Maqedoninë e Veriut e pret episodi më i keq në marrëdhëniet bilaterale nëse Qeveria e re nuk i rreket diplomacisë, vlerësojnë analistët

Maqedonia e Veriut do t’i përkeqësojë shumë më shumë marrëdhëniet edhe ashtu tashmë tensionuara me Sofjen, nëse Qeveria e re nuk del nga euforia e fitores në zgjedhje dhe t’i rreket diplomacisë. Analistët në vend për Portalb.mk, paralajmërojnë se nëse nuk veprohet siç duhet, ky do të jetë episodi më i keq në marrëdhëniet bilaterale […]

Maqedoninë e Veriut e pret episodi më i keq në marrëdhëniet bilaterale nëse Qeveria e re nuk i rreket diplomacisë, vlerësojnë analistët

Maqedonia e Veriut do t’i përkeqësojë shumë më shumë marrëdhëniet edhe ashtu tashmë tensionuara me Sofjen, nëse Qeveria e re nuk del nga euforia e fitores në zgjedhje dhe t’i rreket diplomacisë. Analistët në vend për Portalb.mk, paralajmërojnë se nëse nuk veprohet siç duhet, ky do të jetë episodi më i keq në marrëdhëniet bilaterale midis dy vendeve që nga pavarësia e RMV-së. Vendi ka të drejtë që të kërkojë ndryshime të reja në rrugën eurointegruese, por kjo nuk mund të ndodhë me raporte të prishura me vendet fqinje.

Analisti Ismet Ramadani, thotë se deklarimet e fundit të kryeministrit të ri në raportet me Athinën dhe Sofjen, i përkeqësojnë dhe i dëmtojnë raportet fqinjësore midis Maqedoni së Veriut dhe këtyre dy shteteve.

Ai thekson se Mickoski duhet ta kuptojë se më nuk flet si opozitar, por si kryeministër dhe për këtë përgjegjësia e tij nuk është më vetëm individuale. Sipas tij, ai duhet të jetë më pragmatik dhe të mendojë më shumë për të ardhmen e vendit.

Ismet Ramadani. Foto nga faqja në Facebook e Këshilit euro-atlantik të Maqedonisë

“Në qoftë se vazhdon kështu, me fjalor dhe qasje pezhorative ndaj kryeministrit Greqisë dhe presidentit të Bullgarisë, kjo më tutje do t’i trazojë ata që të marrin qëndrime shumë më të forta dhe shumë më të dëmshme për shtetin. Unë i kisha sugjeruar që megjithatë dalëngadalë ta përgatisë opinionin e brendshëm, se megjithatë kur udhëheq me qeveri është diçka tjetër dhe kur je në opozitë është diç tjetër. Prandaj, duhet definitivisht të respektohet ajo q është shkruar dhe ajo që është marrëveshje ndërkombëtare, edhe me emrin, por edhe me marrëveshjen e Brukselit, se definitivisht duhet t’u qaset punëve në mënyrë tjetër”, tha Ramadani.

Ramadani mendon se Qeverisë së re i mungon diplomacia, dhe ekzekutivi i ri, duhet të fillojë ta përdorë sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të zgjidhë problemet dhe të ndërtojë.

“Koha e të harxhuarit të oksigjenit paraelektoral ka mbaruar, tani duhet të angazhohet që Maqedonia e Veriut të vazhdojë të ecë drejt integrimit në BE dhe raporteve të mira me shtetet fqinje”, thotë Ramadani.

Lidhur me ndryshimin e kornizës negociuese, Ramadani shton se kryeministri mund ta provojë ndryshimin e saj, por me këto raporte të përkeqësuara, nuk mund të bëhet asgjë.

“Si kryeministër mund të provojë ndryshimin e kornizës për qasjen dhe bisedimet me udhëheqësit e Bullgarisë, por edhe të Athinës, mirëpo unë siç po i shoh indikacionet e para, raportet po përkeqësohen dhe me raporte të përkeqësuara nuk mbetet vend, hapësirë edhe nëse ke qëllim për të ndryshuar kornizën me BE-në dhe qasjet me shtetet fqinje. Duhet të provohet, por jo të tensionohen raportet, se me të tilla raporte nuk mund të arrihet as minimi i raporteve me fqinjët, qoftë edhe me Brukselin”, konsideron Ramadani.

Nga ana tjetër, ish-ambasadori Nano Ruzhin vlerëson se kjo që po ndodh ishte e parashikuar që në momentin kur VMRO-DPMNE fitoi në zgjedhje dhe se premtoi që nuk do të ketë mirëkuptim as për Marrëveshjen e Prespës, e as me kornizën negociuese me Bullgarinë.

Ashtu sikurse Ramadani, edhe Ruzhin thotë se për tu përmirësuar marrëdhëniet, kërkohet aplikim i diplomacisë.

“Ishte e qartë se do të vinte në përkeqësimin e marrëdhënieve. Nëse kërkojmë diçka në diplomaci, ajo është principi të përmirësohen marrëdhëniet dhe jo të përkeqësohen. Diplomacia për atë edhe shërben. Lufta është ajo që shërben për përkeqësimin e raporteve. Kështu që për fat të keq me sjelljen indiferente të vazhdueshme edhe ndaj Marrëveshjes së Prespës, përdorimi i vazhdueshëm i shprehjes “shteti jonë”, nuk e di përse e përdorin këtë shprehje “shteti jonë”, atëherë le ta përdorin Maqedoni. Kështu që, ja, shteti jonë është në një formulë të papërcaktuar pasi nuk dihet për cilin shtet mendojmë, veçanërisht që shumë njerëz të tyre kanë edhe shtetësi të dyfishtë”, thotë Ruzhin.

Nano Ruzhin. Foto nga profili i tij në Facebook

Në këtë kontekst, ai konsideron se lidhur me marrëdhëniet me Bullgarinë dhe mospranimi i kornizës negociuese dhe ndryshimeve kushtetuese për futjen e komunitetit bullgar dhe komuniteteve tjera, i përkeqëson marrëdhëniet midis Shkupit dhe Sofjes. Sipas tij, këto marrëdhënie me shumë gjasa do të përkeqësohen edhe më shumë.

“Ja tani shohim se u anulua edhe projekti i ndërtimit të infrastrukturës hekurudhore në lindje. Kjo e gjitha është e panevojshme në kushte kur situata është e tensionuar, kur kemi një Evropë që jeton në psikologji gjeopolitike dhe një Ballkan që është vazhdimisht në një farë forme jostabil. Kjo më së paku i duhet RMV-së dhe për këtë konsideroj se do të ketë përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve. Praktikisht, druhem se kjo do të jetë episodi më i keq në marrëdhëniet bilaterale midis dy vendeve nga pavarësia dhe mendoj se është koha që garnitura politike që fitoi në zgjedhje të dalë nga euforia, të përballet me rendin e vërtetë ndërkombëtar dhe të kuptojë se ku e kemi vendin dhe si duhet të sillemi në rrugën eurointegruese”, thotë ish-ambasadori.

Ndryshe, me fitoren e VMRO-së, përkatësisht formimin e qeverisë së re, ka filluar edhe tensionimi i raporteve midis Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë dhe Greqinë. Me Bullgarinë, për shkak se kryeministri Mickoski tha mund të ketë ndryshim të Kornizës negociuese, e cila u kritikua ashpër nga Sofja. Ndërsa tensionet me Greqinë nisën kur presidentja Gordana Siljanovska Davkova, gjatë betimit nuk përmendi emrin kushtetues të vendit, Maqedoni e Veriut, por e përmendi emrin e dikurshëm, Maqedoni.

Kujtojmë se vendi duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.

LEXO: Mickoski për deklaratën e Radevit: Mendova se mesazhe të tilla anakronike ishin pjesë e mesjetës LEXO: Kryeministri bullgar do të kërkojë që në konkluzionet e samitit dyditor të BE-së të ketë tekst edhe për RMV-në LEXO: MPJ greke: Udhëheqësia e RMV-së i rikthehet veprimeve që aludojnë për qëndrim irredentist LEXO: Mitsotakis: I informova kolegët në BE se presidentja dhe kryeministri i RMV-së po shkelin Marrëveshjen e Prespës