23 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, pushteti dhe opozita shqiptare me manifestime të ndara

Me ngjarje të ndara, pushteti dhe opozita shqiptare, sot në Shkup shënojnë 23 vjetori e nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur disamujor në vend në vitin 2001, raporton Portalb.mk. Qeveria do ta shënojë përvjetorin e Marrëveshjes Kornizë me seancë formale në ora 13:00, në të cilën, siç […]

23 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, pushteti dhe opozita shqiptare me manifestime të ndara
Marrëveshja e Ohrit, Foto nga Fejsbuku i Blerim Bexhetit

Me ngjarje të ndara, pushteti dhe opozita shqiptare, sot në Shkup shënojnë 23 vjetori e nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur disamujor në vend në vitin 2001, raporton Portalb.mk.

Qeveria do ta shënojë përvjetorin e Marrëveshjes Kornizë me seancë formale në ora 13:00, në të cilën, siç është paralajmëruar, do të flasin kryeministri Hristijan Mickoski dhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti. Ngjarja do të transmetohet drejtpërdrejt në Facebook dhe në kanalin e Qeverisë në YouTube.

Më herët, në ora 10:00 në Klubin e deputetëve në Shkup, në organizim të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, do të mbahet panel diskutimi me temën “23 vjet pas Marrëveshjes Kornizë, decentralizimi mbetet sfidë”, në të cilin, përveç zëvendëskryeministrit Mexhjiti, panelistë janë edhe ministri i Vetëqeverisjes Lokale Zllatko Perinski dhe profesorët Rizvan Suleimani, Nano Ruzhin, Afrim Osmani dhe Bujamin Bela.

Në mbrëmje Mexhiti do të organizojë edhe një pritje zyrtare në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup.

Nga ana tjetër, festë të veçantë do të organizojë Fronti Evropian, i udhëhequr nga BDI. Ata do ta shënojnë 23 vjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit me një manifestim të titulluar “Akademia për legjitimitet” që do të mbahet në mesditë në hotelin Aleksandar Palace në Shkup.

Për ta është “ofendues faktin që një putinist i përbetuar si Ivan Stoillkoviqi një mos-njohës i pavarësisë së Republikës së Kosovës”, është zëvendës kryeministër dhe ministër përgjegjës për Marrëveshjen e Ohrit edhe pse të njëjtën as që e njeh dhe as që e respekton.

“Bashkimi Demokratik për Integrim nuk mund të qëndron duarkryq kur shqiptarët dhe të tjerët po poshtërohen çdo ditë dhe kur çdo e arritur në drejtim të barazisë po zhbëhet. Prandaj dhe kemi angazhuar autorin e Marrëveshjes së Ohrit Paul Williams dhe ekipin e tij pranë PILPG për të hartuar platformë ligjore mbi legjitimitetin, me ç’rast drafti i parë tashmë është dorëzuar dhe do të shqyrtohet në kuadër të Frontit Europian e më pas edhe në publik me botën akademike, organizatat joqeveritare, mediat, qytetarët”, thuhet në reagimin nga BDI-së.

Festa e paralajmëruar paralele nga BDI ka shkaktuar reagime te VLEN-i, koalicioni qeverisës nga radhët e shqiptarëve. Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, këtë hap të BDI-së e ka vlerësuar si “festë dhe argëtim privat”.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të ri të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, tha pas Kuvendit Qendror të kësaj partie se është marrë vendim që më 17 dhjetor të këtij viti të mbahet kongres i jashtëzakonshëm.

“BDI në një farë mënyre ka pretendime për privatizimin e ngjarjeve të caktuara. Ata ende nuk mund të pranojnë që janë opozitë, por u duhet kohë dhe do të mësohen. Ata bëjnë festa private, festa mund të organizohen nga kushdo. Ne i ftuam në manifestimin që organizohet nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë, janë të mirëseardhur dhe le të vazhdojnë të organizojnë ahengje private”, tha dje Taravari.

Ai theksoi se ngjarjet historike nuk kanë qenë asnjëherë pronë private e askujt, ato do të jenë gjithmonë ngjarje të qytetarëve që jetojnë këtu.

Deputetja Saranda Imeri nga koalicioni “VLEN” të premten i ka bërë thirrje liderit të BDI-së, Ali Ahmeti që të marrë pjesë në përkujtimin shtetëror të përvjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001.

Ajo theksoi se arsyeja e adresimit të saj ishte përpjekja, siç tha ajo, “për të privatizuar një datë të ndritur të historisë shqiptare”.

“23 vjet më parë u shkrua një kapitull i ri në historinë e Maqedonisë kur u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit. Për mua, si vajza e Imer Imerit, njërit prej nënshkruesve të kësaj marrëveshjeje historike, kjo paraqet shumë më tepër se një dokument politik. Është trashëgimia e një brezi që luftoi për një të ardhme më të mirë dhe një shoqëri të përbashkët. Ndihem i indinjuar kur shoh se si një datë që duhet të na bashkojë përdoret për interesa të ngushta partiake”, tha Sandra Imer.

Në Kushtetutën e vendit pas shpalljes së pavarësisë nga ish-Jugosllavia në vitin 1991, ishin sjellë disa kufizime për të drejtat e grupeve të tjera etnike në vend, veçanërisht për shqiptarët.

Shqiptarët të cilët kërkonin të drejtën e arsimit të lartë në gjuhën e tyre amtare, në vitin 1994 e themeluan universitetin e tyre. Ky hap nuk u mbështet nga qeveria e asokohshme dhe universiteti i themeluar ishte rrënuar nga policia. Në përplasjen e ndodhur kishte humbur jetën një person, ndërsa ishin plagosur shumë të tjerë.

Shqiptarët të cilët gjithashtu kërkonin përdorimin e flamurit kombëtar në vend, në vitin 1997 i vendosën flamujt në komunat e Gostivarit dhe Tetovës, veprim ky i cili u cilësua si i paligjshëm dhe ishin hequr flamujt. Pas intervenimit të policisë, kishin humbur jetën disa persona dhe ishin arrestuar shumë të tjerë.

Rruga që çoi në Marrëveshjen e Ohrit

Konflikti i armatosur filloi pasi më 22 janar një grup i armatosur sulmoi stacionin policor në fshatin Tearcë të Tetovës, ku në sulm humbi jetën një polic ndërsa tre të tjerë ishin plagosur. Përgjegjësinë mbi sulmin e kishte marrë Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK).

Përleshjet kanë vazhduar edhe në qytete të tjera të vendit me shkallë të ndryshme intensiteti gjatë muajve të pranverës.

Një marrëveshje e përgjithshme armëpushimi u arrit më 5 korrik, e ndërmjetësuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe NATO, ndërkohë të dyja palët e shkelën marrëveshjen shumë herë.

Në ngjarjet mes 22 janar-12 nëntor 2001 humbën jetën qindra persona nga të dyja palët, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë u zhvendosën.

Përleshjet kanë ndodhur në pjesën veriore dhe veriperëndimore të vendit si dhe në afërsi të kryeqytetit Shkup. Incidente të dhunshme ndodhën në qytete të ndryshme të vendit.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit

Negociatat për arritjen e marrëveshjes në Ohër, përfunduan me përafrimin e dokumentit, ndërsa i njëjti u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001. Marrëveshja Kornizë, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, u nënshkrua nga partitë më të mëdha politike në vend dhe përfaqësuesve të posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Marrëveshja i dha fund konfliktit ndërsa hodhi bazat për rritjen e të drejtave të shqiptarëve në vend.

Në marrëveshje, përveç zyrtarizimit të gjuhës shqipe, janë përfshirë edhe zhvillimi i pushtetit vendor, mos diskriminimi, përfaqësimi i drejtë, zbatimi i procedurave të veçanta të Kuvendit për çështje si gjuha, kultura, arsimi dhe simbolet.

Me “Ligjin për përdorimin e gjuhëve” të miratuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 11 janar 2018, i cili parasheh që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare krahas maqedonishtes, u bë gjuha e dytë zyrtare në vend më 15 janar 2019.

Gjithashtu u vendos që një gjuhë e cila flitet nga më shumë se 20 për qind e popullsisë në cilindo qytet të vendit, përveç maqedonishtes, të jetë gjuhë zyrtare.

Në kontekstin e zbatimit të marrëveshjes, në vitin 2004 u formua edhe Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, që funksionoi në kuadër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Sekretariati më pas u shndërrua në Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.