RMV, këtë vit janë djegur 85 mijë hektarë, nga të cilët supozohet se afro 8 mijë janë pyje

Që nga fillimi i kësaj vere, më shumë se 85.000 hektarë tokë janë djegur në vend, sipas të dhënave të publikuara nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), një komponent i shërbimit të menaxhimit të emergjencave Kopernik. Një pjesë e madhe e këtyre sipërfaqeve ishin edhe pyje, siç ishin rastet e maleve […]

RMV, këtë vit janë djegur 85 mijë hektarë, nga të cilët supozohet se afro 8 mijë janë pyje
Zjarr. Foto: QMK

Që nga fillimi i kësaj vere, më shumë se 85.000 hektarë tokë janë djegur në vend, sipas të dhënave të publikuara nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), një komponent i shërbimit të menaxhimit të emergjencave Kopernik. Një pjesë e madhe e këtyre sipërfaqeve ishin edhe pyje, siç ishin rastet e maleve Sertë, Galiçicë, Mukos e të tjerë. Shifra e saktë se sa pyje janë djegur këtë vit do të duhet të dihet deri në fund të vitit dhe sipas shifrave të fundit të pakonfirmuara bëhet fjalë për rreth 8000 hektarë, transmeton Portalb.mk.

Sipas bazës së të dhënave Maksstat të Entit Shtetëror të Statistikave, vitin e kaluar zjarret kanë shkatërruar pyje në 2.993 hektarë, ndërsa në vitin 2022 në 4.333 hektarë. Dëme më të rënda janë regjistruar në vitin 2021, kur 11.420 hektarë janë përfshirë nga zjarret pyjore dhe në vitin 2019, 10.661 hektarë, ndërsa dëmet më të mëdha deri në këtë verë janë regjistruar në vitin 2012, kur janë djegur 19.312 hektarë pyje. Në total, që nga viti 2010, janë djegur 85 mijë hektarë pyje.

Këtë vit, një numër i madh zjarresh pyjore dolën vazhdimisht jashtë kontrollit në të gjithë vendin dhe në përgjigje të kërkesave urgjente për ndihmë, u aktivizua mekanizmi i mbrojtjes civile të BE-së. Si rezultat, dhjetë ekipe zjarrfikëse ajrore nga gjashtë shtete të ndryshme anëtare të unionit u vendosën për të ndihmuar në kontrollin e zjarreve.

Sipërfaqet e prekura nga zjarret këtë vit, mbi 85 mijë hektarë, janë në pjesën më të madhe sipërfaqe bujqësore dhe kullota me bar dhe bimësi të ulët, ku zakonisht fillojnë, ndërsa një pjesë e caktuar edhe pyll, ku transferohen për shkak të qasjes më të vështirë dhe mundësi të dobëta për shuarje.

Bojan Mihajllovski, ekspert dhe një nga krijuesit e Strategjisë dhjetëvjeçare për menaxhimin e zjarreve, thotë se gjendja e sivjetme me zjarret na ka treguar se sa të dobëta janë kapacitetet kombëtare për përballimin e tyre.

“Të dhënat e fundit thonë se këtë vit janë djegur rreth 8 mijë hektarë pyje. Përvoja tregon se ndërhyrja në këto pjesë është shumë e vështirë, sidomos nga toka, për shkak të aksesit të dobët dhe mungesës së rrugëve pyjore, dhe veçanërisht problem për ne është mbështetja e avionëve. Nuk kemi as avionë të mjaftueshëm, as pilotë aktivë, as qendër për trajnim dhe interesim nga pilotët e rinj për këtë profesion”, thotë Mihajlovski.

Ai thekson se parandalimi dhe gatishmëria janë bazat e sistemit të menaxhimit të zjarrit dhe shteti duhet të ketë të gatshme planet dhjetë apo njëzet vjeçare që do të bazohen në Strategjinë e Menaxhimit të Zjarrit e cila duhet të jetë gati deri në fund të vitit. Sipas përllogaritjeve të Pyjeve nacionale, vetëm deri në korrik dëmet në fondin pyjor nga zjarret kapin shumën rreth 1,5 miliardë denarë dhe i referohen vetëm masës drusore të djegur, që do të thotë se dëmet e përgjithshme nga zjarret do të jenë shumë më të rënda. 

“Është e qartë se zjarret do të ekzistojnë gjithmonë, përveç kësaj janë kushtet klimatike në vend, por edhe pse nuk mund ta ndryshojmë këtë faktor, duhet të përshtatemi. Sidomos nëse e dimë se do të na duhen tre deri në katër dekada për t’i rikthyer këto sipërfaqe pyjore që i kemi humbur”, thotë Mihajlovski dhe shton se në të ardhmen duhet të forcohen kapacitetet dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, por duhet punuar edhe në krijimin e ndërgjegjësimit të publikut për pasojat e zjarreve, veçanërisht tek të rinjtë.

Ndryshe, zjarret kohët e fundit në Maqedoninë e Veriut kanë qenë të shpeshta, kjo për shkak edhe të stinës së nxehtë të verës, por edhe për shkak të pakujdesisë së njerëzve.

Për shkak të zjarreve në mes të korrikut, Qeveria e Maqedonisë së Veriut për herë të parë shpalli gjendje krize për 30 ditë, e cila u vazhduar përsëri më 13 gusht dhe kërkoi ndihmë përmes mekanizmit të BE-së në fushën e mbrojtjes civile.

Gjithashtu, është vënë ndalesë e plotë e lëvizjes në pyje dhe toka pyjore në territorin e menaxhuar nga NP “Pyjet Kombëtare”, i cili do të zgjasë deri në ditën e shfuqizimit të tij, në periudhën nga ora 06:00 deri në orën 20:00.