ose pilotët që kanë refuzuar t’i marrin të deportuarit në avion, “akte të rezistencës”, arsyet mjekësore ose procedurat ligjore në vijim.

Në fund të shkurtit hyri në fuqi Ligji për përmirësimin e riatdhesimit. Ai synon ashpërsimin dhe zbatimin e rregullave të deportimit për personat që janë dënuar për një vepër penale ose për të cilët është dëshmuar se janë anëtarë të një organizate kriminale. Por ky ligj njëkohësisht u jep autoriteteve kompetenca më të mëdha ndaj azilkërkuesve që nuk kanë kryer asnjë shkelje, duke e zgjatur kohën që ata mund të ndalohen dhe duke i lejuar policisë të kontrollojë vendbanimet dhe telefonat e tyre celularë.