Nën mëshirë të fatit mbetet referendumi për largimin e lojërave të fatit në Tetovë, nuk dihet nëse dhe kur do të mbahet

Ndonëse kanë kaluar më tepër se një vit e gjysmë që kur në dhjetor të vitit 2022 u shpall nisma për referendumin për largimin e objekteve të lojërave të fatit nga vendbanimet, duke filluar nga Tetova, kjo nismë po zvarritet për çështje teknike dhe politike, ndërsa nuk dihet se nëse dhe kur do mbahet e […]

Nën mëshirë të fatit mbetet referendumi për largimin e lojërave të fatit në Tetovë, nuk dihet nëse dhe kur do të mbahet
Lëvizja Antibixhoz. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ndonëse kanë kaluar më tepër se një vit e gjysmë që kur në dhjetor të vitit 2022 u shpall nisma për referendumin për largimin e objekteve të lojërave të fatit nga vendbanimet, duke filluar nga Tetova, kjo nismë po zvarritet për çështje teknike dhe politike, ndërsa nuk dihet se nëse dhe kur do mbahet e njëjta, shkruan Portalb.mk.

Xhemal Abdiu nga Lëvizja Anti Bixhoz për Portalb.mk theksoi se situata me objektet e bixhozit në vend është bërë alarmante dhe e patolerueshme, ai theksoi se nuk janë tërhequr nga ideja e referendumit për largimin e objekteve të lojërave të fatit, duke nisur nga Tetova.

“Nga ana e Lëvizjes Anti Bixhoz e kemi bërë të njohur sfidën e radhës, referendumin gjithë popullor, duke filluar nga Komuna e Tetovës me të cilën do të obligohen Këshillat Komunale që t’i dalin në mbrojtje sovranit nga çdo e keqe që kërcënohet dhe nga çdo ves i keq që e dëmton atë”, tha Abdiu.

Ata theksojnë se prolongimi i referendumit u bë për disa arsye.

“Pengesat të cilat sollën në prolongimin e saj janë: cenzusi i lartë për suksesshmërinë e referendumit i cili është 50 % plus 1 nga trupi zgjedhor, (kërkojmë zvogëlimin e saj në nivelin e zgjedhjeve) dhe mbajtja e zgjedhjeve të njëpasnjëshme në vend”, tha Abdiu.

Ai shtoi se me formimin e plotë të Qeverisë së re shpresojnë që të fillojnë bisedimet dhe të riaktivizojnë idenë e referendumit dhe në të ardhmen e afërt ta bëjnë realizimin e saj.

Komuna e Tetovës edhe pse e pyetur për këtë problematikë, nuk u përgjigj në pyetjet gazetareske.

Nga ana tjetër, koordinatori i këshilltarëve komunal në Tetovë Liridon Disha për Portalb.mk theksoi se ata kanë përshëndetur çdo iniciativë që është marrë për largimin e lojërave të fatit në Komunën e Tetovës.

“Për ta konfirmuar këtë, po ju rikujtojmë se BDI pati propozuar projektligj të cilin e sabotonin vazhdimisht deputetët e VMRO-së dhe ai i Lëvizjes Besa në komisionin parlamentar. Ligji u miratua me procedurë të shpejtë e më pas nuk u nënshkrua nga Kryetari i Shtetit. Ne do ta përkrahim çdo iniciativë për mbyllje të tërësishme të çdo veprimtarie që ka të bëjë me lojërat e fatit, por kjo të jetë gjithëpërfshirëse (të merren licencat e çdo operatori) dhe jo selektive siç pretendon Qeveria VMRO-VLEN”, theksoi Disha.

Tema e kazinove është aktuale edhe në përbërjen e re parlamentare. Koalicioni i Frontit Europian ka kërkuar që me ndryshimet e propozuara të mbyllen tërësisht kazinot, bastoret dhe objektet tjera nga lojërat e fatit, ndërkohë VLEN-i ka propozuar largimin e tyre nga vendbanimet.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, më 1 korrik ka paralajmëruar ndëshkim të personave përgjegjës në të kaluarën për shkeljet ligjore në lidhje me lojërat e fatit.

Ndryshe, pasi ndryshimet në ligjin për Lojërat e fatit nuk morën vota të mjaftueshme nga deputetët e Maqedonisë së Veriut në përbërjen e kaluar, të njëjtat ngelën të pa miratuara.

Nga Lëvizja “Antibixhoz” ishin të zhgënjyer nga deputetët. Ata më herët kishin organizuar edhe protesta për largimin e këtyre objekteve nga vendbanimet, duke kërkuar edhe mbylljen e tyre.

Ndryshimet ligjore parashihnin që lokalet afariste në të cilat organizohen lojërat e fatit në bastore dhe në klubin e automateve, lotaria në ambiente të mbyllura dhe lojërat elektronike të fatit duhet të vendosen në një distancë prej jo më pak se 500 metra nga shkollat ​​fillore dhe të mesme.