Murtezani paralajmëroi punësime të reja për shfrytëzim më të madh të fondeve IPA

Statusi dërrmues i shfrytëzimit të fondeve IPA – nga 302.4 milionë euro në dispozicion, deri në fund të vitit 2023 janë lidhur 58 kontrata me vlerë 109.1 milionë euro. Është përthithje, pra shfrytëzim prej vetëm 34%, theksoi ministri i Çështjeve Evropiane Orhan Murtezani. Kjo, thotë ai, reflekton një problem më të gjerë të joefikasitetit që […]

Murtezani paralajmëroi punësime të reja për shfrytëzim më të madh të fondeve IPA
Orhan Murtezani. Foto: Ministria për Çështje Evropiane

Statusi dërrmues i shfrytëzimit të fondeve IPA – nga 302.4 milionë euro në dispozicion, deri në fund të vitit 2023 janë lidhur 58 kontrata me vlerë 109.1 milionë euro. Është përthithje, pra shfrytëzim prej vetëm 34%, theksoi ministri i Çështjeve Evropiane Orhan Murtezani. Kjo, thotë ai, reflekton një problem më të gjerë të joefikasitetit që rezulton në humbjen e aseteve të konsiderueshme, transmeton Portalb.mk.

“Për ilustrim, këto projekte përfshijnë edhe vepra të mëdha infrastrukturore, siç janë pjesa e rrugës Drenovë-Gradsko, pjesa hekurudhore nga Kriva Pallanka deri në kufi me Bullgarinë, impiantet e trajtimit në Tetovë dhe Manastir, rrjeti i kanalizimit në Kërçovë dhe të tjerë. Megjithatë, shkalla e përthithjes është e pamjaftueshme me vetëm 34 përqind të fondeve të disponueshme të mbuluara nga kontratat e nënshkruara dhe 22 për qind të fondeve të disbursuara”, tha Murtezani.

Në dy vitet e kaluara, tha ai, krahas zbatimit të ngadaltë të IPA-s, Maqedonia e Veriut u ballafaqua me fonde të pashfrytëzuara të IPA-s, të cilave u skadoi afati dhe u kthyen në buxhetin e Bashkimit Evropian. Kështu që, në fund të vitit 2022 dhe 2023 humbëm 24 milionë euro, respektivisht 55 milionë euro në dy vitet përkatëse, respektivisht gjithsej 79 milionë euro.

“Vlerësohet se deri në fund të vitit 2024 ekziston rreziku i humbjes së 43 milionë eurove shtesë nga IPA II”, nënvizoi Ministri.

Murtezani i prezantoi edhe masat strategjike për menaxhim me këto sfida, mes të cilave janë përforcimi i IPA kapaciteteve përmes punësimeve të reja dhe politika për mbajtjen e stafit të IPA strukturës: “Variacioni i lartë i profesionistëve të trajnuar të IPA-s, shpesh tërhiqen nga sektori privat,  krijon shqetësim. Qëllimi ynë është të krijojmë kornizë të qartë për zhvillimin e karrierës dhe mbajtjen e stafit brenda IPA strukturës – theksoi Murtezani dhe shtoi:

“Efikasiteti dhe efektiviteti i përdorimit të fondeve evropiane nuk është vetëm çështje administrative, por i një rëndësie thelbësore për zhvillimin tonë nacional dhe rrugën drejt anëtarësimit në BE. Jemi të detyruar të ballafaqohemi me këto sfida në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të përmbushim detyrimet tona ndaj qytetarëve tanë.”

Ministri njoftoi edhe për vizitë nëpër institucione që punojnë me projekte të financuara nga IPA, se si në mënyrë të ndërsjellë mund të vendoset bashkëpunim të ngushtë në identifikimin dhe tejkalimin e sfidave nën dritën e fondeve evropiane për projekte kapitale me rëndësi vitale për qytetarët.

Kujtojmë se ambasadori Gir konfirmoi se Shërbimi evropian kundër mashtrimeve (OLAF) me seli në Bruksel ka përgatitur rekomandime për institucionet evropiane dhe autoritetet e RMV-së në lidhje me keqpërdorimin e fondeve evropiane.