Sa kushtojnë operacionet plastike në Shqipëri

Operacionet për heqjen e dhjamit, apo siç njihen në mjekësi liposuksion, një trajtim kirurgjik estetik mjaft i popullarizuar në vend, nisin nga 1,600 euro për pjesën e qafës The post Sa kushtojnë operacionet plastike në Shqipëri appeared first on Albinfo.

Sa kushtojnë operacionet plastike në Shqipëri

Nëse doni të rregulloni hundën këtë vit në Shqipëri, duhet të paguani më shtrenjtë.

Kryerja e rinoplastikës apo rimodelimit të hundës, një ndër operacionet më të kërkuara në Shqipëri, varion nga 1,600-1,800 deri në 2,000 euro.

Vjet çmimi maksimal për këtë ndërhyrje arrinte deri në 1,800 euro. Krahasuar me vitin e kaluar, çmimet për këtë lloj ndërhyrje janë rritur deri në 10%.

“Për shkak të rënies së euros, kemi qenë të detyruar të rrisim çmimet me 100 deri në 200 euro më shumë për operacione plastike, përfshirë edhe ndërhyrjen e rinoplastikës.

Zhvlerësimi i euros shkakton humbje te ne, pasi të ardhurat i kemi në euro dhe shpenzimet në lekë”, pohon dr. Konstantin Balloma, drejtuesi i “Luis Medicinal Center”, raporton monitor, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave të marra nga disa klinika në vend, çmimet për operacionin e rimodelimit të gjoksit nisin nga 2,900 euro, 3,000 euro deri në 3,800 euro.

Operacionet për heqjen e dhjamit, apo siç njihen në mjekësi liposuksion, një trajtim kirurgjik estetik mjaft i popullarizuar në vend, nisin nga 1,600 euro për pjesën e qafës.

Ndërsa kryerja e liposuksionit te pjesa e barkut, nga 3,000 deri në 3,500 euro. Çmimet për ndërhyrjen estetike për rimodelimin e trupit, duke hequr pjesë të tepërta të dhjamit variojnë në vlerat e 2,500 deri në 2,700 euro.

Mjekët shpjegojnë se ky operacion kushton më lirë sesa operacioni për rimodelimin e gjoksit, pasi duhet të përsëritet një herë në pesë vjet, ndryshe nga operacioni tjetër kur implantet e gjoksit janë të përjetshme.

Operacioni i tërheqjes së lëkurës së fytyrës apo të qafës është një ndërhyrje që po kërkohet gjithnjë e më tepër nga gratë e moshës mbi 50 vjeç.

Kjo lloj ndërhyrje kirurgjikale lifting i fytyrës, me qëllim tendosjen e lëkurës për minimizimin e rrudhave, kushton 3,500 euro.

Ndërhyrjet për individët obezë, siç janë ato për ngushtimin e stomakut kushtojnë 3,500 euro.

Kirurgjia e qepallave më e kërkuara në SHBA në vitin 2023; Çmimet e operacioneve plastike nisin nga 3,200 deri në 11,400 dollarë.

Në SHBA, sipas të dhënave të raportit të Shoqatës Amerikane të Kirurgëve Plastikë (ASPS), për vitin 2023 janë kryer rreth 22 milionë operacione plastike.

Krahasuar me 2022, numri i tyre është rritur me 8%.

Edhe për vitin 2023, kërkesa vijoi të jetë më e lartë për ndërhyrjet në fytyrë. Kërkesa kryesohej nga blefaroplastika (kirurgjia e qepallave) e cila u rrit me 5% krahasuar me vitin paraardhës, duke reflektuar prirjet drejt opsioneve më pak invazive, siç janë procedurat e kryera nën anestezi lokale.

Më pas, më të kërkuarat ishin procedurat e rinoplastikës (riformësimi i hundës). Procedurat u rritën me 6%.

Në raport thuhet se rritja e ndërhyrjeve të rinoplastikës u ndikua nga shtimi i rezultateve profesionale për ruajtjen e identitetit të pacientit edhe pas kryerjes së ndërhyrjes.

Operacionet më të kërkuara ishin liftimet e fytyrës. Në raport me vjet, ndërhyrjet e tërheqjes së lëkurës u rritën me 8%. Rritja e këtyre ndërhyrjeve është shtuar për shkak të përdorimit më të lartë të barnave për humbjen e peshës që ndikojnë te lëshimi i lëkurës, si dhe nga përdorimi i mbushësve të acidit hialuronik, që më tej kërkojnë ndërhyrje për rafinimin e vijës së nofullës. Këto lloj ndërhyrje janë rritur me 6% krahasuar me 2022.

“Përdorimi i mbushësve po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, pasi mbushësit shtojnë volumin, por nuk e shtrëngojnë lëkurën”, citohet në raport.

Të dhënat e vitit 2023 tregojnë interes të konsiderueshëm për procedurat me qendër në trup, për të përmirësuar zonat rezistente ndaj dietës dhe ushtrimeve, veçanërisht pas ndryshimeve në peshë gjatë pandemisë së Covid-19.

Në SHBA, liposuksioni mbeti procedura më e kërkuar e kirurgjisë plastike në vitin 2023, me 347,782 procedura të kryera, në rritje prej 7% nga viti 2022.

Procedurat për vendosjen e tubave në bark gjithashtu u rritën me 5%, me 170,110 procedura të kryera, duke reflektuar interesin e vazhdueshëm për procedurat për të shtrënguar dhe konturuar pjesën e poshtme të barkut.

Zmadhimi i gjoksit vijon, si një ndër ndërhyrjet më të preferuara, prej shumë vitesh në tregun e estetikës në SHBA. Në vitin 2023, ndërhyrjet për zmadhimin e gjoksit llogariten në 304,181 procedura.

Në vitin 2023 janë kryer 4,715,716 procedura botoks, duke reflektuar një rritje prej 6% nga viti i kaluar. Numri i procedurave për mbushësit e lëkurës arriti në 3,441,534, me 4% më shumë nga viti 2022.

Në SHBA, grupmosha 40-54 vjeç dominon si kategoria që kryen më shumë procedura kirurgjikale.

Ky grup që përfshin moshën e mesme, zë pjesën më të madhe për shumicën e procedurave kirurgjikale, duke reflektuar interesin e konsiderueshëm në ruajtjen dhe përmirësimin e pamjes.

Ky grup përbënte 45% të të gjithë procedurave të liposuksionit dhe 50% të procedurave të barkut për 2023.

Ndërsa ata të moshës 30-39 vjeç janë në krye të procedurave të rritjes së gjoksit dhe ngritjes së të pasmeve. Grupmosha nga 55 deri në 69 vjeç, sipas të dhënave të raportit, kryesojnë për operacionet e fytyrës, duke përfshirë kirurgjinë e qepallave me rritje 8% nga 2022.

Rreth 59% të operacioneve të fytyrës dhe qafës i përkasin kësaj grupmoshe. Tendencë në rritje në SHBA është që grupmoshat më të reja, duke përfshirë ato të moshës 30-39 vjeç dhe edhe 20-29 vjeç, po zgjedhin gjithnjë e më shumë procedurat e fytyrës.

Këto grupe panë secila rritje prej 7% të lift face, nga viti në vit, krahasuar me ndërhyrjet në segmentin e pacientëve nga 55 deri në 69 vjeç.

 

The post Sa kushtojnë operacionet plastike në Shqipëri appeared first on Albinfo.