Asnjë provë për spiunim të Serbisë nga dronët shqiptarë, siç pretendon Vuçiq

“Dronët shqiptarë u ngritën mbi Gjakovë për të na spiunuar” ishte titulli thuajse i njëjtë në disa prej portaleve më të mëdha shqiptare në fillim të korrikut, duke iu referuar një deklarate të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, shkruan Faktoje.al. Vjolanda Peca Nga një vëzhgim në disa prej portaleve të monitoruara më 3 dhe 4 korrik 2024  […]

Asnjë provë për spiunim të Serbisë nga dronët shqiptarë, siç pretendon Vuçiq
Dron. Foto: Photocreo në Canva

“Dronët shqiptarë u ngritën mbi Gjakovë për të na spiunuar” ishte titulli thuajse i njëjtë në disa prej portaleve më të mëdha shqiptare në fillim të korrikut, duke iu referuar një deklarate të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, shkruan Faktoje.al.

Vjolanda Peca

Nga një vëzhgim në disa prej portaleve të monitoruara më 3 dhe 4 korrik 2024  rezulton se edhe përmbajtja e lajmit është gati e njëjtë, një raportim bazuar kryekëput mbi deklaratën e Vuçiç publikuar nga mediat serbe dhe pa asnjë verifikim mbi pretendimin.

“Kemi zbuluar fluturime të “Bajraktarëve” shqiptarë nga Gjakova në datat 5 dhe 20 qershor në lartësinë 5800 metra që synonin të kryenin zbulimin e pozicioneve të Forcave të Armatosura Serbe”- citohet Vucic nga mediat e monitoruara.

Lajmi shkaktoi çoroditje së pari nëse Vuçiç u referohej dronëve nga Shqipëria apo nga Kosova, pasi të dyja vendet disponojnë dronë të tillë të blerë nga Turqia.

Vuçiç: Dronët e Shqipërisë na spiunuan –raportonte një televizion në Shqipëri.

Kë akuzoi Vuçiç?

Nga një kërkim për raportimin original nga është marrë lajmi i shpërndarë në mediat shqiptare, gjetëm se tabloidi serb Kurir dhe Danas kishin publikuar thuajse të njëjtin artikull.

Zbardhje e deklaratës së Vuçiç nga gazetat serbe Danas.
Zbardhje e deklaratës së Vuçiç nga gazetat serbe Danas.
Screenshot i lajmit nga Kurir, 3 korrik 2024
Screenshot i lajmit nga Kurir, 3 korrik 2024
Zbardhje e deklaratës së Vuçiçi nga Kurir (Perkthimi nga serbishtja me google translate)
Zbardhje e deklaratës së Vuçiçi nga Kurir (Perkthimi nga serbishtja me google translate)

Përshkrimi sipas Kurir i referohet dronëve si bartës të flamurit shqiptar, duke rritur më shumë bindjen se Vuçiç po akuzon Shqipërinë për ngritjen e tyre me qëllim spiunazhi.

Dronët u ngritën nga Kosova brenda territorit të vet

Ndërsa nga Shqipëria nuk pati reagim zyrtar lidhur më këtë pretendim të Vuçiç, Ministria e Mbrojtjes së Kosovës reagoi menjëherë duke konfirmuar se dronë Bayraktar janë ngritur në datat 5 dhe 20 qershor, por hodhi poshtë pretendimin për spiunazh.

“….dronët ‘Bayraktar’ si pjesë e sistemit të armatimit… i inventarit të FSK-së është pjesë përbërëse e njësive operacionale të FSK-së dhe ne në kuadër të FSK-së kemi njësinë e sistemeve ajrore pa pilotë që kryen operim me dronët “Bayraktar” dhe normalisht që operimi i tyre bëhet brenda territorit të Republikës së Kosovës, pa pasur synim vëzhgimin e asnjë vendi fqinj dhe pa pasur synim shkeljen e hapësirës ajrore të asnjë vendi.” citohet Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Enver Maqedonci nga mediat kosovare.

Edhe në deklaratën e Vuçiç, publikuar fillimisht në mediat serbe dhe më pas marrë copy-paste nga ato shqiptare, pranohet se ngritja e dronëve, përfshirë edhe atyre suedeze apo gjermanë, është kryer në territor jo serb, në përputhje me parimet e rezolutës së OKB 12 44. Mirëpo mediat shqiptare kanë zgjedhur që me ose pa dashje t’I japin zë narrativës së Vuçiç se Serbia po spiunohet.

Kontekst

Pretendimi i radhës i presidentit serb Vuçiç, që njihet për përhapjen e narrativave sensacionaliste dhe që targetojnë Shqipërinë, Kosovën apo edhe Perëndimin se kërcënojnë Serbinë (siç ka vreifikuar më herët Faktoje) u artikuluan gjatë mbledhjes së Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura serbe. Ky aktivitet shërbeu që Vuçiç të artikulojë disa deklarata, mes të cilave dallojnë narrativat se Serbia duhet të forcojë ushtrinë që të jetë më e fortë ndaj kërcënimeve të jashtme.

Narrrativat e Vuçiç në lupën e ekspertëve

Agim Nesho, ambasador karriere dhe njohës i çëshjteve të Ballkanit, e gjykon këtë një fabul të ngritur nga nacionalistët serbë si pjesë e një skenari për të fuqizuar ushtrinë serbe. I ftuar në A2 CNN, Nesho tha mes të tjerash:

“Vuçiç ka arritur të armatosë Serbinë në masën 110% të të gjithë armatimit që kanë jo vetëm vendet rreth saj, por të gjithë Ballkanit Perëndimor.  Ai (Vucic) po përgatit një skenar që e parafilloi me ngjarjet në Banjskë dhe që i dështuan. Do të ishte njësoj si skenari I Krimesë, dmth njerëzit të revoltuar që shtypeshin, nuk respektoheshin dhe kërkonin ndihmë, për të justifikuar një “ndërhyrje në bazë të të drejtave të njeriut”  Ata (serbët) presin momentin që Rusia të dalë fituese në Ukrainë dhe të kthehen në Ballkan, gjë që u intereson si Rusisë ashtu dhe zgjidhjes së problematikës së tyre. “

Nga ana tjetër Nikola Petrovic, drejtor në Qendrën e Çështjeve Ndërkombëtare dhe Sigurisë (ISAC) shprehet që të dyja palët janë thjesht duke kërkuar justifikime për të fajësuar palën tjetër.

“Si dikush që ka punuar në sektorin e sigurisë, jam i sigurt se ata dronë kanë bërë zbulim si në Serbi ashtu edhe në Kosovë – dhe nuk e shoh si problem këtë pasi e kanë bërë pa shkelur hapësirën ajrore të Serbisë. Ky është truku: për sa kohë që ju respektoni disa rregulla, misione të tilla spiunazhi konsiderohen “të nivelit të ulët” veçanërisht me dronët Byraktar të cilët nuk mund të bëjnë shumë me pajisjet e tyre optike në lartësinë operacionale prej rreth 5500 metrash!”- shtoi më tëj Petrovic.

Faktoje bazuar në lajmet që kanë qarkulluar në mediat shqiptare që dronët janë të Shqipërisë, i’u drejtua Ministrisë së Mbrojtjes me anë të një kërkese për informacion. Deri në publikimin e këtij artikulli ne nuk kemi një përgjigje.

Përfundim

Pretendimi i presidentit Vuçic se ushtria serbe po spiunohet nga dronë shqiptarë, është i pabazuar në prova dhe fakte. Ky pretendim u shpërnda masivisht nga mediat shqiptare copy-paste pa analizuar se cilat janë pasojat e këtyre narrativave.  Ndërkohë eskpertë të çështjeve gjeopolitike shpjegojnë se këto lloj pretendimesh i shërbejnë Serbisë për të rritur supremacinë ushatarake në Ballkanin Perëndimor, duke përdorur skenarë të ngjajshëm me ato të Rusisë për aneksimin e Ukrainës.