Konkursi për bursa nga Penda ende i hapur, ish-bursistët: Aplikoni sepse mundësitë janë të mëdha, nuk ka vetëm bursë financiare

Konkursi i Asociacionit për Edukim “Penda” për ndarjen e bursave për studentët universitarë (deridiplomikë dhe master) si dhe maturantëve të shkollave të mesme nga RMV-ja vijon të mbetet i hapur deri më 15 shtator 2024. Përveç bursës financiare, “Penda” ofron edhe mundësi të tjera dhe mentorim, më tepër për këtë për Portalb.mk folën ish -ursistët. […]

Konkursi për bursa nga Penda ende i hapur, ish-bursistët: Aplikoni sepse mundësitë janë të mëdha, nuk ka vetëm bursë financiare
Konkurs për bursa nga Penda. Foto në Prapavai: Boy Wirat në Canva

Konkursi i Asociacionit për Edukim “Penda” për ndarjen e bursave për studentët universitarë (deridiplomikë dhe master) si dhe maturantëve të shkollave të mesme nga RMV-ja vijon të mbetet i hapur deri më 15 shtator 2024. Përveç bursës financiare, “Penda” ofron edhe mundësi të tjera dhe mentorim, më tepër për këtë për Portalb.mk folën ish -ursistët.

Bursat e Pendës u jepen studentëve të suksesshëm universitarë që kanë nevojë për mbështetje financiare dhe janë në vlerë prej 5,000 denarë në muaj për 9 muaj akademikë.

Por, ish -ursistët theksojnë se përveç mbështetjes financiare që ata marrin çdo muaj, ata përmes rrjetëzimit të tyre marrin edhe mbështetje akademike.

Ish-bursistja Maida Halimi theksoi se përtej ndihmës financiare, Penda ofron mbështetje nga individ të përkushtuar ndaj përsosmërisë akademike dhe ndikimit shoqëror.

“Ka qenë gjithashtu një përvojë transformuese në rrugëtimin tim akademik. Nëpërmjet mbështetjes së tyre, kam pasur mundësi rrjetëzimi që kanë zgjeruar horizontet e mia. Asociacioni Penda ishte shkak që unë të kem mundësi mentorimi për të kryer hulumtim shkencor. Kjo përvojë jo vetëm që ka përmirësuar të kuptuarit tim shkencor, por gjithashtu më ka pajisur me aftësi praktike thelbësore për përpjekjet e mia të ardhshme”, tha Halimi.

Merita Saiti, një tjetër ish-bursiste e gjeneratës së parë tha se Penda i ka qëndruar pranë në rrugëtimin e saj profesional.

“Nëpërmjet Pendës kam njoftuar njerëz të jashtëzakonshëm, njerëz që kanë vetëm një qëllim se si të të ndihmojnë që të rritesh, që të edukohesh në mënyrë që më pas të njëjtën ta reflektosh në shoqëri. Sikur Penda të më ofronte vetëm përkrahje financiarë, gjë që është tepër e rëndësishme, tani lidhjet e mia me to do të ishin të shkëputura që moti, por Penda më ka ofruar shumë më shumë, një rrjet në të cilin mund të mbështetem gjithmonë në mënyrë që të thur sukseset e së ardhmes”, tha Saiti.

Halimi dhe Saiti porositën studentët që të aplikojnë për këtë bursë dhe mos ta humbasin këtë mundësi.

Elmedina Abdullai nga Asociacion për Edukim Penda thekson se qëllimi i tyre është të sigurojmë bursa, udhëzime dhe mentorim për studentët meritorë, për t’i ndihmuar ata të arrijnë potencialin e tyre maksimal në arsim dhe kulturë.

Ajo sqaroi se për vitin akademik 2022/2023, kanë siguruar bursa për 23 studentë, falë mbështetjes së 56 donatorëve, të cilët kontribuan me një fond total prej 17,600.83 euro.

Ndërsa për vitin akademik 2023/2024, arritën të sigurojnë 20 bursa për studentët, me ndihmën e 49 donatorëve me fond prej 14,728.73 euro.

“Kjo përpjekje vazhdon angazhimin tonë për të ofruar mbështetje dhe mundësi për ata që dëshirojnë të avancohen. Kjo është një arritje e rëndësishme për ne, veçanërisht duke pasur parasysh numrin rekord të aplikimeve që morëm në vitin 2022—më shumë se 120 aplikime (shumica vajza), nga të cilat 80 janë intervistuar. Përzgjedhja e bursistëve është një sfidë e madhe, për shkak të numrit të lartë të studentëve meritorë. Kjo përzgjedhje bëhet me kujdes nga vullnetarët dhe anëtarët tanë”, tha Abdullai.

Studentët e interesuar për aplikim në konkursin e sivjetshëm duhet të aplikojnë më së voni deri më 15.09.2024 nëpërmjet të formularit në që gjendet KËTU.

Pas aplikimit dhe fazës së parë të selektimit vijojnë intervistat që do të mbahen me 18-20 tetor 2024.

Shpallja e rezultateve për fazën e parë të selektimit dhe ftesa për intervista do të bëhet më 07.10.2024.

Si pjesë e procesit të aplikimit, Asociacioni për Edukim “Penda”, ashtu sikurse vitin e kaluar, edhe këtë vit do të organizojë edhe një trajnim online për përgatitjen e dokumenteve të nevojshme për aplikim. Aplikantët të cilët do të ndjekin këtë trajnim do të kenë përparësi gjatë procesit të shqyrtimit të aplikimeve.

Data dhe koha e trajnimit: 31.08.2024 (ora 10:00-12:00).

Linku për trajnimin online: https://meet.google.com/kcz-nxnu-zfo

Prezantimi nga trajnimi online mund të gjinden këtu: https://drive.google.com/drive/folders/12uq4pbu5ws1L5kXj8YPtX-VlfSeiMtsn?usp=sharing

Të interesuarit për pyetje shtesë mund të na kontaktojnë në adresën [email protected].