Osmani pas takimit: Datën e zgjedhjeve e shpallim pas disa analizave

Osmani pyetet për zgjedhjet e jashtëzakonshme, thotë se në takim nuk pa disponim për shpërndarje të Kuvendit The post Osmani pas takimit: Datën e zgjedhjeve e shpallim pas disa analizave appeared first on Albinfo.

Osmani pas takimit: Datën e zgjedhjeve e shpallim pas disa analizave

Presidentja Vjosa Osmani, pas takimit konsultativ që pati me shumicën e liderëve të partive përfaqësuese në Kuvend, tha se nuk kishte shumë insistime për ndonjë datë të caktuar për shpalljen e zgjedhjeve dhe se partitë patën disa preferenca, por pak dallime, përcjell albinfo.ch.

Ajo tha se ligji i cakton afatet brenda së cilave ajo mund t’i bëjë konsultimet dhe më pas shpalljen e zgjedhjeve.

“Sipas ligjit, janë 4 data për zgjedhje. E para 26 janari, pastaj 2 shkurti, 9 shkurti dhe 16 shkurti”.

“Diskutimi ynë ishte në kontekst të këtyre katër datave. Siç edhe mund ta paramendoni, nuk kishte një insistim të tepër, kishte preferenca, sepse nuk është dallimi shumë i madh, po flasim për pak javë. Disa parti 26 janarin, tri-katër të tjera që preferuan 9 shkurtin, dy-tri 16 shkurtin dhe kishte parti që s’kishin preferencë. Ende jemi brenda afatit të konsultimeve”.

Osmani pyetet për zgjedhjet e jashtëzakonshme, thotë se në takim nuk pa disponim për shpërndarje të Kuvendit, përcjell albinfo.ch.

Ajo është pyetur nga gazetarët nëse ekziston akoma mundësia për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Sipas saj, mundësia për zgjedhje të jashtëzakonshme ekziston ende.

Osmani tha se kjo mund të ndodhë nëse ka disponim nga partitë politike që ta bëjnë një shumicë votash për ta shpërndarë Kuvendin.

Ajo shtoi se sot në takim nuk pa disponim të tillë.

“Sa u përket zgjedhjeve të jashtëzakonshme, mundësia ligjërisht akoma ekziston. Pra, caktimi i datës së zgjedhjeve të rregullta ligjërisht nuk e përjashton mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, megjithatë shpërndarja e Kuvendit kërkon 2/3 e votave e më shumë dhe se a kanë disponim partitë politike të përfaqësuara në Kuvend ta bëjnë një shumicë të tillë apo jo është çështje e tyre, sot nuk u duk një disponim i tillë. Megjithatë në qoftë se ndryshon diçka në ndërkohë, do ta kuptojmë të gjithë. Në rast të shpërndarjes së kuvendit, afati është shumë më i shkurtër, brenda 30-45 ditësh, mirëpo nuk po shihet në horizont një mundësi e tillë për momentin. Nuk mund ta përjashtoj unë, sepse është vullnet i partive, jo i presidentes. Për momentin përgatitjet i bëjmë për zgjedhje të rregullta dhe afatet janë të qarta, jepet mjaftueshëm kohë, sa më herët që qytetarët e dinë se kur do të mbahen zgjedhjet aq më lehtë bëhen planifikimet, planifikimet e votës së mërgatës, që është e rëndësishme sepse për herë të parë mundësohet një gjë e tillë”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se do ta bëjë publike datën e zgjedhjeve “sa më parë që të jetë e mundur”.

Po ashtu, Osmani ka folur për mungesën e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë takim dhe gatishmërinë e Glauk Konjufcës që ta përfaqësojë VV-në në cilësinë e nënkryetarit. Osmani ka thënë se ia kanë bërë me dije Konjufcës që takimi është ftuar vetëm në nivel kryetarësh dhe se Konjufca më mirëkuptim e ka zbatuar qëndrimin e presidencës.

“Nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca, ka shprehur gatishmëri që të vijë në takim, mirëpo meqenëse të gjitha partitë kanë qenë të njoftuar se ky takim ka qenë në nivel të kryetarëve, këtë parim e kemi mbajtur për të gjithë dhe ai me mirëkuptim e ka zbatuar”, ka thënë Osmani.

Ajo tutje ka thënë se në takimin e sotëm s’ka qenë prezent kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Osmani ka thënë se nuk i di arsyet pse Kurti s’ka marrë pjesë dhe u ka thënë gazetarëve se mund të shkojnë ta pyesin në zyrën e tij, duke supozuar se Kurti ndodhet në zyrën e tij në Qeverinë e Kosovës, objekti i të cilës është shumë afër me Presidencën.

“Sot s’ka qenë prezent kryetari i Vetëvendosjes, nuk i dimë arsyet, besoj mund ta pyesni atë drejtpërdrejt, po supozoj që është në zyrë, mund të shkoni e ta pyesni”, ka thënë Osmani.

 

The post Osmani pas takimit: Datën e zgjedhjeve e shpallim pas disa analizave appeared first on Albinfo.