Kosovarët braktisin bregdetin shqiptar, shkak liberalizimi i vizave dhe rritja e çmimeve

Liberalizimi i vizave për kosovarët ka rritur fluksin e udhëtimeve drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës ka sjellë këtë vit ndikimin e parë negativ për bregdetin shqiptar. Turistët kosovar tani po i kalojnë fundjavat në Greqi e jo në Shqipëri. Agjencitë turistike në vend po thonë se pas ngritjeve […]

Kosovarët braktisin bregdetin shqiptar, shkak liberalizimi i vizave dhe rritja e çmimeve
kosovaret-braktisin-bregdetin-shqiptar,-shkak-liberalizimi-i-vizave-dhe-rritja-e-cmimeve

kosovaret-braktisin-bregdetin-shqiptar,-shkak-liberalizimi-i-vizave-dhe-rritja-e-cmimeve

Liberalizimi i vizave për kosovarët ka rritur fluksin e udhëtimeve drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës ka sjellë këtë vit ndikimin e parë negativ për bregdetin shqiptar.

Turistët kosovar tani po i kalojnë fundjavat në Greqi e jo në Shqipëri.

Agjencitë turistike në vend po thonë se pas ngritjeve të çmimeve në bregdetin shqiptar është rritur interesi për t’i kaluar pushimet verore në plazhet e Greqisë dhe Bullgarisë.

Kurtishaj: Durrësi është boshatisur nga kosovarët pas ngritjeve të çmimeve

Kryetari i Shoqatës së Turizimit, njëherësh drejtori i agjencisë turistike  “Sharr Travel”, Ruzhdi Kurtishaj, konfirmon se ka rënie të madhe të kërkesave për pushime në Durrës, Ulqin, Ksamil e Sarandë.

Megjithatë, Kurtishaj për Front Online thotë se mund të ndryshojnë kërkesat gjatë ditëve në vazhdim.

“Në Ulqin ka rënie të madhe, Durrës, Ksamil dhe Sarandë ka një zbehje të kërkesës për pushime verore, por po besoj se pas 15 korrikut do të ketë ngritje të kërkesës për të kaluar pushimet në Vlorë dhe Sarandë”, thotë Kurtishaj.

Kurtishaj thotë se Durrësi është boshatisur pas ngritjeve të çmimit.

Sipas tij, pas rënies së kërkesës pritet të stabilizohen çmimet në këtë vend.

Kurtishaj vlerëson se kjo verë është e vonshme, por sërish Shqipëria mbetet destinacioni kryesor i kosovarëve.

“Durrësi ka pasur rënie të kërkesave  për t’i kaluar pushimet  për shkak të çmimeve të larta, por ne që dy ditë jemi diskutuar me hotele dhe disa hotele po i kthejnë çmimet në normalitet. Kemi një verë të vonuar turistike, por sigurisht që Shqipëria mbetët destinacioni kryesor i Kosovës”.

Drejtori i kompanisë “Sharr Travel” thotë se tre faktorë kanë ndikuar në uljen e kërkesave të kosovarëve për bregdetin shqiptar.

“Janë tre faktor kryesor: e para ka të bëjë me çmimin, e dyta ka të bëjë me liberalizimin e vizave pasiqë shumë qytetarë të Kosovës nga janari deri në muajin qershor, kanë shpenzuar shumë para për t’i vizituar vendet e zonës Shengen dhe e treta ka të bëjë me diasporën tonë e cila këtë vit po vie më vonë në Kosovë apo familjarët e tyre po i presin në Gjermani dhe Zvicër”, tha Kurtishaj.

Sogojeva: Liberalizimi i vizave për kosovarët ndikoi edhe tek bregdeti shqiptar

Udhëheqës i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva tha për Front Online se liberalizimi i vizave ka ndikuar për uljen e kërkesave nga kosovarët për bregdetin shqiptar.

Sogojeva tha se aktualisht Durrësi ka shumë pak pushues.

Sipas tij, kosovarët në jugun e Shqipërisë nuk po shkojnë pasi janë rritur çmimet.

“Mbas liberalizimit të vizave është një lloj shpërndarje, Aktualisht jam në Durrës, ka shumë pak turistë, ka ndikuar shumë liberalizimi i vizave por qytetarët duan edhe të shohin vende të tjera. Është ende gjysma e korrikut por shpresoj që në muajt në vazhdim të ndryshojnë. Shëngjini e Velipoja janë më afër për qytetarët dhe po ka pak më shumë atje kosovar. Ndërsa në jug ka më pak pushues sepse ka rritje të çmimeve”, u shpreh ai.

Shahini: 55% e kosovarëve marrin kredi për të shkuar në deti

Agim Shanini nga Aleanca Kosovare e Biznesit tha për Front Online se arsyeja kryesore se pse kosovarët  këtë vit s’po e zgjedhin Shqipërinë për pushime është për shkak të liberalizimit të vizave.

Ai thotë se pushuesit kosovar janë stepur edhe nga ngritjet e çmimeve në bregdetin shqiptar.

“Arsyet janë liberalizimi i vizave që kanë mundësin të lëvizjes të lirë në shtetet e tjera. E dyta janë oferta konkurruese më të mira, në krahasim më Shqipërinë dhe e treta kosovarët zgjedhin edhe vendet e tjera, por shtrenjtim i ofertave dhe konkurrenca e dobëte në Shqipëri kanë zgjedhur që të vizitojnë vendet e tjera për pushime”, theksoi Shahini.

Shahini ka bërë të ditura disa statistika që janë bërë në Aleancën Kosovare të Biznesit, ku është bërë e ditur se 55% e kosovarëve marrin kredi për deti.

“AKB është në fazën e publikimit të një hulumtimi ‘Vera 2024’, pjesën e parë e cila është publikuar, ku është dal se 57% e qytetarëve të Kosovës kanë mundësi të shkojnë në pushime së paku një herë brenda vitit, kurse 55% kanë deklaruar se nuk i kanë mundësitë për pushime por, ato mund të i bëjnë me kredi, huazime borxhe dhe forma të tjera”, deklaroi ai për Front Online.

Shqipëria ka qenë destinacioni kryesor i shtetasve nga Kosova për shkak të afërsisë, por edhe pamundësisë për të udhëtuar në vendet e BE-së. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2023 nga Kosova kanë hyrë rreth 4.4 milionë vizitorë me një rritje prej 67 për qind sa i takon vitit 2022. Hyrjet e shtetasve nga Kosova zunë 43% të totalit të shtetasve të huaj. Këta të fundit në 2023-n arritën rekord, duke e kaluar shifrën e 10 milionë.