Tetovë, do të ketë fatura të reja për ujin nga NPK “Sharri”, nuk do të vijnë më nga “Saubermacher”

Nga 1 shtatori qytetarët e Komunës së Tetovës do të marrin fatura të veçanta për ujin dhe kanalizimin të cilat do të lëshohen nga Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri”. Uji nuk do të faturohet më së bashku me mbeturinat dhe pastërtinë publike nga ndërmarrja Saubermacher. Ky vendim vjen pas ankesave të shumta të qytetarëve dhe kaosit […]

Tetovë, do të ketë fatura të reja për ujin nga NPK “Sharri”, nuk do të vijnë më nga “Saubermacher”
Faturat nga Saubermacher për shërbimet komunale, foto nga Portalb.mk

Nga 1 shtatori qytetarët e Komunës së Tetovës do të marrin fatura të veçanta për ujin dhe kanalizimin të cilat do të lëshohen nga Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri”. Uji nuk do të faturohet më së bashku me mbeturinat dhe pastërtinë publike nga ndërmarrja Saubermacher. Ky vendim vjen pas ankesave të shumta të qytetarëve dhe kaosit me faturat e lëshuara nga Saubermacher, shkruan Portalb.mk.

Këshilli i Komunës së Tetovës sot njëzëri me 28 vota “për” miratoi vendimin me të cilin faturat për ujin nga muaji shtator 2024 do t’i lëshojë NPK “Sharri”.

Pra, nga 1 shtatori, uji do të faturohet nga NPK “Sharri” kurse mbeturinat dhe pastërtia publike nga Saubermacher.

Çfarë thotë vendimi të cilin e miratoi këshilli?

Neni 1: Me këtë Vendim, Këshilli i Komunës së Tetovës jep pëlqim për bartjen e ingerencave të faturimit te ujit dhe kanalizimit nga Saubermacher te “NPK Sharri” nga 1 shtator 2024.

Neni 2: Obligohet NPK Sharri të ndërpres kontratën për bashkëpunim teknik me Saubemahcer Tetovë për mënyrën e faturimit dhe pagesës. Obligohet NPK Sharri Tetovë që të faturoj për shërbimet që kryen ndaj shfrytëzuesve për furnizim me ujë për pije dhe mënjanimin e ujërave të zeza në pajtim me aktet ligjore të miratuara nga ana e Këshillit të komunës së Tetovës.

Neni 3: Ky Vendim hyn në fuqi në ditën e miratimit dhe do të shpallet në “Fletoren zyrtare të Komunës së Tetovës”.

Pse erdhi deri te ky vendim?

Kryetari i Këshillit Komunal Naim Ismaili sqaroi se për shkak të ankesave të shumta të qytetarëve në lidhje me faturimin nga ana e Saubermacherit (ndërmarrja që mbledh mbeturinat) për sasinë e ujit, qytetarët janë konfuz duke u endur në zyrat e Saubermacherit dhe NPK “Sharrit”, dhe se ankesat e tyre nuk po zgjidhen kurse vazhdon faturimi me gabime.

“Faturimi ndaj objekteve afariste për shkak të fletë-pronësisë të personit fizik trajtohet si amvisëri që nuk është në rregull për shkak se çmimi për m3 ujë nuk është i njëjtë dhe në këtë mënyrë dëmtohet NPK “Sharri”, që në qoftë se diku përafërsisht janë 5000 objekte afariste, NPK “Sharri” dëmtohet diku rreth 25 mijë euro në muaj në qoftë se e marrim një mesatare prej 10 m3 ujë për një objekt afarist”, tha Ismaili.

Ai tha se si rezultat i mospasjes kadrovike të Saubermacherit për të zgjidhur këtë problem kanë ardhur në përfundim që faturat t’i faturojë NPK Sharri.

“Për shkak se NPK “Sharri” e ka për detyrë ta furnizojë qytetin me ujë dhe ta mirëmbajë rrjetin e ujit dhe kanalizimit, është e rrugës që edhe faturimin për ujë dhe kanalizim ta marrë përsipër sepse janë më të përgatitur përmes inkasantëve dhe kanë një pasqyrë më reale rreth numrit të amvisërive dhe të objekteve afariste”, tha Ismaili.

Opozita: U paralajmëruam

Këshilltari nga BDI-ja Veton Murati tha se si opozitë kanë pasur kritika për mënyrën e organizimit të punës së faturimit.

“Kemi thënë gjithë kohën se nuk është gjendja reale si paraqitet në fatura. Faturat e ujit ndoshta do të rregullohen por vazhdohet të bëhet presion që ndërmarrja Saubermacher të hapë një zyrë në Tetovë mos t’i dërgojmë qytetarët e Tetovës në territorin e një komune tjetër, të jenë këtu afër të dëgjojnë ankesat e qytetarëve. Se ka shumë raste ku qytetarët kanë shkuar janë ankuar, u kanë thënë se do merren parasysh por faturat për dy tre muaj vazhdojnë të njëjtat të vijnë nuk ka asnjë ndryshim”, tha Murati.

Ndërsa Sali Elmazi tha se “me këto zgjidhje që i bëjmë tash nuk besoj se do zgjidhim problemin e faturave”.

Ka filluar instalimi i ujëmatësve

Periudhën e fundit NPK “Sharri” ka filluar vendosjen dhe vënien në funksion të ujëmatësve ekzistues në të gjitha amvisëritë si dhe bizneset e vogla dhe te mëdha.

“Kjo bëhet me qëllim që qytetarët të paguajnë vetëm për sasinë e ujit të shpenzuar, me këtë iniciativë duam te parandalojmë keqpërdorimet te cilat sistemi momental i pagesës mundëson”, thane nga NPK “Sharri” më 13 gusht.

Sa paguajnë tetovarët për ujin?

1 prill 2024, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami pas kaosit me faturat për mbeturinat, pastërtinë publike dhe ujin, informoi se Ndërmarrja për Ujësjellës “Sharri” është obliguar që deri në fund të vitit të instalojë ujëmatës për çdo klient, qytetar.

“Nga momenti i instalimit, në përgjithësi nga viti i ardhshëm do duhet të jenë të instaluar ujëmatësit për shumicën e banorëve. Deri atëherë është dhënë udhëzim që çdo banor në pjesën urbane të qytetit pra uji dhe kanalizimi do të faturohet për pjesën që furnizohet me ujë dhe shërbimet e kanalizimit, do të jetë për shtëpi”, pati deklaruar Kasami.

Pra sipas asaj që tha Kasami, ata që jetojnë në shtëpi do paguajnë taksë komunale për ujë dhe kanalizim jo më shumë se 320 denarë. Gjithë ata që jetojnë në banesa nuk do paguajnë më shumë se 230 denarë.

Si erdhi deri te kaosi me faturat?

Komuna e Tetovës me 10 nëntor 2023 nënshkroi marrëveshje për partneritet publiko-privat me kompaninë sllovene të grupacionit “Saubermaher” për menaxhimin e mbeturinave në Tetovë.

Kjo ndërmarrje faturon mbeturinat, pastërtinë publike dhe shërbimet e ujit. Kur kjo ndërmarrje filloi ti lëshojë faturat, ata vinin me gabime dhe me çmime shumë here më të larta. Kjo revoltoi shumë qytetarët.

Pas ankesave të qytetarëve, Këshilli i Komunës së Tetovës ndryshoi çmimet për mbeturinat.