Këshilli Gjyqësor në seancë urgjente shkarkoi gjykatësin e dënuar suprem Naqe Georgiev

Këshilli Gjyqësor shkarkoi sot në seancë urgjente gjyqtarin suprem Naqe Georgiev pasi dje u dënua me tre vjet burg për ryshfet prej 15 mijë eurosh për të cilin u kap në flagrancë, transmeton Portalb.mk. “Georgiev nuk duhet të marrë asnjë orë plus rrogë nga qytetarët për atë që ka bërë. Ai është turp për drejtësinë […]

Këshilli Gjyqësor në seancë urgjente shkarkoi gjykatësin e dënuar suprem Naqe Georgiev
Gjyqtari Nake Georgiev. Ilustrim: Meta.mk

Këshilli Gjyqësor shkarkoi sot në seancë urgjente gjyqtarin suprem Naqe Georgiev pasi dje u dënua me tre vjet burg për ryshfet prej 15 mijë eurosh për të cilin u kap në flagrancë, transmeton Portalb.mk.

“Georgiev nuk duhet të marrë asnjë orë plus rrogë nga qytetarët për atë që ka bërë. Ai është turp për drejtësinë dhe u bëjmë thirrje gjyqtarëve që do të jenë pre e ndikimeve të tilla nga kolegët gjyqtarë apo presioneve, të refuzojnë edhe të raportojnë detyrimisht”, u tha në seancën e urgjencës së sotme të Këshillit Gjyqësor me përbërje të përgjysmuar, pasi është periudhë pushimesh vjetore.

Gjeorgiev u deklarua fajtor dhe u pajtua me prokuroren për krim të organizuar dhe korrupsion Verica Berzhecka-Krsteva për tre vjet burg.

Dënimi maksimal për këtë lloj vepre penale është 10 vjet, por gjyqtari Dushan Josifov nga Gjykata Themelore Penale e pranoi këtë dënim të lehtë për një gjykatës nga që ishte në krye të gjyqësorit, e nga i cili pritej të jepte drejtësi.

Gjykatësi Georgiev është i dyshuari kryesor për ryshfet në procedurën kundër ish-kryetarit të komunës së Novosellës, Boro Stojçev, i cili, nga ana tjetër, u arrestua me një grup më të madh për kontrabandë marijuane.

Gjyqtari suprem i premtoi djalit të Stojçevit ndërhyrje në procedurë penale për babain e tij dhe i mori 5000 euro në shtëpinë e tij në Strumicë. Në takim, gjykatësi suprem i premtoi djalit të Stojçevit se do të përpiqet që babai i tij të marrë një dënim minimal prej tre vjetësh.

Më pas, ai përsëri tha se ai dhe Ixhet Memeti nga Këshilli i Prokurorëve Publikë gjoja do të ndërhyjnë për të zbatuar procedurën e zgjidhjes dhe kërkoi një shpërblim prej 30 mijë eurosh.

Më vonë, Georgiev pretendoi se Boro Stojçevit do t’i ofrohej dënim fiks pesë vjet burg, si dënim minimal për krimin në fjalë, duke i kujtuar djalit të tij se nëse ai nuk ndërhynte, babai i tij do të merrte një dënim shumë më të madh me burgi dhe se i gjithë paraburgimi do t’i vazhdohet për kohëzgjatjen e procedurës.

Ai premtoi edhe ndikim real, komoditete për Boro Stojçevin, si dhe lirim me kusht nga burgu. Në fund u arrit marrëveshja për një ryshfet total prej 20 mijë eurosh.

Dy ditë më parë i dyshuari i dytë në këtë rast, Ixhet Memeti nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, dha dorëheqje, e pranoi fajin dhe u pajtua me Prokurorinë për dënim me kusht.

Sipas Prokurorisë, Memeti, pas një marrëveshjeje të mëparshme me Georgievin gjatë muajit prill dhe maj të këtij viti, përmes gjykatësit suprem i ka përcjellë djalit të Stojçevit se kinse ka ndërhyrë për të mos paraqitur aktakuzë në rastin kundër babait të tij, por të zbatohet një propozim-marrëveshje.

Georgiev dhe Memeti kanë komunikuar përmes aplikacionit Whatsapp dhe anëtari i Këshillit të Prokurorëve Publikë nuk e ka ditur se ato biseda i ka dëgjuar edhe djali i Stojçevit.