Deputetët në RMV nën presionin e Kinës që të mos marrin pjesë në një konferencë në Tajvan

Deputetët nga të paktën gjashtë vende, përfshirë Maqedoninë e Veriut, ishin nën presion nga Kina për të mos marrë pjesë në konferencën e Aleancës Ndërparlamentare për Kinën (IPAC) në Tajvan, zbulon Associated Press (AP). Përfaqësues të Maqedonisë së Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinës, Sllovakisë, Bolivisë, Kolumbisë dhe një vendi aziatik, përfaqësuesi i të cilit nuk donte […]

Deputetët në RMV nën presionin e Kinës që të mos marrin pjesë në një konferencë në Tajvan
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Deputetët nga të paktën gjashtë vende, përfshirë Maqedoninë e Veriut, ishin nën presion nga Kina për të mos marrë pjesë në konferencën e Aleancës Ndërparlamentare për Kinën (IPAC) në Tajvan, zbulon Associated Press (AP).

Përfaqësues të Maqedonisë së Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinës, Sllovakisë, Bolivisë, Kolumbisë dhe një vendi aziatik, përfaqësuesi i të cilit nuk donte të përmendej, i thanë AP se kishin marrë email, telefonata dhe mesazhe nga përfaqësuesit e Republikës Popullore të Kinës duke i këshilluar ata për të mos marrë pjesë në konferencën në Tajvan.

Në konferencën e IPAK-së diskutohen marrëdhëniet politike, ekonomike dhe diplomatike me Kinën. Ajo mbahet çdo vit në përvjetorin e protestave dhe masakrës së Sheshit Tiananmen të vitit 1989. Këtë vit do të mbahet për herë të parë në Tajvan.

IPAK është përballur prej kohësh me presion nga qeveria kineze: disa anëtarë u sanksionuan nga Pekini dhe në vitin 2021, sipas SHBA-së, grupi ishte në shënjestër të hakerave të mbështetur nga Kina.

Por drejtori i aleancës Luke de Pulford thotë se presioni nga autoritetet kineze në ditët e fundit është i paprecedentë. Gjatë takimeve të kaluara të IPAK në vende të tjera, diplomatët kinezë zakonisht u drejtoheshin ligjvënësve pas përfundimit të konferencës. Këtë vit duket se ka një përpjekje të koordinuar për të ndaluar para kohe pjesëmarrësit të marrin pjesë.

Objektivi i sulmeve ishte deputeti maqedonas Antonio Milloshoski.

“Unë jam Wu, nga Ambasada Kineze. Kemi dëgjuar se keni marrë ftesë nga IPAK, a do të merrni pjesë në konferencën që do të mbahet javën e ardhshme në Tajvan?”, thuhet në mesazhin e dërguar Milloshoskit.

Rastet e tjera, si ai në Bosnjë dhe Hercegovinë, ishin edhe më të drejtpërdrejta.

“Ata kontaktuan me kryetarin e partisë sime dhe i kërkuan të mos më lejonte të udhëtoja në Tajvan. Ata po përpiqen, në vendin tim, të më pengojnë të udhëtoj. Kjo është vërtet e gabuar. Unë po luftoj kundër vendeve apo shoqërive ku frika është mjeti për të manipuluar dhe kontrolluar njerëzit,” zbulon Sanela Klaric, deputete e parlamentit në BiH.

Kina ka një histori të gjatë të presionit ndaj vendeve që shprehin ndonjë mbështetje për Tajvanin. Veçanërisht, në vitin 2021 Pekini bllokoi importet nga Lituania, një anëtare e BE-së dhe NATO-s, pasi theu zakonet diplomatike duke rënë dakord të emëronte misionin e Tajvanit në kryeqytet në vend të Taipeit kinez. Një vit më pas, BE miratoi një rezolutë që kritikonte veprimet e Kinës ndaj Tajvanit dhe ndërmori veprime kundër Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë për kufizimet e importit.