Szijarto: Presidenca hungareze e BE-së do të bëjë përpjekje që Maqedonia e Veriut të hapë të paktën një kapitull në negociata

Presidenca hungareze e Bashkimit Evropian (BE) do të bëjë përpjekje të përqendruara për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe të hapë të paktën një kapitull tjetër në negociata, tha dje në margjina të samitit të NATO-s në Uashington ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijarto, transmeton Portalb.mk. Në një […]

Szijarto: Presidenca hungareze e BE-së do të bëjë përpjekje që Maqedonia e Veriut të hapë të paktën një kapitull në negociata
Ministri hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Peter Szijjarto

Presidenca hungareze e Bashkimit Evropian (BE) do të bëjë përpjekje të përqendruara për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe të hapë të paktën një kapitull tjetër në negociata, tha dje në margjina të samitit të NATO-s në Uashington ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijarto, transmeton Portalb.mk.

Në një bisedë me kolegët e tij maqedonas dhe malazezë në margjinat e samitit, Szijarto theksoi se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE do të forcojë stabilitetin në rajon dhe sigurinë e kontinentit dhe Hungaria do të punojë për ta përshpejtuar atë proces gjatë presidencës së Unionit.

“Presidenca hungareze e BE-së do të bëjë një përpjekje të fokusuar për të filluar negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe për të hapur të paktën një kapitull në negociata. Për sa i përket Malit të Zi, presidenca hungareze do të donte të lehtësonte mbylljen e të paktën shtatë, por në mënyrë optimale nëntë ose dhjetë kapituj përpara fundit të vitit. Ne besojmë se Mali i Zi ka ndërmarrë hapat e nevojshëm”, tha Szijarto.

Duke folur për politikën aktuale të zgjerimit të BE-së, Szijarto tha se ajo humbet besueshmërinë sa herë që një vend i Evropës Perëndimore ose Balltikut pengon pranimin e një vendi nga Ballkani Perëndimor.

Më 1 korrik të këtij viti, Hungaria merr presidencën e radhës të Bashkimit Evropian. Ndër prioritetet e vendit në gjashtë muajt e ardhshëm, ndërkohë që do të kryesojë Bashkimin, është afrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor një hap më pranë anëtarësimit në BE.

Ndryshe, me fitoren e VMRO-së, përkatësisht formimin e qeverisë së re, ka filluar edhe acarimi i raporteve midis Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë dhe Greqinë. Me Bullgarinë, për shkak se kryeministri Mickoski tha mund të ketë ndryshim të Kornizës negociuese, e cila u kritikua ashpër nga Sofja. Ndërsa tensionet me Greqinë nisën kur presidentja Gordana Siljanovska Davkova, gjatë betimit nuk përmendi emrin kushtetues të vendit, Maqedoni e Veriut, por e përmendi emrin e dikurshëm, Maqedoni.

Kujtojmë se vendi duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.