Zgjyra nga shkritorja në Veles nuk do të mund të grimcohet dhe bluhet, pastrimi i deponisë ka ngecur para institucioneve

Komisioni i shkallës së dytë për procedura administrative e ka refuzuar ankesën e kompanisë Keps Mont Group, e cila është ankuar se nuk ka marrë leje ekologjike të integruar – B nga Komuna e Velesit që të mund të prezantojë edhe dy aktivitete të tjera në pastrimin e deponisë me zgjyrë nga ish shkritorja e plumbit […]

Zgjyra nga shkritorja në Veles nuk do të mund të grimcohet dhe bluhet, pastrimi i deponisë ka ngecur para institucioneve
Kodra e zezë me skorje nga Shkritorja e Velesit, foto nga Meta.mk

Komisioni i shkallës së dytë për procedura administrative e ka refuzuar ankesën e kompanisë Keps Mont Group, e cila është ankuar se nuk ka marrë leje ekologjike të integruar – B nga Komuna e Velesit që të mund të prezantojë edhe dy aktivitete të tjera në pastrimin e deponisë me zgjyrë nga ish shkritorja e plumbit dhe zinkut. Kompania, e cila ka koncesion për ta nxjerrë dhe eksportuar zgjyrën si lëndë të parë minerale teknogjene, kishte një leje ekologjike të integruar B që i lejonte të nxirrte, pastronte dhe të ngarkonte, por pas skadimit të saj vitin e kaluar në muajin nëntor, ajo kërkoi që si veprime në të të shtohet edhe grimcimi dhe bluarja, si përgatitje për eksportimin dhe përpunimin e saj, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

Komuna e Velesit nuk i ka lëshuar leje ekologjike të integruar B koncesionerit “Keps Mont Group” me arsyetimin se mbeturinat në deponinë nga shkritorja nuk i trajton si pikë të nxehtë historike, por si lëndë të parë minerale teknogjene. Në vendim autoritetet komunale shprehen se kërkesën e kompanisë për vazhdimin e lejes e refuzojnë sepse ka pasur rreziqe për shkak të mënyrës se si propozohet të punohet në deponi, si dhe të shkaktohen pasoja të dëmshme ndaj shëndetit të banorëve të qytetit.

Kryetari i Komunës së Velesit, Маrko Kolev thotë se vendimin e kanë marrë nga Komisioni në fillim të muajit, ndërsa pastaj e kanë dërguar te koncesioneri Keps Mont Group. Ai thekson se është i kënaqur me vendimin sepse ai e vërteton atë që e kanë thënë edhe autoritetet komunale, se me prezantimin e dy aktiviteteve shtesë ekziston rreziku i zmadhimit të ndotjes së mjedisit jetësor.

“Shpresojmë që koncesioneri do vendosë të kthejë procesin prapa dhe të kërkojë një leje të re ekologjike të integruar B me aktivitetet që tashmë i kishte të lejuara që të mund të fillojë me pastrimin e deponisë. Pastrimi i zgjyrës duhej të kishte filluar shumë kohë më parë, sepse qëllimi ynë përfundimtar është që ajo të mos paraqesë më rrezik për banorët e Velesit”, thotë Kolev.

Ai thekson se ka për qëllim të bisedojë me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë e sapoformuar të Energjetikës rreth iniciativës për trajtimin e zgjyrës si mbeturinë të rrezikshme dhe jo si lëndë e parë minerale teknogjene, sepse në këtë mënyrë do të krijohen kushtet për pastrimin e mbetjeve historike në një mënyrë të sigurt.

Pas marrjes së vendimit, koncesioneri Keps Mont Group do të ketë një afat prej 30 ditësh për ta ankimuar vendimin e Komisionit të nivelit të dytë dhe për të iniciuar një kontest administrativ pranë Gjykatës Administrative. Paraprakisht, në ankimimin drejtuar Komisionit ata shkruanin se janë dëmtuar nga pushteti lokal pasi nuk u kanë dhënë leje, për shkak se nuk është kompania ajo që vendos nëse zgjyra do të trajtohet si pikë e nxehtë historike apo si një lëndë e parë minerale teknogjene, por që janë institucionet në shtet që u kanë dhënë një koncesion që ende është i vlefshëm. Ndërkohë, deri në përfundimin e dokumentacionit Keps Mont Group nuk do të mund të punojë në terren, ta nxjerrë apo ta eksportojë zgjyrën.

Ndërkohë, derisa të zgjidhet nyja institucionale, deponia me zgjyrë mbetet një kërcënim për qytetin dhe banorët e tij. Supozohet se këtu ka rreth dy milionë tonë zgjyrë, e cila përmban rreth 10 përqind zink, 1 përqind plumb si dhe metale të tjera të rrezikshme si kadmium, bakër, arsen, indium, talium. Ndikimi i tyre ndaj mjedisit jetësor dhe ndaj shëndetit të njerëzve është i madh, gjë që u dëshmua edhe nga analizat e Ministrisë së Shëndetësisë, të cilat vërtetuan ndotje me metale të rënda, kryesisht me plumb dhe kadmium në tokë në një rreze prej rreth njëzet kilometrash, sipërfaqe kjo në të cilën ka edhe fusha ku kultivohen produkte ushqimore. Perimet që i konsumojnë banorët e Velesit përmbajnë 1,5 herë përqendrim më të lartë të plumbit nga sasitë maksimale të lejuara dhe 2,5 herë më të lartë të kadmiumit, ndërsa më të ndoturat janë perimet me gjethe.

Portalb.mk dhe Meta.mk kanë disa vite që shkruajnë për rrezikun që fshihet nga deponia e zgjyrës në Veles, në listën e pikave të nxehta, e renditur e dyta, menjëherë pas OHIS-it të Shkupit. Sasitë e mbetjeve, por edhe toksiciteti i metaleve të rënda që përmban zgjyra, si dhe afërsia me zonat e banuara, e bëjnë këtë pikë një nga më të rrezikshmet në vend.